Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Ryshfet ose sorrollatje, dhe adresimi i gabuar i një kosovari

$
0
0

RyshfetNga Altin Ketro

 

S’do kisha më dëshirë të shkruaja mbi ato që shkuan në rrjetin social Facebook, Berisha apo komentuesit e tij virtualë, pasi nuk ke as ç’ti ofrosh më publikut për një kryeministër në ikje e sipër. Megjithatë, më tërhoqi vëmendjen një koment i një shqiptari të Kosovës (në fakt, këta janë më së shumti edhe komentuesit dhe mbështetësit e tij virtualë), i cili u bë shkak që t’i hedh këto radhë. Ai kish patur një rast korrupsioni që e kish hequr mbi shpinë në doganën e Muriqanit.

Qytetari kosovar me banim në Zvicër, ishte me emër e mbiemër, por unë po e jap këtu vetëm me iniciale pasi nuk më intereson personazhi, por fenomeni. Atë që ai kish komentuar te statusi i Facebook-ut të kryeministrit Berisha, po e sjell të plotë e pa ndryshime, sigurisht, duke e përshtatur në gjuhën letrare për respekt të lexuesve.

“Përshëndetje zoti President i parë i Shqipërisë demokratike. Sot pata një rast shokues nga një polic- doganier shqiptar në kufirin shqiptaro- malazez tek vendi Muriqan, ora ishte 14:30, data 29.08.13, i cili dukej i moshës rreth 50 vjeç. Pasi na kërkoi pasaportat, unë shtetësi zvicerane, kurse bashkëshortja ime kosovare, ajo ngiste makinën dhe ai pasi ju kërcënua se do ta dërgojë në Shkodër për të bërë gjoja sigurimin e automjetit, “thoshte ashtu si në KS”, ajo u habit dhe i ofroi kartonin e gjelbërt, por ai nuk deshi ta shikonte, bile dhe insistonte dhe ia doli t’i kërkonte pará direkt duke i thënë: “fut aty diçka për kafé dhe ec.” Ajo u detyrua, për të mos e mbajë vjerr- i ofroi 10 euro dhe ai ja ktheu dokumentat dhe ne vazhduam për në CH. Thashë, eu Shqipëri e mjera Shqipëri që të bëri Rama pluhur e hi dhe filloi prapë me hajni. Të lutem, përsërite këtë shkrim që ta shohi opinioni i mbarë botëror, se ç’na gjeti neve shqiptarve tani si në kohën e komunizmit. Me nderime, V.F. nga Pr- me banim në Zvicër.”

Vërehen tri momente interesante në shqetësimin e këtij qytetari.

Së pari, ka të bëjë me atë që në shërbimin tonë doganor, edhe kur bëhet fjalë për bashkëkombasit tanë, nuk lihet rast pa shfrytëzuar për t’i “grabitur” ndonjë kartëmonedhë euroshe. Ky lloj korrupsioni, në dukje i vogël, krijon perceptim të keq tek vizitorët, të cilët, nga shfaqje të tilla të ulta, mund të mos rikthehen më në rasti më të mirë, ose të bëhen edhe lajmëtarë tek bashkëqytetarët e tyre të këtij fenomi në rastin më të keq. Kësisoj, veç humbjes së vizitorëve/turistëve, krijojmë edhe portret negativ si shtet.

Së dyti, personazhi në fjalë nuk ka ditur se ku të përplaset dhe, midis një vonese të zgjatur apo zgjidhje të shpejtë, ka preferuar këtë të dytën. Pavarësisht se ai ka qenë në rregull me letrat e veta, mosnjohja apo mosbesimi tek autoritetet, e ka bërë të zgjedhë ryshfetin e kërkuar, sesa sorrollatjen e ofruar. Në një shtet të vërtetë ligjor, kjo rrugë e shkurtër që ndoqën do i kish nxjerrë gjatë të dyja palët pasi korrupsioni aktiv dhe pasiv dënohen njësoj.

Së treti, ka të bëjë me adresimin e gabuar që qytetari bën. Unë nuk e di sa është ai në dijeni të zhvillimeve të brendshme politike në Shqipëri. Gjithsesi, kuptohet që ai e di që Berisha i ka humbur zgjedhjet dhe Rama i ka fituar, por nga ajo që shkruan, ai beson se kjo ka ndodhur edhe përsa i përket marrjes së përgjegjësive ekzekutive. Po ta vini re mes rreshtash, ai i adresohet Ramës si fajtor për këtë korrupsion në doganën e Muriqanit!!! Dhe, për këtë, i ankohet Berishës në Facebook. Për të, Shqipërinë e ka zënë, citoj: “hajnia”, pra, vjedhja, sapo qeverinë e mori Rama!!!

Është e kuptueshme që ky banor i Zvicrës është një idhtar i flaktë i Sali Berishës, aq sa nuk do që ta besojë se ai akt korrupsioni i ndodhi në pushtetin ende të Berishës dhe të sistemit korruptiv që po ai e nxiti dhe e ngriti. Pra, është ai besim i verbër, kryesisht ndër kosovarë, se Berisha është Prijësi i Kombit, vetë Mbreti, ai i pagabueshmi, se ato që thotë e shkuan janë të vërteta, se asnjë ndodhi e shëmtuar s’mund të kryhet gjatë pushtetit të tij, etj. etj., të cilat, më pas, reflektohen në këto adresime të gabuara për kryeministrin (në pritje) Rama.

Do të jetë një proces i gjatë e i vështirë që qeveria “Rama” ta ndryshojë këtë mendim që kanë kosovarët (dhe jo vetëm), duke sjellë një model të ri të funksionimit të administratës shtetërore, përfshi edhe rastin në fjalë në shërbimin doganor. Në këto detyra vendosja e njerëzve duhet bërë në bazë të cilësive të larta morale, të aftësisë profesionale, të përgjegjësisë që ndjejnë për rolin që kanë, si dhe të jetë mirëpaguar me qëllim që të arrijnë edhe kënaqësinë materiale nga puna e tyre. Gjithashtu, duhen ngritur e forcuar strukturat kontrolluese të tilla që të ngjallin besim se po u përçove një ankesë apo padrejtësi që të bëhet, do vlerësohet maksimalisht dhe me seriozitet, deri në masa të ashpra ndaj ligjshkelësve dhe shpërdoruesve të detyrës publike.

Vetëm kështu do arrihet që edhe kur personazhi në fjalë të mund të rikthehet në vendin amë, të ndjenjë një frymë të re mikpritjeje e trajtimi qysh në kufi dhe aty të kuptojë se ka ardhur në një vend ndryshe (dhe të rilindur), nga ai që kish lënë dikur kur komentonte në Facebook-un e një të marri…


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>