Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Kryetar me letra

$
0
0

Mero Baze 2Nga Mero Baze

 

Prej dje Lulëzim Basha është bërë kryetar me letra i PD-së. Gjykata e Tiranës ka njohur zgjedhjen e tij kryetar dhe shtypi afër PD e ka shpallur këtë si lajm të ditës. Në të vërtetë bëhet fjalë për një proces normal të ndërrimit të letrave për kreun e PD-së, që është një praktikë normale gjyqësore, por që për Bashën duket se ka qenë makth deri sa ta marrë në dorë atë letrën që është kryetar i Partisë Demokratike.

Pse ky banalitet për të prodhuar lajm për një copë “letër”?

Makthi do të kishte paksa kuptim sikur rivali i tij në garën për kryetar, të kishte ankimuar procesin, të denonconte manipulimin me lista apo  votimin e hapur, që është një shkelje themelore e të drejtës për votim të fshehtë. Është e sigurt që po ta kish bërë, gjykata do të vihej në vështirësi, pasi statuti përcakton votimin e fshehtë si mënyrë për të zgjedhur kryetarin, ndërkohë që mund të provohet lehtësisht se votimi ishte i hapur. Po ashtu mund të provohej se listat u manipuluan dhe kundërshtarit nuk ju lejuan mbështetësit të votonin.

Por siç e tha dhe Astrit Patozi, nënkryetari i Partisë Demokratike në ditën e zgjedhjeve, Bashës i takon ai vend jo se fitoi zgjedhjet, por se e zgjodhi Berisha dhe si i tillë nuk kish kuptim as ankimimi në gjykatë i kësaj dëshire të Berishës.

Pra, jemi në kushtet kur marrjen e mandatit të Bashës, edhe me gjykatë nuk e kontestonte njeri. Ajo është një procedurë rutinë, që e kryen një mbajtës protokolli në parti.

Vëmendja e Bashës ndaj kësaj procedure tregon qartë thelbin e tij si lideri i ri i asaj partie. Ai e shikon veten aty jo si një fitues, jo si një triumfator që ka marrë 80 përqind të votave, por si një njeri që i duhet një copë letër për t’u quajtur kryetar. Është pak a shumë ajo që i ka ndodhur me marrjen e paligjshme të Baskisë së Tiranës. Provoi garën dhe humbi, dhe pastaj mobilizoi gjithë llumin e KQZ dhe shtetin shqiptar për të përmbysur rezultatin duke ndërruar procedurat pas zgjedhjeve dhe duke u shpallur kryetar bashkie pa e fituar atë. Kushdo e kujton se me sa makth e kishte marrjen e detyrës. U ngrit qysh në mëngjes, theri një dash për kurban, e theri para bashkisë, donte doemos t’i jepte kuptim dhe mbështetje popullore hyrjes së tij në Bashki, mblodhi Këshillin, mori mandatin dhe pastaj thirri e fitova.

Njësoj po sillet dhe me PD. Ka mbi 20 ditë që është shpallur kryetari i partisë dhe nuk po ndihet askund. Nuk ka bërë asnjë shfaqje publike, nuk ka hedhur asnjë ide, nuk ka bërë asnjë kritikë thelbësore për kundërshtarët dhe as një autokritikë për humbjen e tij të thellë në Tiranë. Thjesht është fshehur duke pritur të marrë dhe këtë letër.

Ndërkohë që ai priste këtë ditë të merrte letër, opozita është dobësuar dhe më tej. Një grup deputetësh aleatë të PD-së, që kanë marrë vota të saj, po rigrupohen për të qenë bastion rezervë i qeverisë në Kuvend, ndërsa brenda PD-së klima ka degraduar në një ndarje armiqësore bilës dhe ndarje jug- veri. Të vetmit propagandistë të Lulëzim Bashës deri tani janë Azgan Haklaj dhe Sali Lusha, që e gjejnë shkakun e humbjes tek rivali i Bashës. Vetë Basha duket i kënaqur nga propaganduesit që i kanë dalë në krah dhe me gjasë ka për t’i shpërblyer.

Babi i tij shpirtëror, Sali Berisha, vazhdon të dominojë mendimin politik të PD-së me broçkullat e tij në Facebook, që reflektojnë ngërçin në të cilin do mbahet e mbërthyer kjo parti për shumë kohë. Klima armiqësore në PD ndaj kundërshtarëve të Bashës, niveli ordiner i mbështetësve të tij tropojanë, tendenca e qartë religjioze dhe krahinore që ai po i jep partisë për të mbijetuar si kryetar me letra, do të dëmtojnë rëndë jo vetëm Partinë Demokratike, por dhe standardin demokratik të shoqërisë shqiptare, e cila do të ketë një opozitë të kapur pas ideve dhe planeve të biznesit, për të bërë gradiaçela tek selia e PD dhe shtëpi e ushtarakëve, dhe jo për të bërë opozitë. E vetmja ide racionale e Bashës për të ardhmen e PD-së është si të ndërtojë një pallat tek PD-ja dhe të marrë pjesën, si të ndërtojë një pallat tjetër tek shtëpia e oficerëve dhe të marrë qiranë, dhe si të afrojë në oborr të PD-së një tufë tropojanësh që të kërcënojnë apo fyejnë këdo që tenton të ngrejë zërin.

Prej dje ai ka dhe letrat dhe vendimin e gjykatës që është kryetar. Kjo ndoshta e qetëson si njeri fallco që është. Por shkolla e opozitarizmit në Shqipëri ka provuar se opozitat e emëruara, qofshin nga pushteti, qofshin nga klane opozitare, dështojnë dhe i kushtojnë shumë shoqërisë. Opozita reale nuk emërohet. Ajo lind vetë, bëhet e tillë mbi baza morale dhe jo mbi plane urbanistike dhe triumfon si shpresë, jo si interes financiar. Lulëzim Basha ka në dorë vetëm letrat për të qenë kryetar i opozitës. Me letra, Bashën duan dhe këta që janë në pushtet. Problemi i shqiptarëve tani është se duhet të gjejnë  një lider që të bëjë opozitë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>