Në paketën fiskale të vitit 2015, Ministria e Financave planifikon të bëjë disa ndryshime, efekti i të cilave në buxhet llogaritet rreth 10 miliardë lekë.
Pjesën dominuese në rritjen e të ardhurave do ta mbajë rritja e nivelit të akcizës për cigaret (20 lekë për paketë deri më 31 dhjetor 2015), duhanin me të dredhur (me 1400 lekë/kg deri në fund të vitit 2015), miratuar tashmë në Kuvend, ndërsa pritet rritje edhe për taksën e pijeve alkoolike dhe birrën.
Efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit nga rritja e akcizës së cigareve, për vitin 2015, do të jetë rreth 3.4 miliardë lekë dhe 600 milionë lekë nga TVSH-ja.
Ndërsa efekti në të ardhura për rritjen e taksës për duhanin me të dredhur është 200 milionë lekë për vitin e ardhshëm. Për vitin 2015 është parashikuar të ndryshojnë edhe disa zëra të Tatimit mbi të Ardhurat Personale (TAP).
Sipas draftit të përgatitur nga Ministria e Financave, të ardhurat e qytetarëve, veç pagave, do të taksohen me 15%. Po ashtu, me 15% do të taksohen edhe depozitat, dhuratat, të ardhurat nga lojërat e fatit dhe qiratë. Gjithashtu, pritet të vendoset 2% taksë për të ardhurat e kompanisë koncesionare të autostradës Durrës-Kukës. Po ashtu, do të vendosjet TVSH mbi ndërtesat e reja, përfshirë vlerën e tokës.
Një nga taksat nacionale që do të rritet është ajo e qarkullimit që mbahet në çmimin e karburantit. Aktualisht kjo taksë është 17 lekë për litër, por pritet që vitin e ardhshëm të jetë 27 lekë, pa përfshirë këtu TVSH-në (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar), qe e rrit edhe me 5.4 lekë.
Pra, rritja mund të jetë 120 lekë për litër. Ndërkohë, përjashtohet nga TVSH-ja sigurimi i automjeteve. Ministria e Financave parashikon uljen e taksave për sektorin e peshkimit, bujqësisë dhe fasonit dhe uljen e tarifave doganore për disa artikuj ushqimorë./gj.k