Qeveria miraton vlerat e zbatueshme për legalizimin e ndërtimeve informale, si dhe përcakton mënyrën e mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave të ndërtimeve paleje.
Vendimi përcakton që tarifa e shërbimit për legalizim, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, si dhe për objektet e dyta, në kuptim të nenit 25, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, është 8 000 (tetë mijë) lekë, për çdo kat të ndërtimit.
Vendimi gjithashtu parashikon që ardhurat për përballimin e shpenzimeve të evidentimit në terren dhe të hartimit të dokumentacionit, për ndërtimet pa leje, të përbëhen nga:
- a) 30 për qind e fondit të arkëtuar nga pagesa e parcelës ndërtimore;
- b) të ardhurat e arkëtuara nga pagesa e tarifës së shërbimit, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik dhe të përzier, si dhe nga pagesa e penaliteteve, në masën e vlerësuar nga ALUIZNI, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Për ndërtimet pa leje, me funksion të përzier, subjekti të paguajë tarifë shërbimi, në vlerën e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, vetëm për katin e shfrytëzuar për veprimtari social-ekonomike.
Në vendim përcaktohet se pagesa e tarifës së shërbimit të kryhet brenda 45 ditëve, nga data e njoftimit me shkrim të ALUIZNI-t.
Taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni i tyre, të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.
Për zbatimin e kësaj pike, drejtoritë e ALUIZNI-t, të vënë në dispozicion të njësive të qeverisjes vendore, në momentin e dërgimit për regjistrim në ZVRPP, të dhënat e ndërtimeve që pajisen me leje legalizimi.
Për llogaritjen e penalitetit të legalizimit të shtesave të subjektit ndërtues, sipas nenit 43, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, si çmim minimal fiskal të përdoret ai i parashikuar në tabelën nr.1, të miratuar me udhëzimin nr.2, datë 6.8.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, për vitin 2014”.
Për ndërtimet në zonat ku nuk ka çmim të përcaktuar, sipas pikës 6, të këtij vendimi, si dhe për ndërtimet në komuna, përllogaritja të kryhet në bazë të mesatares aritmetike të çmimeve në zonat kufitare.
Vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.1180, datë 5.8.2008, “Për përcaktimin e vlerës së tarifës së shërbimit për legalizim dhe mbledhjen e administrimin e të ardhurave të procesit të legalizimit”, të ndryshuar, dhe nr.870, datë 27.12.2006, “Për koeficientin e shfrytëzimit të ndërtesës në legalizim, me destinacion social-ekonomik”, shfuqizohen. /gj.k/