Nga Mero Baze
Partia Demokratike po përpiqet të gjejë një mënyrë për t’u kthyer e “dhjerë por krenare” në Kuvend, duke u përpjekur të ndërkombëtarizojë, atë që ajo e quan “kriminalizim” të parlamentit të Shqipërisë. Aq shumë është banalizuar gjetja e trukeve për t’u kthyer në normalitet, sa në përpjekje për t’u dukur një vend normal, duhet të gjymtojmë diçka më shumë se parlamenti. Imazhin e Shqipërisë, si një vend ku sundon krimi dhe ta rregjistrojmë këtë në dokumenta ndërkombëtare, për të mos u prekur në sedër Lulzim Basha.
Që të jemi seriozë, çështja e kriminalizimit të parlamentit është çështje e kriminalizimit të politikës në Shqipëri, dhe nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra. Partia Demokratike, e cila kërkon doemos një alibi, si për humbjen e saj të thellë, dhe për veprimet e saj pa kokë e pa këmbë që ndërmerr si opozitë, po përpiqet të konsiderojë kriminalizim të parlamentit, rrahjen e deputetit Strazimiri nga dy deputetë socialistë. Nëse është ky koncepti i një Kuvendi të kriminalizuar, atëherë ne kemi Kuvendin më të pastër në botë.
Por, e vërteta është ndryshe. Parlamenti ynë dhe politika jonë janë të kriminalizuara. Aty ka deputetë që duhet të ishin në burg, ose së paku jashtë parlamentit. Beteja për një Kuvend pa kriminelë është betejë politike, dhe kriminelët më të rrezikshëm në Kuvend nuk janë ata që rrahin me grushta apo rripa, por ata që kanë vrarë për të qëndruar në ato karrige, që kanë vjedhur paratë e shqiptarëve për të qëndruar në pushtet, që kanë favorizuar grupe kriminale, dhe natyrisht ata që rrahin si ordinerë.
Beteja për të dekriminalizuar Kuvendin duhet të bëhet me ligj dhe jo me deklarata. Me deklarata vetëm sa njollosin Shqipërinë, kurse me ligj e shpëtojnë atë. Kryeministri Edi Rama, nuk ka as legjitimitet dhe as mbështetjen e votuesve të tij të nënshkruajë ndonjë dokument për deputetë ordinerë të Kuvendit, pa ndërmarrë hapa ligjor për të nxjerrë jashtë Kuvendit deputetët që kanë kryer krime politike dhe janë mbrojtur politikisht.
Në Kuvend është Sali Berisha. Ka vrarë katër demonstrues paqësor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar 2011. I vrau! Mori përsipër vrasjen, mori përsipër dhe mbrojti vrasësit dhe u fut në betejë me gjithë institucionet e shtetit shqiptar për të mos u ndëshkuar. Dy vite më parë, ai kishte bërë një betejë të njëjtë politike, për të mos u hetuar djali i tij, i cili qëndronte pas biznesit vdekjeprurës të Gërdecit, ku u vranë 26 persona. Ky njeri duhet të jetë në burg, ose së paku jashtë parlamentit dhe politikës.
Në Kuvend është Fatmir Mediu. Të ngjashmit e tij, si zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, u dënuan deri në gjashtë vite burg për tragjedinë e Gërdecit. Ky deputet, shmangu gjykimin me procedurë dhe truke avokatësh, i mbështetur nga qeveria e Berishës dhe është sot i pagjykuar për një krim të rëndë shtetëror. Bëni një ligj që ky njeri të rigjykohet, pastaj le të vendosë drejtësia për fatin e tij.
Në krye të opozitës shqiptare është Lulzim Basha. Është përgjegjës për vrasjen e 4 qytetarëve shqiptarë si ministër i Brendshëm dhe ka një proces të pazhvilluar gjyqësor, ku akuzohet për 220 milionë euro. Bëni një ligj që ky njeri të lërë postin e kryebashkiakut, të shkojë të gjykohet dhe nëse del i pafajshëm, të vazhdojë të qëndrojë në politikë.
Në parlament ka disa ish-ministra të akuzuar për korrupsion, që po i mbyllin dosjet e tyre pa u gjykuar, me milionat e tyre të përvetësuara nga pushteti. Nëse duhet të biem dakord për dekriminalizimin e Kuvendit, duhet të bëjmë një ligj, neni.1 i të cilit duhet jetë i thjeshtë. Të gjithë ata deputetë apo ish-ministra, që kanë shmangur gjykimin për shkak të pushtetit, duhet të dorëzojnë imunitetin dhe të rihapin çështjet e tyre.
Pas këtyre, e kanë radhën deputetë ordinerë që rrihen në Kuvend. Ata janë në një proces hetmi dhe nëse dënohen, natyrisht që duhet të ikin nga Kuvendi.
Të tretët e kanë radhën ata që dyshohen se sot merren me trafik droge apo korrupsion. Ligji të garantojë që policët, nëse ndalin një makinë deputeti dhe ka brenda kriminelë, ta arrestojnë bashkë me deputetin. Dhe, nëse policia bie në gjurmë, që grupe kriminale mbështeten nga politikanë, le të bëjnë një legjislacion që i jep përparësi ndëshkimit të këtyre politikanëve.
Më tej, për ta parandaluar kthimin e tyre në Kuvend në zgjedhjet që vijnë, le të bëjnë ndryshime në Kodin Zgjedhor, ku të përjashtohen nga listat ata që kanë procese të pazhvilluara gjyqësor, që janë mbrojtur me imunitet apo që i janë shmangur gjykimit me procedurë. Po ashtu, të përjashtohen nga lista deputetët që janë nën hetim apo biznesmenë që kanë lidhje me grupe kriminale. Kjo kërkon thjesht vullnet politik dhe do të ishte një reformë e thellë dhe serioze për parlamentin e Shqipërisë. Kështu nuk njolloseshim, por pastroheshim.
Por, kjo që kërkon të bëjë PD-ja, e cila synon të mbulojë malin e krimeve të Sali Berishës dhe pushtetit të tij, me rrahjet ordinere në Kuvend, janë një njollë e re mbi Shqipërinë, pa i hequr nga kurrizi shqiptarëve asnjë kriminel, por duke i shtuar vetëm turpin që i duron ende nëpër këmbë.
Shumica e sotme nuk ka për detyrë të krijojë alibi për PD-në, se kur do hyjë e kur do dalë nga Kuvendi, por ka për detyrë të pastrojë shtetin nga krimi. Dhe mbi të gjitha, të dekriminalizojë Kuvendin. Kuvendi është institucioni më i lartë politik i vendit dhe kriminelët më të rrezikshëm janë ata që kanë pushtet aty, dhe që kanë shpëtuar nga ndëshkimi pikërisht si njerëz të pushtetshëm. Dekriminalizimi politik i Kuvendit është mision historik, që duhet të realizohet nga kjo shumicë dhe jo shkuarja pas avazit të një djali tekanjoz, që as ia mban të hyjë në Kuvend dhe as ia mban të rrijë jashtë Kuvendit. Pas kriminelëve politik të Kuvendit, natyrisht duhen zbuar dhe ata ordinerë, por ata janë pasoja. Shkaku është se ai Kuvend ka inkurajuar njerëz që kanë vrarë, që të mos dënohen. Dhe kur dikush shikon se ka vrarë dhe nuk është dënuar, natyrisht që edhe rreh, i sigurtë se nuk do të dënohet. Turpi është që këta që rrahën po dënohen, ndërsa ata që vranë e vodhën po krekosen.