Nga Mero Baze
Meqë shumë njerëz në këtë vend për një kohë të gjatë i kam parë si avokatë të vrasjeve, ndërsa prej dje po i shoh se nuk qenkan nekrofilë, por dhe ata i dënojnë vrasjet, po jap dhe unë gjykimin tim se si duhet të sillej Edi Rama pas vrasjes së katër personave nga Konstandin Xhuvani, i cili ishte dhe djalë deputeteje.
Në momentin e parë që mori vesh lajmin, duhet të ndërpriste aktivitetet dhe të dilte në konferencë për shtyp. Të merrte një pamje të tronditur si aktor, të lexonte emrat e katër viktimave dhe kur të vinte tek Konstandini, të ndalte pak, të merrte një gotë ujë dhe ta lexonte Kostaq Xhuvani.
Pastaj t’i thoshte Gregut, lidhu pak me atë Konstandinin çfarë ka bërë dhe Gregu të fliste 35 minuta në telefon me Konstandin. Gjatë bisedës të garantonte Konstandinin të dorëzohej, se babi do ta mbronte deri në fund, me kusht që Konstandini të mos tregonte që gjithçka bënte ai, ishte biznes i babit të Gregut.
Pas kësaj, të dilte në një konferencë për shtyp rreth orës 13:00 dhe të deklaronte se Konstandinin se kishte dëgjuar kurrë si emër dhe djali i tij s’ka folur kurrë në telefon me të.
Pasdite Rama duhet të thërriste bodigardin e tij të besuar, t’i jepte 40 mijë euro me vete dhe ta niste tek shtëpia e prokurorit që i është vrarë djali, dhe të thoshte që vrasjen e kemi nga opozita, jo nga një njeri i qeverisë. Nëse ai bënte rezistencë, të kërcënohej se do hidhej në gjyq për shpifje dhe do t’i merrej dhe shtëpia.
Deri në mbrëmje duhet t’i përmbahej skenarit, që vrasja ishte një kurth i opozitës, të cilët kanë dash të vrasin Konstandinin se ishte socialist. Aq më tepër që një nga viktimat ishte nga Tropoja dhe një tjetër ish- ushtarak në Afganistan, në kohën e Ben Imamit.
Në mesnatë, kur të dilnin ca pamje celulari nga një klient i rregullt i klubit, atëhere duhet të kalonte tek plani B, që vrasja ishte një puç i organizuar nga Adriatik Llalla si horr bulevardi, nga Bujar Nishani si horr Kombinati dhe Lulzim Basha, si horr Holande.
Në mesditë, kur Adriatik Llalla të nxirrte urdhër arresti për Konstandinin si vrasës, Rama nuk duhet ta dorëzonte dhe duhet të urdhëronte Artan Didin t’ia kthente mbrapsht urdhërin Llallës, duke i thënë se ka gabime ortografike. Në mbrëmje ai duhet të mblidhte grupin parlamentar dhe duhet të mbante një fjalim, i cili duhet të përfshinte prognozën e një grushti shteti të opozitës kundër tij, grusht shteti i cili synonte që me gjakun e katër të vrarëve, të instrumentalizohej populli dhe të kishin si qëllim të vrisnin kryeministrin (d.m.th mua, duhet të thoshte Rama) dhe të diskretitonin krahun e tij të djathtë, Luizën.
Po atë ditë Rama duhet të shpallte puçistë katër gazetarë që mbronin idenë se viktimat u vranë nga Konstandini dhe duhet t’u kërkonte atyre tabulatet se me kë kishin folur javën e fundit.
Pas gjithë kësaj, të ngrinte një komision parlamentar për hetimin e grushtit të shtetit dhe të vendoste kryetar të tij Armando Prengën dhe zëvendës Pjerin Ndreun, të cilët duhet të drejtonin punën për hetimin deri në qelizë të grushtit të shtetit.
Pas kësaj duhet t’ia bënte të qartë Bashkimit Evropian, se kushdo që ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë, do marrë përgjigjen e merituar.
Por, mbi të gjitha, një qëndrim i tillë i Edi Ramës do t’i mbyllte gojën Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, pasi do ishte një kopjim pikë më pikë i asaj që ata kanë bërë kur kanë vrarë dhe kanë vjedhur në pushtet. Do qetësonte Shkëzenin, që në vend që të llogarisë që po rriten fëmijët e atyre që ka vrarë, llogarit sa para i kanë mbetur pa marrë nga gjobat që vinte në kohë të babait. Kështu Shqipëria do ishte dhe më e qetë dhe nuk do vazhdonte të jetonte, duke përtypur skenat e një krimi të shëmtuar, të një vrasësi patologjik të droguar, të cilin duam ta mbajmë para sysh, ngaqë nuk ka çfarë të na tregojë për veten Sali Berisha.