Nga Mero Baze
Kryeministri Edi Rama u përball sot me një grup studentësh dhe pedagogësh të Fakultetit Gjeologji-Miniera, të cilët janë të indinjuar nga lajmi se Fakulteti i tyre do të zhvendoset diku tjetër ende pa adresë, dhe godina e tyre historike do të bëhet një Pallat për Drejtësinë shqiptare. Për të gjithë ata që nuk e dinë, Fakulteti Gjeologji-Miniera është ndërtesa më e bukur e Tiranës. Ajo është e vendosur në fillim të kodrës së Liqenit Artificial dhe është ndërtuar në vitet ‘40. Arkitektura e saj dhe pozicioni luksoz në të cilën gjendet, e bëjnë natyrisht një ndërtesë të lakmuar nga institucionet më të pushtetshme në vend.
Nga pikëpamja formale, në Shqipëri është krijuar një traditë arrogance e shtetit lidhur me shpërndarjen e pasurive publike. Sa herë ndërrohen qeveritë, kryeministrat ndërrojnë godina ministrish, apo shumë pronave publike u ndryshojnë destinacionin. Fakulteti i Gjeologji-Minierave, i ka rezistuar pjesërisht këtyre sulmeve, për shkak të vlerësimit që ka pasur deri në vitin 1990 ai fakultet, si i vetmi fakultet në Shqipëri që përgatiste inxhinierë, që ua njihte diplomën Perëndimi. Falë punës së tyre, Shqipëria është një vend që ka pasuri minerale të shfrytëzueshme, që nga nafta e kromi, deri tek bakri, qymyri, fosfori dhe rezerva të limituara ari dhe argjendi. Nëse ka një Fakultet në Shqipëri, që ka një bilanc konkret shkencor dhe jo dokrra kopjaxhinjsh, është ai fakultet.
Për vite të tëra gjatë regjimit komunist, ai fakultet ishte i mirë investuar, pasi ishte një nga mekanzimat që mbante gjallë të vetmen ekonomi rentabël të komunizmit, që ishin pasuritë natyrore. Pas vitit 1990 gjenerata të tëra studentësh të atij fakulteti, u morën me një lehtësi të papërfytyrueshme nga Zyrat e Emigracionit, kryesisht të Kanadasë, dhe shumë prej tyre janë sot inxhinerë të zotë në perëndim. Ai është sot i vetmi fakultet, ku pedagogët e vjetër të tij, kryesisht të shkollave ruse dhe franceze, vazhdojnë të botojnë artikuj shkencorë jashtë Shqipërisë në revista shkencore me autoritet.
Por, për shkak të shkatërrimit të industrisë minerare në vend dhe asaj të naftës nga politika shqiptare, fakulteti është mënjanuar. I është hequr atributi i tij si një vatër shkencore, derisa është katandisur, sa shihet dhe lakmohet vetëm si godinë e bukur.
Ky është një bilanc i krimit që ka ndodhur prej vitit 1990 mbi atë çfarë ai fakultet përfaqëson në historinë e këtij vendi. Ai është një peshë e rëndë reale në historinë e arsimit të vërtetë shqiptar. Është nga ato fakultete, ku diploma të përballte ose me burgun, ose me suksesin.
Dhjetëra studentë dhe pedagogë të atij fakulteti kanë përfunduar burgjeve si sabotatorë, nën akuzat paranojake të komunizmit. Ndërsa ata që i kanë mbijetuar paranojave të atij regjimi, kanë kafshuar buzën dhe kanë vazhduar t’i japin Shqipërisë pasuritë minerale, duke siguruar mbijetesën e saj.
Sot ekonomia minerare në vend është shkatërruar dhe është në duart e banditëve. Kromi është në dorë të të fortëve të Bulqizës që kanë miq politikanë në Tiranë, ku inxhinierët nuk merren në punë as si pastrues. Dhe si përfundim pasuritë minerare varrosen bashkë me punëtorët e mjerrë që keqpërdoren aty, si mish për top.
Sistemi ka devalvuar të vetmen qendër shkencore të Shqipërisë, që ka studiuar pasuritë natyrore të këtij vendi dhe për disa dekada në të ardhmen. Dhe sot, duket sikur ai është i panevojshëm, meqë politika ka prodhuar një sistem kriminal të keqshfrytëzimit të pasurive kombëtare. Nisur nga ky mentalitet, tani ai nuk shihet më si fakultet, nuk shikohet më si histori e të vetmes shkencë të suksesshme shqiptare, por shihet si një godinë me harqe, që po të lyhet dhe të shtohet, del shumë e bukur për të mbuluar shëmtinë e drejtësisë shqiptare.
