Një mrekulli të rrallë e cilësoi kryeministri Edi Rama vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij në një ekspozitë kushtuar besimit, të çelur në vigjilje të vizitës së shumëpritur të Papës, Rama theksoi se shqiptarët myslimanë e të krishterë besojnë tek e ardhmja evropiane dhe duhen respektuar për paqen që kanë dhënë në rajon.
“Ardhja në Shqipëri e një lideri shpirtëror dhe pritja e tij me padurim nga të krishterët shqiptarë është një mrekulli e rrallë për botën e trazuar.
Sot ka rëndësi një fakt, sa kuptimplotë aq edhe imponues për këdo nga ne që sheh se bota sot bëhet gjithnjë më e vogël dhe ajo që deri dje dukej se ndodhte prapa diellit, sot ndodh te shtëpia jote.
Mes shqiptarëve nuk ka sherr e as ndasi fetare. Shqiptarët janë myslimanë dhe të krishterë.
Shqipëria nuk është një vend mysliman, por një vend evropian me myslimanë e të krishterë”, u shpreh Rama.
Më tej ai theksoi se Shqipëria është shembull i bashkëjetesës fetare dhe përsëriti se Evropa ka nevojë për vendin tonë po aq sa ka edhe ai për Evropën.
“Shihja sot faqen e parë të një përditshme majtas Papa Françesku dhe djathtas kreu i Komunitetit Mysliman.
Një foto sa një milionë fjalë.
Jetojmë në kohë të vështira.
Papa Françesku thotë se ka filluar Lufta e Tretë Botërore. Lufta, që ka filluar në Irak dhe Siri, është një luftë e ngjashme me një epidemi vrastare, përhapja e të cilës nuk sheh kufij.
Papa Gjon Pali i II zbriti në Shqipëri kur kishte mbaruar Lufta e Ftohtë.
Ka kaluar shumë kohë, por jo dhe aq sa për të mos reflektuar për pse-në e ardhjes së një tjetër Pape.
Shqiptarët myslimanë e të krishterë kanë kurorëzuar një proces historik paqeje.
Ati i shenjë vjen t’i flasë mbarë Evropës për nevojën e bashkimit.
Sot Evropa ka nevojë për Ballkanin po aq sa ka nevojë Ballkani për Evropën.
Sot shqiptarët i duhen Evropës sa i duhet Evropa shqiptarëve,” u shpreh Rama.
Kryeministri Rama theksoi se ekspozita synon t’i tregojë shqiptarët ashtu siç janë në të vërtetë dhe se për cilat vlera ata duhen respektuar.
“Shqiptarët duhet të respektohen për atë gjak të derdhur, duke i dhënë krishterimit 40 martirë.
Ekspozita “Besim” nuk synon t’i tregojë shqiptarët siç nuk janë. S’ka qenë qëllimi për ta nxjerrë këtë popull më katolik se Papa”, u shpreh kryeministri.