Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Pastroni shpirtin shqiptar!

$
0
0

Blerina-Rogova-402x280Nga Blerina Rogova – Gaxha

 

Nuk ishte nata e 10 majit 1933 kur mijëra veta, studentë e profesorë, të lëvizjes nacionalsocialiste gjermane u mblodhën në Sheshin e Berlinit për të djegur më shumë se 20.000 libra e vepra artistike, me “arsyen” e “pastrimit të shpirtit gjerman!”. Nuk ishte as nata kur pastori amerikan deshi të digjte 200 kopje të Kuranit. Nuk ishte as koha e perandorit kinez që nisi shkatërrimin e librave më se 2200 vjet më parë.

As koha e djegies së librave “heretikë” nga inkuizitori spanjoll, as djegia e kodikëve të Majave dhe as djegia e mijëra librash në bibliotekat e mëdha të Kinës, të Polonisë, të Gjermanisë deri te ajo e Bosnjës. Nuk ishin as hebrenjtë, myslimanët e të krishterët, që në gjithë historinë dogjën librat e njëri-tjetrit. Nuk digjej as Bibla, as Kurani as Torahu, digjej një libër që fliste për një gjarpër.

Ishte vetëm një e marte e zakonshme në Skenderaj, ku burrat trima “zgërdhiheshin” para zjarrit që bënte shkrumb fletët e një libri. Për pak thanë, desh e nxorën edhe atë “sendin” e të pshurrin mbi të. Burrat që e quajnë veten “luftëtarë” të luftës për çlirim të atdheut, deshën “të pastrojnë shpirtin e luftës” të popullit të Kosovës. Thanë se autori, Veton Surroi, me këmbët e tij të gjarprit, i paska fyer e i paska quajtur kaçakë.

Një akt i pahijshëm? Pak më shumë se kaq. Një akt që nxjerr në pah një kompleks? Pak më shumë se kaq. Një akt heroik? “Heretiku” anglez John Milton do të thoshte një akt që vetëvret arsyen. Po mbi të gjitha, që një akt që tregon mendësinë dhe kulturën e atyre pak burrave që për një libër desh e nxorën edhe “haletin”.

Në emër të mbrojtjes së luftës, desh e “pshurrën” librin për të cilin ata besuan se ua “pshurri” luftën. Një krim akoma më i madh se djegia e librave, thonë se është mosleximi i tyre. Nëse libri ka në esencë një trajtim qoftë kritik, e qoftë ironik për një pjesë liderësh të UÇK-ës, akti i djegies është barbar dhe qyqar. Trimat e dinë këtë. Dhe luftëtarët që luftojnë për qëllime humane e morale, do të duhej ta dinin.

Ka diçka krejtësisht simbolike në “ritin” e djegies së librave, që shkon përtej censurimit të ideve e të besimeve të ndryshme. Një libër është më shumë se bojë e letër dhe ta djegësh, ka domethënien e shkatërrimit të tij më shumë e më keq se me çdo mjet tjetër.

Po shyqyr që trashëgimia e një lufte dhe e një paslufte, që zoti s’po e do që s’po e do të mbarojë, nuk ka mbetur as në faqet e një libri e as në fjalët e “mbrojtësve” të luftës. Pastrimi shpirtëror po afron, ngrini flamurin! Kundër dekadencës dhe uljes morale. Për një shtet të shëndoshë! Masa brohoriti para zjarrit në tokën e “trimave”, e edhe para bustit të Adem Jasharit. Kush e di çka do t’u kish thënë komandanti! Autori u pa armik i luftës, “Udbash”, “Bir shkine” e “Bir komunisti” u quajt. “Këmbët e gjarprit” ia dhuruan zjarrit.

“Çdo gjë jogjermane unë ia dhuroj zjarrit” kështu thërriste Herbert Gutjahr në Berlin e kështu thërrisnin në 30 qytete të tjera në Gjermani, derisa autorët, shkrimtarë, filozofë e shkencëtarë gjermanë e të huaj digjeshin “në ferr”. Thomas Mann, Erich Maria Remarque, apo Joachim Ringelnatz , Albert Einsteinit, Brecht, Engels, Freud, Gide, Hemingway, Kafka, Lenini, London, Marx, Schnitzler, Trocki, Zola, Zweig, e shumë legjenda të tjerë të letrave të botës. Shkrimtari Heinrich Heine, që po ashtu qe në mesin e autorëve librat e të cilëve u dogjën, më 1821, kishte shkruar se ” Aty ku digjen librat, ata do të djegin, në fund, edhe njerëzit”.

Larg nesh qoftë! Akti i qyqarëve që ua kanë tutën fjalëve të librave, ideve e ideologjisë brenda e jashtë tij, nuk është as i pari e as i fundit, as në vendin tonë. Ai ekziston derisa të ekzistojnë ata që janë kundër fjalës.

Djegia si akt shpërndan urrejtjen, ndërkaq librat nuk janë kurrë të vdekur. Dhe sërish, ka një krim akoma më të madh se djegia, mosleximi.

Në kohën e shpëlarjes së trurit me luftën për fenë e në kohën e luftës së maces e miut për pushtet, djegia e librit, mbase ishte vetëm një lojë e keqe fëmijësh, sa për qejf e sa për të prishur monotoninë e vjeshtës së hershme.

*ZERI


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>