Ndoshta jam pak i pabesueshëm në këtë pikë, se jam një nga të diplomuarit e atij fakulteti. Por, për t’u bërë më i besueshëm, po them se unë nuk hyj tek inxhinierët e zotë që ka nxjerrë ai fakultet, pasi sistemi i ri i pas vitit ‘90, për të cilin luftova vetë, na bëri të gjithëve të padobishëm si inxhinierë. Por, në atë fakultet ka shkencëtarë të vërtetë, por nga ata më të vërtetët që mund të gjenden në Europë, që nga Rusia deri në Londër, sa i përket shkencave gjeologjike.
Aty ka mineralog, gjeolog, paleontolog dhe inxhinerë minierash të klasit europian, pa asnjë mëdyshje. Ai ishte dhe mbetet fakulteti më i papolitizuar në Shqipëri, i cili i rezistoi me pasoja edhe indoktrinimit komunist. Çdo pedagog i atij fakulteti deri në vitin 1990 ishte i shkolluar ose në Lindje, ose në Perëndim, dhe ishin enciklopedi të gjalla të shkencës së gjeologjisë.
Sot Shqipëria nuk ka asnjë perspektivë për t’u zhvilluar nëse nuk u kthehet vlerave të saj shkencore, që mund të prodhojnë një ekonomi kombëtare me vlera të mëdha. Koncesionet e dhëna në naftë dhe krom, janë një barbari ndaj pasurive tona kombëtare.
Nuk dua të shtoj këtu dhe lobistët e uljes së rentave minerare dhe keqpërdorimit historik të një pasurie që nuk rikthehet më, siç është keqshfrytëzimi i kromit. Por, dua të mbetem tek godina e Fakultetit Gjeologji-Miniera. Lehtësia me të cilën kryeministri Edi Rama ka firmosur një VKM për ta hequr andej, reflekton më së miri cektësinë e njohjes së asaj çfarë ka brenda atyre mureve dhe mahnitjen nga pamja piktoreske. Ai fakultet nuk është një ndërtesë, por një histori e gjallë e ekonomisë, falë së cilës ka mbijetuar Shqipëria. Nëse do të ngrihet një herë në këmbë ky vend, do të ngrihet kur t’u kthehet burimeve të veta natyrore dhe t’i heqë ato nga duart e banditëve dhe t’ia kalojë për menaxhim atyre që kanë dalë nga dyert e atij fakulteti.
Gjesti i kryeministrit rrezaton nga ana tjetër dhe një traditë arrogance të pushtetit në Shqipëri ndaj më të dobëtit. Duke i konsideruar ca pleq pa mbështetje(për shkencën e të cilëve nuk pyet më askush sa të jenë banditët dhe sekserët nëpër këmbë), ata nxirren pa i pyetur nga godina, nga historia e tyre, duke i lënduar dhjetëfish në fund të jetës së tyre si njerëz të padobishëm. Në të vërtetë, ata janë të vetmit njerëz të dobishëm në këtë vend. Të tjerët janë marrë me llafe si puna ime, ata kanë bërë vepra dhe i kanë dhënë Shqipërisë pasuritë natyrore që fsheh brenda saj.
Këtu zë fill koncepti i fasadës në qeverisje. Drejtësia shqiptare nuk rregullohet po mori një godinë të bukur, pasi ajo është e shëmtuar në rrënjët e saj dhe duhet të fillojë të zhbëhet nga rrënjët. Asaj nuk ia ndryshon dot imazhin bukuria e ndërtesës së Fakultetit Gjeologji-Miniera. Po ashtu, ai fakultet nuk duhet parë si ndërtesë, por si një institucion i vërtetë shkencor i këtij vendi, që është fyerje t’i llogarisësh si vlerën më të madhe që ka ndërtesën ku është vendosur.
Meqë Edi Rama i konsideron pronat e shtetit, si prona të pushtetit, njëlloj siç Sali Berisha konsideronte SHQUP-in, të cilin e mori ditën e fundit që iku nga zyra, le ta tregojë burrërinë me Sali Berishën. Le të bëjë një VKM dhe ta nxjerrë atë jashtë nga një godinë që ka uzurpuar në mënyrë korruptive dhe të padrejtë, duke qenë një pasuri kombëtare. Dhe, le ta bëjë SHQUP-in një Pallat të Drejtësisë. Është në vend më të mirë, më i plotë dhe më në qendër të Tiranës. Kështu dëshmon së paku se ka një sens të vendosë drejtësi duke bërë Pallat Drejtësie. Kurse kështu si po sillet me të vetmin fakultet shkencor që kemi në vend, ai po dëshmon se po sillet arrogant si Saliu, por jo kundër Saliut, por ndaj disa të dobtëve të tjerë.