Nga Niko Peleshi *
Postforum
Rimodelimi i sheshit të Teatrit në Korçë ka shkaktuar debate si çdo ndërhyrje e guximshme dhe transformuese. Aq më tepër kur bëhet fjalë për zgjidhje urbanistike dhe arkitekturore që janë gjithmonë subjektive.
Madje debatet tregojnë se qyteti jeton, ka nerv, ka shpirt dhe reagon.
Kryetari i Bashkise Korçë, si nismëtar i këtij projekti ka zgjedhur një ndërhyrje transformuese në vend të një ndërhyrjeje rehabilituese. Dhe siç ndodh sa herë që tentohet të ndryshohet e përditshmja me të cilën është mësuar të jetojë, shumekush reagon me shqetësim. Sheshi nuk do të jetë më si më parë. Qyteti do të ndryshoje dhe lidhja me kohët e vjetra, fëmijërinë dhe rininë e shumëkujt, që më së shumti asociohet me rrugët, rrugicat, sheshet e parqet, duket sikur do të shkëputet.
Ne që kemi lindur e jemi rritur në qytete me trashëgimni kulturore e historike, dashur apo padashur e kemi më të theksuar dëshirën për të konservuar të shkuarën. Kjo vlerë ka të mirën e vet të madhe sepse krijon një vetëdije të përbashkët mbrojtesë për çka ja vlen të trashëgohet si shtylla kurrizore dhe karakteri i qytetit.
Por ja që qyteti duhet të provojë çdo ditë që jeton. Jeton me kujtimet e së shkuarës, por edhe me ëndrrat e së ardhmes. Jeton në të tashmen që nesër do të jetë e shkuara. Ne që jetojmë sot duhet të shkruajmë sekuencën tonë në dokumentarin historik të qytetit, të çdo qyteti, të Shqipërisë. Duhet ti japim forcë shpirtit krijues dhe kurajo vendimmarrjes. duhet të guxojmë edhe të gabojmë, sepse brezat do të na gjykojnë më keq për shterpësinë intelektuale sesa për gabimet.
Sot është koha të thërrasim në skenë krijuesit, projektuesit e së ardhmes. Sot është koha të çlirojmë veten nga prangat e nostalgjisë melankolike dhe të ndërtojmë qytetin e gjeneratës tjetër, Shqipërinë e gjeneratës tjetër.
Le të ruajmë traditat më të mira dhe të ndryshojmë të tjerat. Le të ruajmë dhe restaurojmë trashëgimninë e vyer kulturore, por edhe të krijojmë vlera të reja, vepra bashkëkohore.
Ajo çka e çon përpara një qytet e një vend, para pasurive natyrore, para burimeve financiare, është shpirti optimist. Dhe optimizmi nuk vjen vetvetiu, Ai lind kur qytetari përjeton ndryshimin, transformimin e qëndrueshëm. Lind kur hapësirat publike, mjedisi ku qytetarët socializohen, çlodhen, njihen dhe argëtohen, jo vetëm meremetohen e mirëmbahen por edhe shtohen, modernizohen dhe transformohen. Optimizmin e sjell krijimi, jo mirëmbajtja.
Bashkia Korçë si administratore e qytetit, ka marrë përsipër përgjegjësinë që i takon për ti dhënë qytetit jo vetëm infrastrukturë më të mirë por edhe optimizmin e nevojshëm për të garantuar rritjen dhe zhvillimin. Ka marrë përsipër restaurimin dhe konservimin e vlerës më unikale të trashëgimnisë kulturore, Pazarin e Vjetër. Por ka marrë përsipër edhe krijimin e vlerave estetike të reja, me riskun e reagimit nostalgjik për të cilin fola më lart.
Arsyetimet e mësipërme mbi nevojën që qyteti ka për projekte transformuese, për shije të reja estetike, për shenja të kulturës bashkëkohore, mbase zbehen kur i ndjek nga larg zhvillimet në qytet. Mbase largësia e bën shumë të fortë dëshirën për ta gjetur të pandryshuar qytetin e lindjes sa herë e viziton. Ndjenja e nostalgjisë kur e gjen rrugicën e fëmijërisë siç e le është e mrekullueshme.
Por ja që ata që i japin frymë qytetit, korçarët që jetojnë e punojnë aty, meritojnë të jenë më shumë se sa rojtarë të qytetit të vjetër, edhe ndërtuesit dhe projektuesit e qytetit të ri.
Dhe sa për zgjidhjet arkitekturore dhe urbanistike, natyrisht që para gjithë të tjerëve është rradha e profesionistëve, arkitektëve dhe urbanistëve të komentojnë. Arkitektët e lindur në Korçë kanë edhe arsye emocionale për të qënë më të vëmendshëm. Eshtë e diskutueshme nëse ky emocion i bën mirë apo keq gjykimit, sepse ndonjëherë një sy i freskët, i pa mësuar me kontekstin, shikon më qartë. Por sidoqoftë gjykimet janë subjektive ndaj çdo zgjidhje është e kontestueshme. Në historinë e zhvillimit të shumë qyteteve ka plot raste të kontestimit të projekteve që më vonë janë kthyer në simbol të këtyre qyteteve. Në Parisin e famshëm edhe për kullën aq shumë të kontestuar, Eifel, sot po zhvillohet një debat tjetër. Përsëri për një kullë. Efekti që të shkakton projekti i Kullës Trekëndore, të projektuar nga arkitektët Jacques Herzog and Pierre de Meuron, është me të vërtetë shokues.
Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, e cila mbron idenë e ndërtimit të kullës, thotë se Parisi, i njohur si një qytet i lartësive të ulta (përveç Kullës Eifel dhe disa ndërtimeve të viteve ’70) po ngelet prapa arkitekturalisht por edhe ekonomikisht, krahasuar me qytetet e tjera.
Parisi rrezikon të mbetet një qytet vetëm me histori, një muze pa vështrim nga e ardhmja, thotë arkitekti Jacques Rougerie.
Askush nuk mund të thotë me siguri se kush ka të drejtë. Por kuptimplotë është fakti që ky debat, që vjen nga dilema ndërmjet modernes dhe tradicionales, ndodh. Ndodh edhe në qytete – ikonë të trashëgimnisë botërore të arktitekturës.
Ndodh sepse çdo gjeneratë ka edhe misionin ti japë formë imagjinatës së vet dhe tua lerë si trashëgim gjeneratave të tjera, për ta shijuar dhe për ta gjykuar.
* Zëvendëskryeministër i Shqipërisë dhe ish- kryetar i Bashkisë së Korçës. Aktualisht po drejton programin mbi Rilindjen urbane të Shqipërisë.