Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Auditet, armë në duart e titullarëve

$
0
0

xhovaniNga Xhovani Shyti

 

Ajo çka ka konstatuar Fondi Monetar Ndërkombëtar(FMN), lidhur me  mënyrën e funksionimit të Auditit të Brendshëm të Bankës së Shqipërisë është një tregues i mekanizmit se si funksionojnë në përgjithësi drejtoritë e auditit të brendshëm të dikastereve dhe institucioneve tona zyrtare shtetërore.

Procedurat e auditimit, që përdor Banka e Shqipërisë, nuk janë plotësisht sipas standardeve më të mira ndërkombëtare, ka vërejtur, ndër të tjera, nëpërmjet një raporti FMN, duke konstatuar gjithashtu se strukturës qeverisëse të Bankës u mungon mbikëqyrja efektive e auditimit të brendshëm, raportimit financiar si dhe çështjeve të kontrollit.

Përballë këtyre problemeve, institucioni prestigjioz ndërkombëtar i rekomandonte BSH-së ngritjen e një këshilli të posaçëm, me përbërje persona jashtë rrethit ekzekutiv të Bankës, i cili duhet të mbikëqyrte Auditin e Brendshëm. Pra, pas njohjes me problematikat, FMN rekomandonte ngritjen e një strukture mbikqyrëse që të mos jetë në vartësinë e drejtuesve të BSH-së, dhe që, pikërisht për këtë arsye: të mosqënies në vartësinë e drejtuesve, do të bënte të mundur shkëputjen e procesit të auditimit të veprimtarisë nga influenca dhe kontrolli i drejtuesve më të lartë.

Rekomandimin e mësipërm FMN ia adresonte specifikisht auditit të BSH-së, por ai vlen për të gjithë strukturën administrative shtetërore, brenda institucioneve apo dikastereve të të cilës gjallojnë të tilla njësi auditimi të brendshëm me përbërje zyrtarë brendainstitucionalë e dikasterialë, të cilët janë nën vartësi të titullarëve dhe funksionojnë njësoj, ngjashmërisht sikurse homologia e tyre e BSH-së, nën hundën e të cilit del se, përgjatë katër viteve të fundit janë grabitur sistematikisht më shumë se shtatë milion dollarë. Si ka mundësi të ketë ndodhur kjo?

Në histori të mëtejshme del se rekomandimet e FMN nuk janë marrë fare parasysh, nga ana e kokës drejtuese të BSH-së dhe, për rrjedhojë, Auditi i Brendshëm i strukturës zyrtare, që ka nën mbiëqyrje gjithë sistemin bankar të vendit, ka vazhduar të funksionojë si nëpër gjithë institucionet dhe dikasteret e tjera zyrtare, pra si armë në duart e Fullanizmit dhe jo të ruajtjes së sistemit monetar. Gjë që e tregon edhe fakti se, sikurse në BSH njerëzit që vendosen për të drejtuar të tilla drejtori mbikëqyrëse në njëqind përqind të rasteve janë të afërt të titullarëve të institucioneve dhe ministrive.

Ata përzgjidhen prej këtyre të fundit duke mos respektuar procesin e konkurrimit, duke mos pasur një standard të përcaktuar me kërkesa strikte e të patolerueshme, çka dhe e shton më shumë riskun e të qenit besnik deri në tepri të titullarëve, por jo të veprimtarisë institucionale. Gjë që e tregon edhe mënyra e rëndomtë se si funksionon Auditi i Brendshëm, i cili, sikurse kanë treguar të dhënat më të fundit të prokurorisë që po heton megavjedhjen 7.3 milionë dollarësh të BSH-së, për tre vite rresht nuk kishte ushtruar auditim në njësinë në të cilën është konstatuar vjedhja.

