Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka udhëtuar ditën e sotme drejt Vlorës.
I shoqëruar edhe nga ambasadori gjerman, Tahiri ka bërë një inspektim në Portin e Vlorës.
Vizita e Ministrit të Brendshëm në Vlorë vjen një ditë pas tentativës për të udhetuar drejt Gjermanisë i një grupi të madh qytetarësh, të cilët ishin mashtruar se mund të përfitonin azil në Gjermani.
Në takimin që Saimir Tahiri ka zhvilluar autoritetet portuale dhe policia thanë se kishin sinjale për këtë tentativë dy- tre ditët e fundit dhe ndërhynë për t’i ndaluar.
Ministri u interesua edhe për mënyrën e trajtimit të rasteve të dyshuara që mund të udhëtojnë në zonën shengen në mënyrë të parregullt.
Në prononcimin e tij për mediat Tahiri tha se “autoritetet shqiptare janë shumë të angazhuara për të hetuar çdo rast trafiku apo tentativë për të mashtruar qytetarët, duke u premtuar azil”.
“Erdhëm këtu në portin e Vlorës pas asaj që ndodhi dje, ku qytetarë të mashtruar, me idenë se mund të shkonin në Gjermani apo në vende të tjera të Bashkimit Europian për të kërkuar azil, krijuan një situatë jo pak problematike. Unë jam këtu për t’i bërë të ditur çdo qytetari shqiptar që është absolutisht e pamundur të marrësh përsipër të bësh një udhëtim në vendet e Bashkimit Europian, për të kërkuar azil dhe në këtë mënyrë, për t’i dhënë një zgjidhje problemeve ekonomike apo problemeve të tjera.
Nuk ka asnjë mundësi që në vendet e Bashkimit Europian të kërkohet azil.
Shqipëria është një vend i sigurt, ku respektohen liritë dhe të drejtat themelorë të njeriut. Ashtu siç është me mundësi zero të shkosh dhe të mashtrosh autoritetet, qoftë këtu apo në autoritetet në Bashkimin Europian. Policia po zhvillon hetime të plota, të cilat nuk ja të përqendruara vetëm në Vlorë, por në disa qarqe të vendit. Deri tani janë 5 qytetarë të arrestuar, ndërkohë që hetimet vazhdojnë.
Unë do t’i inkurajoja qytetarët të denoncojnë mashtruesit ose organizatorët e kësaj sipërmarrje të çmendur dhe do t’i ftoja qytetarët të ndanin me ne çdo informacion lidhur me njerëz të cilët përfitojnë nga qytetarët shqiptarë para, për t’i përplasur pastaj kundër autoriteteve, si këtu apo si në vendet e Bashkimit Europian. Hetimi është i shtrirë në disa qarqe. Do të vijojmë. Dhe askush që deri më sot ka organizuar këtë rrjet të paligjshëm të azilkërkuesve potencialë do të shkojë përpara drejtësisë”,- u shpreh Ministri i BrendshëmTahiri.
Tahiri më tej tha se nuk ka pasur fluks për azil nga qytetarët shqiptarë para asaj që ndodhi dje. Ai tha se policia do hetojë deri në fund për këtë çshtje, ndërsa u beri thirrje qytetarëve të mos provojnë të kërkojnë azil të paligjshëm.
“Nuk ka pasur fluks përpara asaj që ndodhi dje. Nga vërtetimet paraprake ishin diçka më shumë se 300 qytetarë të tjerë, të cilët kishin prenotuar udhëtimin po mbi bazën e azilkërkimit në mënyrë të paligjshme në vendet e Bashkimit Europian. Kjo, sigurisht, nuk mund të ndodhë më, jo vetëm në Vlorë, por në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Shqipërisë. Po bashkëpunojmë, ndërkohë, me partnerët, sidomos me partnerët me të cilët kemi regjim të relaksuar të udhëtimit, vetëm me Kartë Identiteti, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mos shfrytëzojnë mundësinë për të udhëtuar nga këto vende, po për të njëjtat qëllime, për azilkërkimin e paligjshëm.
Unë e gjej edhe një herë rastin për t’i bërë thirrje qytetarëve që të mos e provojnë. Është harxhim kohe dhe mbi të gjitha harxhim parash, i panevojshëm, sepse nuk mund të shkosh në asnjë vend të Bashkimit Europian dhe të kërkosh azil. Siç i bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, që jo vetëm të mos e provojnë, por edhe të ndajnë informacion me Policinë e Shtetit që këta mashtrues t’i vëmë para përgjegjësisë. Këta njerëz që shfrytëzojnë të tilla momente për të përfituar para, qoftë edhe nga varfëria ose nga shpresa e njerëzve për një jetë më të mirë, duhet domosdoshmërish të shkojnë para drejtësisë. Ne jemi shumë të vendosur të garantojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve, por njëkohësisht, të garantojmë sigurinë në pikat kufitare”, – tha Tahiri.
“Hetimet të plota do të ketë, edhe financiare, për kompanitë e tyre, të cilat deri më sot kanë fituar para nëpërmjet këtyre mënyrave. Është e pamundur të zhvillohet një biznes në Shqipëri, në kurriz të disa bizneseve të tjera të ndershme. Të zhvillohet një biznes duke mashtruar qytetarët për azil në vendet e Bashkimit Europian. Siç është e pamundur të përfitosh nga shpresa e njerëzve për një jetë më të mirë, duke i premtuar parajsën, nëpërmjet azilit të paligjshëm në vendet e Bashkimit Europian. Jemi shumë të vendosur që lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, për cilindo qëllim, në vendet e Bashkimit Europian, ta garantojmë duke evituar që të ketë disa që shfrytëzojnë këtë mënyrë për të kërkuar azil në mënyrë të paligjshëm”, përfundoi Tahiri nga takimi i tij në Portin e Vlorës. /j.h