Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Kunati zbërthen udhëzimin e Doktorit për zërin e Lulit

$
0
0

Pas vërejtjes publike që bëri Doktori lidhur me zërin e Lulit, Kunati ju përvesh punës ta zbërthente vërejtjen dhe të nxirrte prej saj disa mësime.

Së pari, ju duk shqetësuese që Doktori e kishte marrë shumë seriozisht këtë gjë. Biles, në një moment atij ju duk se e kishte marrë më seriozisht dhe se Rama, që në fakt nuk e ka tallur Lulin për këtë gjë. Doktorit i kishte ngelur shumë qejfi.

Për këtë, Kunati shënoi disa pika ku do mbështeste punën e tij në të ardhmen për përmirësimin e zërit të Lulit.

E para, vendosi të takojë Tritan Shehun dhe të mësojë prej tij se si ja ka arritur më 1995- 1996 të imitonte zërin e Doktorit, dhe të mos ngjirrej. Ky ishte një kuriozitet i madh.

Së dyti, vendosi të zhvillojë një kurs intensiv me Ben Imamin lidhur me zërin dhe rëndësinë e tij për t’u bërë udhëheqës. Bezdia e vetme është që Ben Imami do në çdo punë që i caktohet, të ketë ndihmës Kullurin, por në këtë rast do t’i vihet si kusht, që Kulluri nuk duhet të jetë i përfshirë, pasi është i zgjedhur dhe i bie autoriteti Lulit. Kullurit do t’i caktohet detyrë të mbledhë vezë fshati, meqë merret me organizimin, dhe t’i mbajë në frigorifer.

Për këtë mori masa që Luli të mbajë një pasqyrë në zyrën e tij, dhe të bëjë prova para saj. Nga ana tjetër do të izolohet zyra, që njerëzit të mos dëgjojnë provat, pasi hapet fjalë sikur ka lajthitur.

Së treti, duhej bërë kujdes që para çdo mitingu t’i kërkohej Doktorit teksti, me qëllim që Luli të përqëndrohej tek teknika, dhe jo tek përmbajtja. Kështu dhe Doktori do ta kishte më të vështirë të shprehte rezerva, pasi të lexohej fjalimi i tij. Në këtë pikë kishte rëndësi dhe ritmi i fjalive, të cilat, meqë janë bërë për Doktorin, mund të shmangin ngjirrjen e zërit.

Së katërti, Kunati vendosi të hetonte se përse e bëri Doktori këtë vërejtje. Këtu duhej bërë kujdes të hetohej nëse ai ka vërtet probleme me zërin, apo probleme me ato që thotë Luli. Nëse është kjo e dyta, zgjidhet me propozimin e mësipërm për t’ia marrë tekstin e gatshëm Doktorit. Nëse ka të bëjë vërtet me zërin, duhet punuar me Ben Imamin.

Së pesti, duhet punuar që në momentet e fjalimit të shmangen njerëzit që i shkaktojnë emocione negative Lulit. P.sh, prania e Gridës e komplekson, pasi ai e ka mendjen se nga shikon Doktori, nga ai, apo nga Grida. Nëse ai e kupton që Doktori po shikon nga Grida, i ikën zëri. Kjo duhet eleminuar dhe Grida nuk duhet mbajtur afër gjatë fjalimit.

Së gjashti, duhet investuar tek një qendër zëri inteligjente dixhitale, e cila mbulon defektet e zërit gjatë të folurit, duke vetëkorrigjuar automatikisht volumin.

Në përfundim të këtyre sugjerimeve, Kunati rekomandon mbajtjen e një i-pod më fjalime të Doktorit duke i dëgjuar 24 orë, që të mësohet me intonacionin dhe përmbajtjen e tyre, sidomos figuracionin politik, nga i cili Luli vuan seriozisht.

Pasi i mbaroi udhëzimet, ja nisi për t’i marrë një mendje Genc Rulit, meqë ai e njeh mirë Doktorin dhe huqet e tij.

Pasi i lexoi, Ruli i tha: Hall i madh të ka zënë biro! Doktori është bërë si Azem Galica, që donte mos ta merrnin vesh që kishte vdekur, se ashtu mendonte se trembeshin armiqtë. Dhe ky do që kur njerëzit të dëgjojnë Lulin, të thonë qenka kthyer Doktori. Problemi është se Doktori dikur trembte armiqtë, tani na tremb ne.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>