Televizoni online i gazetës Tema ka pasur sot mijëra shikues sidomos nga jashtë Shqipërisë, të cilët na kanë falenderuar për mundësimin e ndjekjes së vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri.
Për 11 orë rresht TemaTv pasyroi me detaje , pamje dhe kronika vizitën e Papa Françeskut në Tiranë.
Detaji i parë i siguruar nga Tema Tv ishte mesazhi audio i shkëmbyer në ajër, ende pa u ulur avioni i Atit Të Shenjtë në tokën shqiptare, mes Kryminsitrit Edi Rama dhe Papa Françeskut.
“E mbajta premtimin”, kanë qenë fjalët e para të Atit të Shenjtë dhe premtimin për pasqyrimin hap pas hapi të kësaj ngjarje të madhe për popullin shqiptar ka mbajtur edhe TemaTv për gjithë shikuesit e saj.
Në një sfidë për të qenë 100 përqind në transmetim përmes internetit TemaTv është ndjekur nga mijëra shqiptarë, veçanërisht jashtë kufijve, atje ku i vetmi akses me Shqipërinë është interneti. Shikues të shumtë nga Kanadaja, Amerika, Australia, Europa e kudo ku ka shqiptarë kanë ndjekur për 11 orë live hap pas hapi vizitën e Papës në TemaTv.
Një moment kyç gjatë mbulimit të bërë nga TemaTv ishte edhe konferenca për shtyp e Drejtorit të Zyrës së Shtypit të Vatikanit, At Lombardi, i cili u pyet nga TemaTv nëse Vatikani do të njohë apo jo Kosovën. Në Tiranë mijëra shqiptarë të Kosovës kanë ndjekur Meshën e madhe.
Për mikrofonin e TemaTv folën familjarë të martirëve klerikë, fotografitë e të cilëve në Bulevard emocionuan Papa Françeskun. Për mikrofoin e TemaTv folën gjithashtu besimtarë myslimanë e bektashinj të cilët ishin të pranishëm në Bulevardin Dëshmorët e Kombit për të ndjekur vizitën historike.
TemaTv pasqyroi nëpërmjet kronikave të posacme edhe përshtypjet e shumë shtetasve të huaj, të ardhur në Tiranë enkas për vizitën e Papa Françeskut. Ata vinin nga shtete si SHBA, Kanadaja, Italia, Kroacia, Mali i Zi etj. TemaTv në këtë ditë risolli një përmbledhje intersante të historisë së klerikëve shqiptarë përgjatë viteve të vështira e atyre të lavdishme, të cilat pasuruan vizitën e Papës në Tiranë.