Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar sot një takim të përbashkët me kryeministrin Hashim Thaçi, ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe me udhëheqësit e institucioneve të sigurisë në Kosovë, për të diskutuar parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit dhe të radikalizmit.
Presidentja Jahjaga theksoi domosdoshmërinë e bashkërendimit të veprimeve ndërmjet të gjitha institucioneve të vendit, posaçërisht atyre që kanë përgjegjësinë për sigurinë kombëtare, me qëllim të luftimit të dukurive që po kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e vendit, të rajonit dhe më gjërë.
Në takim, krerët e institucioneve kërkuan nga mekanizmat përgjegjëse për sigurinë që të veprojnë mbi bazën e ligjeve në Kosovë për të pamundësuar aktivitetet, organizimin dhe çfarëdo veprimtarie radikale e ekstremiste që kërcënojnë jetën e qytetarëve jo vetëm të Kosovës dhe që synojnë shndërrimin e vendit në burim të ekstremizmit.
Presidentja Jahjaga ritheksoi qëndrimin se Kosova asnjëherë nuk do të bëhet strehë dhe nuk do të shërbejë si një burim për grupet radikale e ekstremiste.