Sot në mëngjes isha pak nervoz. Hapa tv dhe në lajme ishte vetëm Piktori. Ka 24 orë që na çmendi me një konferencë për urbanistikën dhe ekonominë.
Konferenca është një turp i vërtetë. Po dëgjoja idetë e tyre mbi urbanistikën. Skandaloze. Duan të kthejnë 20 përqindëshin. Thirra Bashkimin ta pyes kush janë këta arkitektë.
-Janë ata që më kanë bërë projektin mua, tha, tek Liqeni.
-Të anulohet urgjent, i thashë.
-Jo, pjesën time e ka miratuar Luli, tha, po më ka shtuar dhe ca kate. Pjesën tjetër e kemi anuluar.
-Si ka mundësi, i thashë, po këta janë urbanistët e 20 përqindëshit.
-Nuk e di, më tha, sa do na e çojë përqindjen Luli, s’di c’të them.
E pyeta si po shkon me ndërtimin e parkingut nëntokësor.
Më tha diçka shumë interesante.
-Dëgjo Doktor, më tha. Kemi gabuar me idenë e parkimit nëntokësor. Nuk funksionon. Kërkohen shumë para për të hapur underground dhe shpenzime të tjera mirëmbajtje. Kam bërë një zbulim të ri, është fantastik.
-Çfarë ke bërë, e pyeta?
-E kam rrethuar “Sheshin Italia” të gjithë tha, tek stadiumi “Qemal Stafa” kam vendosur dy roje, njëri nga sipër dhe njëri nga poshtë dhe u marr gjithë makinave që hyjnë 1 mijë lek ora. Është ide fantastike. As ka shpenzime, asgjë. Thjesht paguaj dy roje.
Po e mendoja dhe vet dhe ishte ide shumë e mirë. Një nga sheshet më të bukur të Tiranës rrinte kot dhe nuk prodhonte para. Ideja e këtij biznesmeni e ka bërë shumë të leverdishëm. Ai fiton me qindra mijë lek në ditë me një investim modest me llamarine dhe dy roje tropojanë. Një ide e zgjuar dhe origjinale.
Pastaj e pyeta për Piramidën.
-Si të duket ideja e këtyre që nuk duan ta prishin piramidën?
-Mos ki merak, tha, e ka prishur Gimi. Kur filloi punimet ta bënte teatër, ka dëmtuar dy kolona kryesore dhe ajo rrezikon të bjerë. Duhet prishur patjetër.
U gëzova shumë. Gimi, kunati im, bëri një krushqi me Fahriun dhe një biznesmen ta kthente Piramidën në teatër. I dhamë nja 6 milion euro. Ai në fakt filloi ti hiqte pllakat e mermerit gjithandej. Hoqi dhe ca mermer që ishte brenda. Pastaj një ditë erdhi në shtëpi dhe më tha: Sali, kot më lodhni me atë Piramidën, a se prishni fare.
-Po unë thashë ta bëjmë teatër, i thashë unë?
-Nuk bën, tha, dëgjomëni mua, prisheni fare dhe mua mos mi harxhoni kot këto lekët, se më duhen për një pallat.
Ashtu e bëmë. I thashë t’i ruajë lekët dhe urdhërova të prishet Piramida. Ata të Top Channel-it nuk pranuan të dalin, por ne vendosëm të bënim parlamentin. Bëmë dhe tenderin. Ja dhamë Grosrukut, se na solli një djalë të mirë. E paguam gjysmë milion euro. Ai na bëri një projekt të bukur, që kushtonte 110 milion euro. U mendova dhe për atë. Nuk kishim lekë. E lamë dhe atë. Më tha Ridvani “duhet t’u paguajmë një gjobë”. Ua paguajmë, i thashë.
Tani na mbeti Piramida pa prishur. Pushteti po ndërrohet. Këto ditë nuk arrijmë ta prishim dot. Nuk di ç’të them, por e sigurt është që Edi Rama kërkon të marrë njëzet përqindëshin nga ndërtuesi i Piramidës. Këta që vijnë janë hajdutë. Ne dhamë 6 milion euro dhe nuk morëm një lek, dhe as Piramidën nuk e prekëm me dorë. Këta duan ta prekin dhe ta ndërtojnë vërtet. Nuk do t’i lejojmë kurrë. Përpara!