Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se është duke ndjekur nga afër situatën e krijuar për shkak të reshjeve të shumta që po bien aktualisht në pjesën më të madhe të vendit.
Shbati i emergjencave po koordinon masat për të evituar ngjarje të rënda për jetën e qytetarëve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka urdhëruar mbledhjen e menjëhershme të shtabeve të emergjencës në të gjitha qarqet e vendit.
Drejtoria Operacionale në Ministrinë e Punëve të Brendshme po mban kontakte të vazhdueshme me të gjithë institucionet përgjegjëse dhe forcat operacionale për koordinimin e veprimeve në normalizimin e situatës.
Janë vënë në gadishmëri repartet e Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë në rrethet Tiranë, Shkodër, Fier, si dhe efektivët e repartit RENEA. Po vlerësohet rast pas rasti situata në vend, për të ndërhyrë dhe për të dhënë ndihmën e duhur ndaj personave dhe familjeve në rrezik.
Situata në të gjithë vendin paraqitet:
QARKU LEZHË
Në qarkun e Lezhës vazhdojnë reshjet por me intensitet të ulët.
Në Nënstacionin e Lezhës po punojnë 5 mjete zjarrfikëse, të cilat kanë ardhur nga Shkodra dhe Tirana në ndihmë të zjarrfikësve të Lezhës dhe po punojnë për largimin e ujrave. Në nënstacion niveli i ujrave është rreth 0,80 m.
Gjithashtu në Nënstacion po punojnë edhe punonjësit me mjete nga OST, të cilët po kontrollojnë paisjet e Nënstacionit për ti vënë në gadishmëri, pas largimit të ujit.
Në Nënstacion kanë shkuar edhe Prefekti i Lezhës dhe Shkodrës të cilët kanë mbledhur bashkërisht të dy komisionet e emergjencave të qarqeve me të gjithë punonjësit e administratësa dhe forca nga Ndërmarrjet Rajonale që funksionojnë në territoret e qarqeve.
Në Komunat Balldren, Blinisht, Shëngjin, aktualisht reshjet kanë intensitet të dobët, por vihen re prezencë e ujit në nivelet 30- 50 cm në një pjesë të mirë të zonave.
Në qytetin e Rëshenit për shkak të daljes së ujrave të lumit Fan, ka përmbytje në 5 banesa dhe 1 banesë në qytetin e Rubikut. Sipas informacioneve të tanishme reshjet kanë pushuar dhe ujrat e lumit po ulen. Kryetarët e komunave kanë mbledhur Komisionet e Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile, të cilët po analizojnë situatën e krijuar dhe po marrin masat për përballimin e gjendjes.
QARKU TIRANË
Në bashkinë e Tiranës ka probleme në disa zona të qytetit.
Njësia nr.1: Në rrugët “Ali Demi”, “Shemsi Haka”, te ura e Poligrafikut ka përmbytje për shkak të daljes së ujrave nga shtrati i Lanës.
Njësia nr.2: Rruga “Gramos Pashko” dhe zona e “Qytetit Studenti” kanë përmbytje dhe ujrat janë futur në disa banesa.
Njësia nr.3: Në “Kodrën e Priftit”, në “Rrugën e Kokonozve”, rruga “Bardhyl”, rruga “Qemal Stafa” ka probleme nga dalja e ujrave sipërfaqësore.
Njësia nr.4: Tek Bregu i Lumit, në Allias, për shkak të daljes nga shtrati të lumit të Tiranës ka përmbytje në disa banesa dhe në rrugët sekondare në mes pallateve.
Njësia nr.5: Në rrugën “Sami Frashëri”, rrugën “Komuna e Parisit” dhe rrugën “Medar Shtylla” ka dalje të ujrave sipërfaqësore për shkak të rrjedhjes nga kodra e Diellit.
Njësia nr.6: Ka përmbytje gjithë lagjia “Shaban Bardhoshi” sepse ujrat e kanalit kullues kanë dalë jashtë shtratit.
Njësia nr.9: Rruga “Don Bosko” ka përmbytje, pasi ka dalje ujrash nga mospërballimi i tyre prej kanaleve ekzistuese.
Qarqet Shkodër, Durrës, Elbasan, Korça, Fieri, Vlorë, dhe Gjirokastër nuk kanë problem me reshjet e shiut.
Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara nga rreshjet e shumta, që të evitojnë daljen nga banesat e tyre, apo udhëtimet në akset rrugore dhe për çdo rast rreziku të njoftojnë menjëherë në sallat operative të policisë, në numrin 129.