Kunati ka pasur dje një ditë të ngarkuar. Kafja e SHQUP ishte e mbushur plot e përplot me deputetë të PD-së, të cilët prisnin lajmin nëse do hynin në parlament apo jo. Disa i kishte kapur frika se Luli po u punonte ndonjë rreng. Sipas fjalëve të hapura, besnikët e Lulit kishin shkuar disa herë në komisione parlamentare dhe nuk u digjen mandatet edhe nëse nuk shkonin në Kuvend. P.sh Paloka, Bylykbashi, Halimi, Pollo dhe disa të tjerë, ishin paraqitur në takime ndërkombëtare apo në komisione, dhe nuk u digjej mandati më 18 dhjetor. Të tjerët që e kishin dëgjuar këtë skemë ishin në panik.
Kunati hynte e dilte, dhe i qetësonte.
-Ja se tani po hyn tek Merkeli dhe u tregoj çdo thotë.
Deputetët qetësoheshin dhe ktheheshin sërish në kafe.
Kalonin disa minuta dhe pyesnin përsëri.
-Hë çfarë, i tha?
-Akoma se ka takuar, se i ka mbaruar Laurës bateria e telefonit dhe nuk ka kush bën foto.
-Po lere mo foton, ç’na duhet, po çfarë i ka thënë?
-Po nuk e ka takuar akoma, se i duhet fotoja. Pa foton nuk e beson njeri që e ka takuar.
Deputetët u futën në ankth.
-Ma jep telefonin e Laurës, t’i çoj dikush një bateri, se njoh dikë që është aty afër, i tha një deputet.
-Jo jo, prit se po zgjidhet, i tha Kunati. Luli do t’i japë një honorar fotografit të konferencës dhe do t’ia dërgojë ai me email fotografinë.
-A, shumë mirë, thanë deputetët dhe u qetësuan.
Kunati vazhdonte rinte online me Bogdanin.
-Hë, çfarë po bëhet, e pyeti përsëri një deputet?
-Ja se po i afrohet, tha Kunati. Jam në linjë me Gertin dhe ky po më thotë, janë vetëm tre metra afër.
Ja po afrohen…kanë ngecur pak, se është një hungarez që do ta takojë, por Merkeli nuk do dhe ai nuk hap rrugën. Ja prit se e shtyu Pollo, seç i tha gjermanisht. U nxeh hungarezi, po vari lesht. Kaluan këta. Janë një metër larg. Ja prit se doli një roje, i mbajti këta, tha “vetëm Luli të afrohet”. U afrua…U çua në këmbë Merkeli, uaa i dha dorën, albanish, Berisha, PD, haha, i tha.
-Jam Lulzim Basha, i tha Luli.
-Ja ja, Berisha DiPi, albanish.
Tani po i thotë diçka në vesh, tha Kunati. Gerti më thotë që ju afrua tek veshi dhe i kërkoi diçka.
-Ja ja, i tha Merkeli. Gut gut.
Tani po dalin në fotografi. Dolën. Tani i dha dorën dhe po ndahen….
-Po nuk folën për parlamentin, i tha një deputet gjithë makth.
-Po do hyjmë o në parlament, i tha Kunati, po na duhej kjo fotua.
-Po i tha gjë ajo, apo nuk i tha?
-Do t’i ketë thënë kur i foli tek veshi, i tha Kunati.
-Epo shyqyr, thanë deputetët e tjerë, të çliruar dhe filluan të pinin.
Kunati i çliruar, i tha Bogdanit.
-Çfarë i tha Luli, Merkelit tek veshi?
-Jo, asgjë, i kërkoi leje të bënin foto dhe ajo i tha, Ja Ja!.
-Ah, mirë, mos i thuaj njeriu, se unë u thashë këtyre k…., që i tha se do hyjmë në parlament.
-Po shumë mirë ke bërë, i tha Bogdani.