Pas dëshmisë së dhënë nga një person në NEËS 24, i cili pretendon se ka dijeni për autorët e vrasjes së bankierit Artan santo, Partia Demokratike dhe Ministria e Brendshme i janë kthyer debatit në distancë.
Deputeti demokrat Arben Ristani përmes një deklarate për mediat thekson se dëshmia tronditëse është një akuzë e rëndë për Policinë e Shtetit, dhe forcon dyshimet se pas ekzekutimit mizor të financierit dhe botuesit të njohur, qëndrojnë segmente të qeverisë.
“Qytetari denoncon publikisht se ka pasur prova dhe emra të vrasësve, dhe ia ka dhënë ato Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Por qytetari është shpërfillur nga policia pasi ndihma që ai ka dhënë për zbardhjen e ngjarjes nuk është marrë në konsideratë.
Informacionet që ka dhënë ai, janë hedhur në kosh. Qytetari i është përgjigjur thirrjes publike të autoriteteve, për të dhënë informacion, por ai është përballur me heshtjen dhe indiferencën e policisë. Shpërfillja, lënia në rrugë e dëshmitarit, për raste të rënda kriminale, ku qeveria ka interesa, është kthyer tashmë në fenomen.
Mjaft të kujtojmë këtu dëshmitarin e rastit Sinani, apo dëshmitarin për cështjen Frroku, për të kuptuar se besimi i publikut tek Policia ka rënë, dhe me këtë qeveri, ka rënë vlera e bashkëpunimit të qytetarëve për zbardhjen e vrasjeve mafioze”, theksoi Ristani.
Ndërkohë deputeti i PD i konsideron të turpshme reagimin e sotëm të krerëve të Policisë së Shtetit, dhe si një presion i hapur ndaj medias që publikoi dëshminë, dhe një përpjekje tjetër e stilit të sigurimit të shtetit për të mbuluar të vërtetën.
Reagimi i Ministrisë së Brendshme
Por Ministria e Brendshme në një deklaratë për mediat hedh poshtë me neveri akuzat tërësisht politike të Partisë Demokratike, sipas të cilave Policia e Shtetit ka shpërfillur një dëshmitar të vrasjes së shtetasit Artan Santo, pas publikimit në TV News24.
“Policia e Shtetit ka konsideruar maksimalisht çdo informacion të ardhur në adresë të saj dhe që ka pasur të dhëna të nevojshme për zbardhjen e ngjarjeve kriminale si dhe zbulimin e autorëve të tyre.
Edhe në rastin e hetimeve për zbardhjen e vrasjes së Artan Santos, policia ka administruar me seriozitetin e duhur çdo informacion që është dhënë nga qytetarë të ndryshëm, duke verifikuar çdo të dhënë, edhe kur janë paraqitur nga persona anonim.
Në të njëjtën kohë Ministria e Punëve të Brendshme shpreh keqardhje për mungesën e profesionalizmit të treguar nga ana e televizionit “Neës 24”, i cili është përpjekur të hedhë baltë mbi punën e policisë duke ngritur hije dyshimi pa asnjë bazë faktike, por vetëm duke u nisur nga hamendësime dhe deklarime anonime.
Hapja e ekranit të TV për çdo njeri që pretendon se di rrethana dhe publikimi i tyre pa asnjë verifikim dhe filtër etik, profesional dhe institucional, cënon procesin hetimor.
Pa dashur të insinuojmë se është pikërisht ky qëllimi i“Neës24” lidhur me vrasjen e z. Santo, Ministria e Punëve të Brendshme bën thirrje për profesionalizëm dhe etikë, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbështetjen e luftës kundër krimit të organizuar.
Ministria e Punëve të Brendshme garanton opinionin publik se do të vazhdojë të inkurajojë të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm të kontribuojnë për sigurinë e përbashkët duke dhënë çdo informacion të nevojshëm për parandalimin e apo zbardhjen e ngjarjeve kriminale, duke i siguruar në të njëjtën kohë për seriozitetin e trajtimit të këtyre informacioneve”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.