Ashtu si Aleksandër Frangaj, edhe Blendi Fevziu ka marrë në mbrojtje Ardian Fullanin.
Ai thotë se Fullani u arrestua nën presionin politik.
Sipas Fevziut, Fullani ka mbajtur një peshë të jashtëzakonshme, por kjo nuk u vlerësua nga politika.
“Guvernatori, për fatin e tij të keq ose ndoshta për fatin e modelit të një zyrtari të vjetër në atë detyrë, vendosi të mbante mbi kurriz një pjesë të përbaltjes, të sulmeve, të akuzave, që vijnë edhe për shkak të interesave të mirëfillta, të cilat do të zbardhen nga dita në ditë, për arsyen e thjeshtë se garantët e shtetit shqiptar, 4 apo pesë njerëzit më të rëndësishëm të Shqipërisë, i kërkuan të mos e fuste vendin në kolaps financiar.
Mbajti akuza, mbajti insinuata nga më të ndryshmet, presione për shkak të detyrës dhe kishte vendosur, mesa di unë, që do të merrte një vendim për t’u larguar nga Banka e Shqipërisë diku rreth mesit të muajit tetor, kur të mbushej koha e nevojshme. Të plotësoheshin vendet vakante si pasojë e ngjarjes dhe do të priste vazhdimin normal të hetimit. Refuzoi që të përgjigjej. Gjëja më dinjitoze që mund të kishte bërë ai njeri, pa pyetur ata garantë të shtetit, të dilte në një konferencë shtypi dhe t’u përgjigjej akuzave false, për t’i treguar opinionit publik se po manipulohej me akuza false, për shkak të interesit të disa individëve, që kishin probleme reale me bankat e Shqipërisë. Refuzoi ta bënte këtë gjë, duke marrë ditë për ditë një presion të tmerrshëm, personal, familjar, profesional.
Dhe në momentin që çështja po shkonte drejt prokurorisë, drejt një normaliteti në bankë apo stabiliteti normal, natyrisht që ai do të përballej me të gjitha akuzat apo përgjegjësitë e tij, nëse i ka pasur ose jo. Në këtë moment ndërhyn Prokuroria, arrestohet Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, edhe pse nuk i ishte marrë më parë një dëshmi. Vetëm dy prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës ishin pyetur. Arrestohet Guvernatori pa u thirrur për t’u pyetur, qoftë edhe për të marrë një opinion për të pesë akuzat që Prokuroria kishte ngritur”, thotë Fevziu për “Mapo”.
Më tej, duke iu përgjigjur pyetjes nëse po e mbron Fullanin si mik, Fevziu thotë se ka miq gjithë politikanët e Shqipërisë.
“Unë kam miq gjithë politikanët e Shqipërisë, miq të fëmijërisë apo njerëz të angazhuar në fusha të ndryshme. Kur vij dhe flas si gazetar, nuk flas si mik. Unë po flas sot si një njeri që i ka hyrë kësaj ngjarjeje, i motivuar edhe nga fakti që Fullanin e njoh. Pas 25 vitesh pas largimit të komunizmit, në vend që të ndëshkojmë fajin dhe fajtori të jetë përgjegjës, po krijojmë një sistem ku fajësinë e përcaktojnë turmat dhe turmave u hidhet një kokë turku, pa e çarë kokën se kush mund të jetë ai. Dhe kjo kokë turku nuk çon tek faji. Ka ndonjë njeri që mund të më japë një përgjigje se çfarë ka ndodhur me vjedhjen e ku kanë shkuar paratë? Sepse pista e shpërdorimit të detyrës po shkon spektakolare, ndërsa përgjegjësi për vjedhjen është harruar në burg dhe nuk është pyetur më. Vetëm në sistemet diktatoriale ndodhin këto, ku diktatori, për t’i dhënë ushqim njerëzve, u hedh një kokë turku. Në demokraci nuk ndodh kjo. Çështja është, çfarë do të ndodhë me Prokurorinë, nëse rezulton se ai është i pafajshëm dhe ka bërë një arrestim të tillë për të shkatërruar karrierën dhe jetën e këtij njeriu? Ka 40 vjet nëpunës i këtij shteti dhe arrestohet në mënyrë spektakolare pa u thirrur më përpara”, thotë ai.