Grupi i inspektoriatit auditues hidhet në veprim me urdhër të titullarit, kontrollon sipas urdhrit që ka marrë nga titullari, konstaton gjetjet, përgatit raportin paraprak që ka për detyrim t’ia dorëzojnë po titullarit, i cili vlerëson e vendos me kokën e vet çka duhet e çka nuk duhet të jetë prezente. Kjo është formula sipas të cilës rëndom e kryejnë veprimtarinë zyrtare njësitë e Auditit të Brendshëm, ekzistencën e të cilave  ekspertët juridikë dhe ata ligjorë e komentojnë si një atavizëm të pakuptimtë, për faktin se auditet funksionojnë si njësi paralele me objektin e punës që kryen Kontrolli i Lartë i Shtetit, por janë edhe shteg ligjor për t’u përdoren si armë nga titullarët, që i kanë ato nën hyqmin administrativ.

Një e drejtë kjo që ironikisht ia jep edhe ligji, sipas të cilit numri një i dikasterit, apo i institucionit, nga i cili ato varen, ka në dorë të japë firmën për të quajtur të vlefshme apo të pavlefshme gjithçka përmbahet në raportin e paraqitur nga drejtoria e Auditit të Brendshëm. Titullari ka në dorë të anulojë, të prapësojë, të çlirojë dhe të mbyllë me një të rënë të lapsit gjithçka ai gjykon se duhet tjetërsuar, sikurse është po ai që vepron dhe lejon ekzekutimin e masave të propozuara nga Drejtoria e Auditit.

Madje, çuditërisht, po e njëjta procedurë është prezente edhe në veprimtarinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku vulën e firmën përfundimtare të gjetjeve të raportuara nga drejtorët e drejtorive përkatëse, e vendos kryetari i këtij institucioni, që s’dihet përse funksionon ende si strukturë zyrtare shtetërore (me titullarë të përzgjedhur nga politika), dhe jo si kompani private auditimi.

Edhe praktika e këtij institucioni, me vartësi të drejtpërdrejtë nga Parlamenti, funksionon sipas të njejtës formulë, pra: grup inspektorët kontrollojnë, përgatisin raportin që i’a paraqesin drejtorit të drejtorisë përkatëse, ky i fundit ia relaton kryetarit të KLSH-së, i cili e studion, duke patur të drejtën ligjore të krehë çfarë t’i duket e arsyeshme mendjes së tij. Dhe vetëm ky variant përfundimtar, i nënshkruar nga kryetari, konsiderohet legjitimisht i vlefshëm për t’u marrë parasysh.

Një e drejtë sulltanore kjo që ia jep ligji mbi mënyrën e funksionimit të strukturave kontrolluese, që megjithëse e ushtrojnë veprimtarinë nën emërtesën “Audit i Brendshëm” apo “Kontrolli i Lartë i Shtetit”, për nga mënyra  e funksionimit dhe vendimarrja del të jenë e njëjta gjë.

Pra, armë në duart e titullarëve për të gjuajtur dhe jo për të parandaluar, për të zbuluar e ndëshkuar abuzuesit. Këtë e konstaton edhe nga statistikat zyrtare, sipas të cilave del se, gjatë tetë viteve të shkuara, ndërsa nëpër raportet deleguar titullarëve gjallojnë qindra emra zyrtarësh të gjetur në shkelje ligjore, shumë pak prej tyre dalin të ndëshkuar, ndërkohë që asnjë raport i Auditit të Brendshëm, i firmosur nga titullari e institucionit apo ministri, nuk i është relatuar organit të hetimit.

Ngritja e një strukture mbikëqyrëse, që të mos ishte në vartësinë e titullarëve, dhe që, pikërisht për këtë arsye do të mundësonte shkëputjen e procesit të auditimit të veprimtarisë, nga influenca dhe kontrolli i drejtuesve më të lartë, ishte rekomandimi i FMN-së i vlefshëm, jo vetëm për BSH, por për të gjithë strukturën administrative ku gjallojnë të tilla njësi kontrolli.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>