Ndërsa Kunati po ecte nga Bashkia, për tek kafet e PD-së më këmbë, një erë e rëndë i shpoi hundët duke kaluar para ish- ndërtesës së hotel Drinit, ku janë zyrat e AMA-s. I shqetësuar se ç’mund të kishte ndodhur, Kunati u kthye nga rruga të shikonte gjendjen. Aq më tepër që Endira do kthehej prapë në punë sot.
Sa më shumë ngjiste katet, aq më shumë shtohej era. Në katin ku ishin zyrat pa pastruesen të dilte me gojë dhe hundë të mbyllura.
-Çka ndodhur, – i tha Kunati?
-Është kthyer Endira, – i tha pastruesja.
-Po nga vjen kjo erë, se ndihej deri jashtë, – i tha Kunati?
-Nga zyra e saj, – i tha pastruesja. Kur iku, hoqi bolierin e dushit, lavamanin, biden, gjithë pajisjet e banjës. Mori dhe skrivaninë e çfarë kishte. I kam bërë me kontributet e mia tha, do t’i marrë. Nuk i thamë gjë. I mori. Pastaj kyçi dhe zyrën dhe nuk na e la çelësin. Tani banja është pa simfon, pa bide, pa lavaman. Gjithë erërat e godinës janë mbledhur aty. Sot që ajo u kthye, hapi zyrën e u qelb dynjaja.
-Mos, po ajo ku është, – tha Kunati?
-Ajo po rri në zyrë, – tha pastruesja. Tha që “nuk dal më këtej e gjallë”. Dhe kemi frikë se nuk del vërtetë, se është erë e rëndë shumë!
-Po zyrat e tjera si janë, – tha Kunati?
-Po në rregull duken, nuk vijnë erë, se kanë qenë të hapura.
-Mirë, po provoj ta nxjerr unë, – tha Kunati.
Mbylli hundët fort dhe trokiti në zyrë.
-Hape, jam Kunati!
Endira i hapi derën. Çuditërisht nuk i mbante hundët e zëna.
-Dil pak jashtë të bisedojmë, – i tha Kunati.
-Jo, se më zënë zyrën, – tha Endira.
-Me këtë erë që ka kjo, nuk e zë njeri për pesë vjet, po eja, – i tha Kunati.
Endira u bind dhe doli në korridor.
Vazhdonte të binte erë.
-Eja ikim tek kafja, – tha Kunati, se është më mirë.
Edhe tek kafja era vazhdonte.
-Desha të të uroj për fitoren e gjyqit, – i tha Kunati, por na ke vënë në siklet me këtë punën që ke marrë lavamanin, biden dhe WC-në kur ke ikur.
-E kam bë kastile, – tha Endira, që mos të rrijë askush në zyrë. Ti e pe çfarë ere që ishte.
-Të them të drejtën, vjen akoma erë, i tha Kunati. Edhe pse dolëm nga zyra, vazhdoj ta ndjej.
-Epo është era ime, – tha Endira. Kam një javë që kam hedhur aromë të tillë, të mësohesha kur të vija, se ma premtuan se do ta fitoja gjyqin. Tani vetëm unë mund të rri tek AMA. Le të zgjedh kë të dojë Edi Rama në atë zyrë, veç meje s’qëndron dot njeri.
-Mos e hap këtë fjalë, – i tha Kunati, se ndërrojnë zyrat. Më mirë t’ua bëjmë kurth. Pastaj le të thonë zyra e Endyrës, Yndyrës, Endirës… si të duan.