Nga Mero Baze
Lexova reagimin e deputetit Kokëdhima lidhur me një editorial timin për ndarjen territoriale të Himarës, si një problem i shpikur për të kompesuar problemet reale që Kokëdhima ka krijuar në Qarkun e Vlorës, sidomos me komunitetin lab në gjithë Qarkun, dhe problemet e mungesës së autoritetit që ka Vangjel Dule mbi pakicën greke në Shqipëri. Nuk dua të merrem me etiketimet e Koços, por thjesht me mashtrimin e tij ordiner, kur thotë se unë e kam akuzuar se AI (dmth Koço) urrekërka Greqinë. Nuk e kam dhënë në asnjë rresht, në asnjë fjali dhe me asnjë nënkuptim këtë gjë.
I kam thënë qartë dhe haptazi se urren Labërinë, i ka poshtëruar ata prej kur ka vendosur të hyjë në politikë, dhe po i poshtëron ata duke tentuar t’i përdorë si mish për top në një konflikt artificial, që i bën dëm Shqipërisë, Himarës, por sidomos Labërisë.
Meqë tenton ta fshehë këtë problem, po e sqaroj pak më gjatë. Përfaqësimi politik i Labërisë në Vlorë, si në grupin e deputetëve, por mbi të gjitha në emërimet nepotike të Kokëdhimës, është poshtërues. Ata janë larg prekjes reale të pushtetit, dhe kur përfaqësohen nga njerëz të emëruar si “lebër”, janë thjesht klientë të Kokëdhimës.
Në investimet e ofruara nga qeveria Rama për programin e “Rilindjes Urbane”, fshati i Koços ka marrë rreth 700 milionë lekë, përfshi dhe rrugën nga shtëpi e re e Koços, tek shtëpia e vjetër e Kokëdhimëve, ndërsa Labëria asnjë qindarkë. Sa për të pasur një ide krahasuese, Koço ka marrë për fshatin e tij tre herë më shumë lekë se rrethi i Përmetit, si një rreth i afërt me Qarkun e Vlorës, ku mund të investohet për turizmin e brendshëm dhe ku ka turistë përgjatë gjithë vitin më shumë se sa ka Qeparoi në verë.
Në Sarandë, 80 përqind e administratës janë nga Bregu, në një qytet ku shumica përbëhet nga Labëria, ortodoksit vendas, grekë apo shqiptarë, dhe komuniteti çam. Një lagje lebërish në Sarandë, e quajtur Baba Rexhepi, me banorë të ardhur pas vitit 1992, kryesisht nga Labëria e thellë, përveçse janë të gjithë socialistë, janë dhe të gjithë të përjashtuar nga pushteti i Kokëdhimës në Sarandë, se nuk hyjnë në rezonancë me deliret e tij.
Në Delvinë dhe fshatrat rreth saj, është e njëjta situatë. Ata e mbajnë mend Koço Kokëdhimën që nga koha e pushtetit të parë të Berishës, kur qeveria e atëhershme i dha tenderin e rrugës Delvinë- Muzinë, një nga rrugët më të bukura të zonës, e cila është ende e pakalueshme. Ka funksionuar normal që nga viti 1914, por prej kur vuri dorë Kokëdhima, është e pakalueshme prej 15 vitesh. Si mund ta votojnë Kokëdhimën ata njerëz?!
Fal Kokëdhimës, Partia Socialiste në Sarandë arriti rezultatin më të dobët të saj më 23 Qershor, dhe pas 23 Qershorit, strukturat e pushtetit në Sarandë janë në konflikt me pushtetin paralel të Kokëdhimës.
Pra, nëse ka njeri që ka bërë dëme reale në Qarkun e Vlorës, kundër Partisë Socialiste, ai është Kokëdhima. Nuk është se merakosem shumë për këtë punë, por shqetësohem kur një komunitet persekutohet me racizëm politik dhe pastaj keqpërdoret në një sfond gjoja patriotik. Kokëdhima ka armiqësuar komunitetn lab me Partinë Socialiste, ka prodhuar probleme artificiale mes tyre dhe himariotëve. Përpos kësaj, në Bregdet sot Koço është kthyer në sekser mes bizneseve dhe shtetit për çdo ndërtim, përfshi dhe prishjet selektive që u bën. Ndikimi i tij në këtë proces është i prekshëm dhe i verifikueshëm nëse shikoni gërmadhat dhe parajasat urbane që janë krijuar nga Palasa në Qeparo. Kjo natyrisht që ka ngjallur reaksion tek njerëzit, dhe ky reaksion nuk shuhet as duke marrë flamujt e patriotizmit folklorik, dhe as duke shpikur probleme që nuk janë as patriotike dhe as elektorale, por thjesht personale.
Labëria ka nevojë për investime, për rrugë, ujësjellësa, për investime të turizmit malor dhe për lidhje reale me Bregdetin. Për të shkuar nga Lumi i Vlorës në Himarë duhet linjë ajrore, ose 60 km rrugë duke u sjellë vërdallë maleve. Dhe meqë jemi tek pushteti, duhet thënë se Labëria ka nevojë të ketë dhe pushtet. Ajo është shumë larg pushtetit. Bashkimi me letra me Himarën është hipokrizi dhe i pambështetur në asnjë plan konkret zhvillimi. Përkundrazi, është një ndarje që copëzon Labërinë e Vlorës në tre pjesë dhe e bën atë një aksesor të identiteve të tjera kulturore dhe etnografike të Qarkut. Lokomativa e Vlorës, dhe shpesh e historisë sonë, nuk mund të kthehet në vagon mallrash për Kokëdhimën.
Unë jam qartazi kundër prodhimit të një problemi në Himarë, duke i bashkuar dhunshëm me një pjesë të Labërisë, që të duket sikur Kokëdhima do t’u japë lebërve një plaçkë lufte. Ajo është një martesë e dhunshme. Në një çift, palët duhet të duan njëri- tjetrin. Në një përdhunim mjafton vetëm një palë. Këtë që po bën Kokëdhima!
E kam akuzuar Kokëdhimën se ka qëndrime raciste politike ndaj Labërisë dhe po përdor pushtetin e tij kundër interesave të shumicës në Bregdet. Nuk e kam akuzuar se nuk e do Greqinë. Larg qoftë ta them këtë! Greqisë po i bën nder, sidomos nacionalistëve grekë, pasi po u ringjall kauza të vdekura, që i kanë kushtuar këtij vendi. Për këtë vlen të shpërblehet nga grekët, jo nga ne.
Kam qindra reagime që dhe mund t’i botoj, përfshi dhe nga bashkëfshatarë të Kokëdhimës në Qeparo, për faktin që ai përpiqet të shfaqet si njeri i kryeministrit dhe mik i madh i tij, duke e përdorur këtë si kartë krediti personale në çdo problem. Kjo është një kosto e padrejtë për kryeministrin, por është zgjedhje e tij. Ndaj u them mos u inatosni me Edi Ramën. Ç’nevojë ka njeriu të ketë armiq të tjerë, kur ka mik Koço Kokëdhimën!