Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Si “mbyllen letrat” e dëmeve në Shqipëri

$
0
0

meroNga Mero Baze

 

Ka një irritim me një lajm rutinë që raporton rakordimin në buxhetin e shtetit të shumës prej 7.1 milionë dollarë, vjedhur në Bankën e Shqipërisë. Lajmi, siç raportohet nga media, duket sikur amniston hajdutët dhe ngarkon qytetarët me 7.1 milionë dollarë. Në të vërtetë rakordimi i parave të hedhura në qarkullim, qoftë dhe përmes grabitjes së Bankës, duhet të rakordojnë si para të humbura dhe i ngarkohen buxhetit të shtetit. Por kjo nuk ka lidhje nga ana tjetër se si do të zëvendësohen këto para.

Debati, edhe pse është një lloj alarmi fallco, rikthen në Shqipëri debatin mbi mungesën e përgjegjësisë të atyre që shkaktojnë dëme financiare në buxhetin e shtetit. Çdo vit, sipas Kontrollit të Shtetit, zyrtarë të papërgjegjshëm të këtij vendi i shkaktojnë me idiotësitë e tyre, por dhe lakminë për të vjedhur, gati gjysmë miliard dollarë dëme buxhetit. Propozimet për dënime administrative dhe penale janë masa normale, por problemi është se humbjet nuk riparohen kurrë dhe justifikohen me veprime administrative. Akoma më të rënda janë rastet kur nga veprime arbitrare të qeverisë, nga VKM apo ide diletante të politikanëve që diktojnë mbi buxhetin, harxhohen miliona euro kot dhe pastaj askush nuk jep llogari. Mjafton të analizojmë rastin më flagrant, atë të Piramidës në qendër të Tiranës. Qeveria e Berishës dha fillimisht një fond rreth 6 milionë euro për ta kthyer në Teatër Kombëtar. Filluan punimet dhe ropën vetëm Piramidën duke e shkatërruar dhe shëmtuar atë dhe duke e kthyer gjysmën e saj në karabina. Pastaj një ditë u zhvillua një konkurs për ndërtimin e një parlamenti të ri tek zyrat e sotme të Kuvendit dhe u paguan 400 mijë euro për projektin një kompanie zvicerane. Dhe kjo ishte fluskë sapuni. Si për t’i bashkuar të dy dështimet në një ditë, Jozefina pa në ëndërr një projekt tjetër të bukur zviceran për një parlament, e ekspozoi atë në Kuvend dhe shpalli ndërtimin e parlamentit të ri tek Piramida me rastin e 100- vjetorit të shtetit shqiptar. E gjithë kjo pezulloi punimet për Teatrin prej 6 milionësh shkatërroi Piramidën, dhe harxhoi nja 7- 8 milionë euro kot vetëm për të prishur. Kjo është e njëjtë si puna e vjedhjes së Bankës. Buxheti i shtetit i raporton ato si humbje, por problemi është se askujt nuk i hyn gjemb në këmb. Të tjerë politikanë apo biznesmenë përfshihen në mashtrime si kjo e TVSH apo në shpërdorime detyre me vlerë deri 200 milionë euro siç ishte rasti i Lulzim Bashës tek Rruga e Kombit dhe drejtësia nuk merret me mbushjen e gropës që ata prodhojnë në buxhet.

Në rastin konkret, por dhe në raste të tjera, dënimet penale, që nga Guvernatori e deri tek roja i bankës, duhet të shoqërohen doemos me sekuestrime pasurish, në raport me fajin që ata kanë për këto humbje të shkaktuara shtetit shqiptar. Shpërdorimi i detyrës nuk është vetëm një ndëshkim penal, por dhe një proces që duhet të rikuperojë maksimalisht dëmin.

Është kjo arsyeja që njerëzit kanë të drejtë kur irritohen nga një lajm i thjeshtëzuar dhe i keqparaqitur nga ana teknike sikur qeveria u ka kaluar qytetarëve lekët e vjedhura. Qytetarëve u kalojnë gjithmonë lekët e vjedhura nga çdokush në buxhetin e shtetit. Qytetarëve u kalojnë për t’i paguar marrëzitë që ka bërë Berisha, mitingjet e tij me paratë e shtetit, reklamat e Sandrit me firmën e Imamit, por askush nuk po ua sekuestron pasuritë e vëna me këto lekë. Ky është thelbi që irriton qytetarët dhe jo procedura e mbylljes së letrave nga buxheti i shtetit si një veprim rutinor që nuk ka lidhje me përgjëgjësinë penale për këtë çështje.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>