Rëndohen pozitat peshëngritjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Një tjetër peshëngritës rezulton pozitiv ndaj testeve të antidopingut.
Sipas burimeve pranë Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, një tjetër sportist kuqezi ka rezultuar pozitiv.
Për momentin nuk ka ende një emër të konfirmuar, por dyshohet se ai është Hysen Pulaku, raporton Sport News.
Sipas asaj që bëjnë të ditur burime jo zyrtare, Pulaku ka rezultuar pozitiv jo në Botërorin e zhvilluar në Kazakistan, por në Europianin e të rinjve, ku ai u shpall kampion Europe në stilin e shtytjes me 203 kilogram të ngritura, ndërsa mori dhe argjend në shkëputje me 166 kilogram, e argjend gjithashtu në dygarësh.
Federata Shqiptare e Peshëngritjes për momentin ka bërë të ditur se diçka më shumë do të mësohet të këtë të enjte, pa dhënë një emër konkret se kush mund të jetë sportisti i dyshuar, ndërkohë që burime pranë këtij institucioni kanë bërë me dije, se i dyshuari është Hysen Pulaku.
Nëse emri i Pulakut do të konfirmohej, kjo do të ishte hera e dytë për peshëngritësin që penalizohet nga dopingu, pasi përpara Olimpiadës së Londrës ai rezultoi pozitiv ndaj substancës, Hydoxystanozolol./b.l