Nën presidencën e Italisë, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Transportit të BE, mbajtur në Milano në datat 16- 17 shtator.
Gjatë punimeve të këshillit, ministri Haxhinasto në fjalen e tij vuri theksin në domosdoshmërinë politike, ekonomike dhe sociale të përfshirjes në radarin e investimeve të korridorit VIII në kuptimin e plotë të tij.
Ai e konsideroi atë si një kontributor thelbesor për integrimin e rajonit, për paqen dhe prosperitetin e tij.
Haxhinasto përmendi investimet dhe projektet e Shqipërisë në funksion të këtij korridori, lidhjen rrugore me Maqedonine, për rritjen e kapaciteteve të porteve shqiptare dhe intermodalitetin e Portit të Durresit, zhvillimit të hekurudhës përgjatë korridorit dhe sjelljen në standardet e duhura të gjithë korridorit të VIII.
Gjatë takimeve me kolegët e Gjermanisë dhe të Malit të Zi, ai diskutoi për mbështetjen e Korridorit Blu, që lidh vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili ishte nga projektet e rëndësishme të takimit të Berlinit pak javë më parë.
Pjesëmarrja e ministrit Haxhinasto në Këshillin e Ministrave të Transportit të BE shënon prezencën e parë të Shqipërisë në këtë këshill duke shënuar një hap të ri në integrimin e Shqipërisë në institucionet evropiane.