Kancelaria gjermane, Angela Merkel, u vu përballë rivalit të saj, socialdemokratit Peer Steinbrueck, në të vetmin debat televiziv përpara zgjedhjeve të përgjithshme.
Shumë media thonë se ishte një debat që i la palët në vendnumëro, ndërsa disa analistë thonë se ndoshta socialdemokrati Steinbrueck ishte disi më mirë, por kjo nuk i jep atij avantazhin për ta çuar në zyrën e kancelarit. Më së shumti ai mund të ëndërrojë një koalicion të madh.
Europa i kishte sytë nga Gjermania për të parë se si do debatohej në lidhjen me krizën e stërzgjatur ekonomike.
Merkel mori meritat se ka luftuar këtë krizë.
“Në këtë kohë ne kemi pasur krizën më të keqe në Europë. Gjermania është e fortë. Gjermania është motori i rritjes ekonomie. Gjermania është spiranca e stabilitetit në Europë,” tha ajo.
Kundërshtari i saj tha se ai do kishte përdorur një strategji ndryshe sa i përket krizës.
Sipas tij, duhet konsolidimi i buxheteve në vendet në krizë, “por jo me kosto vdekjeprurëse për këto vende”.
Steinbrueck tha se do kishte kombinuar masat e shkurtimeve me një program stimulimi si Plani Marshall.
Me buzëqeshje në fytyrë, Merkel iu kthye atij dhe i tha: “Ti ke votuar për gjithçka”. Ishte e thjeshtë dhe fatale.
Në debat u fol edhe për Sirinë. Të dy kandidatët thanë se nuk kanë ndërmend që të marrin pjesë në operacionet ushtarake në Siri. Madje Steinbrueck tha se do zhgënjehej nëse SHBA do sulmonte vetëm.
Steinbrueck, që është pas Merkel në sondazhe, deklaroi se kafsha e tij e preferuar është rinoceronti. “E nis ngadalë, por më pas asgjë nuk e ndal,” tha ai.
Mundet që Steinbrueck ta ketë nisur ngadalë, por do jetë shumë e vështirë, në mos e pamundur për të ndalur politikanen më popullore në Gjermani.
Ndoshta këtë e tregon edhe fakti se më shumë se për debatin, komentet në rrjetet sociale u fokusuan tek varësja e Merkel, me ngjyrat e flamurit gjerman.
Varësja u bë hit në internet, ndërsa prodhuesi i saj tha se ngjyrat janë thjesht një rastësi.
Në fund, debati mund të ketë prodhuar gjithçka, por nuk reflektoi aspak pozicionin e Gjermanisë si fuqi dominuese në Europë.
Ky është konkluzioni i analistit të BBC për Europën.
Ndoshta konkluzioni më i arrirë./ep