Ambra Meda, vajza 17- vjeçare, e cila para pak kohësh zgjoi ndërgjegjësimin qytetar për shkak të sëmundjes së saj të rrallë me të cilën u përball në një moshë fare të vogël, mundi të shërohej falë ndihmës së shumë njerëzve që dhuruan para për operacionin e saj të vështirë në Gjermani.
Sot ajo nuk i ka harruar emrat e atyre që dhuruan për të.
Njërit prej tyre, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i cili një vit më parë iu bashkua kauzës në ndihmë të Ambrës dhe rrogën e parë si ministër e dhuroi për operacionin e saj, Ambra i ka bërë një urim të veçantë në Instagram.
“Ndonëse me vonesë, por nuk mund të rrija pa uruar një çift të tillë. Pavarësisht se nuk njihemi personalisht, do doja që sot ministrin ta uroja si një mik, dhe jo pa arsye, pasi ai ishte ndër të parët që m’u gjenden pranë në momentet e mia të vështira. Ajola dhe Erion, ju uroj një jetë si në kornizat e kësaj fotoje, ku lumturia pasqyrohet kaq mrekullisht në sytë tuaj! Siç themi dhe ne shqiptarët me një çun, ishalla!”, i shkruan Ambra ministrit Veliaj në njërën nga fotot e dasmës të postuara në Instagram.