Pas lindjes së Zahos, Edi Ramës i kanë shkuar shumë urime. E kanë uruar politikanë, votues të tij dhe kundërshtarë. Antena ka mundur të gjejë disa më pikantet prej tyre.
Lab nga Gjirokastra: Zoti kryeministër, ju treguat se jeni burre shteti, le të thonë çfarë të duan armiqtë e partisë sonë, ju në 300 ditë bëtë histori dhe djali juaj na erdhi si mbyllja solemne e 300 ditëve me një emër heroik, që na bën shumë optimist për të ardhmen.
Votues nga Bregu: Zoti kryeministër. Këto kohë na sollën trazira. Qeveria jote do të na përziejë me Vranishti dhe Tërbaçin. T’i kemi bërë hallal të tëra, tani që na ngjalle Zahon.
Një borshiot: Fshati ynë ka një këngë: M’u tek Borshi në të dalë, Lule Zaho, lule djalë. Ti tregove se mbi të gjitha ke vënë interesat e partisë dhe idealin e dëshmorëve.
Gramoz Ruçi: Urime dhe me jetë të gjatë Zahos. Ne në Labëri e vëmë emrin Zaho për të sjellë fat, kur bëjmë shumë fëmijë. Mos mendo se na gënjen kollaj duke na e bërë si nder ne të vjetërve këtë emër dëshmori. Nuk i hamë kollaj këto. Djali të rrojë, po babi të reflektojë.
Ben Blushi: Urime për Zaharinë, por unë e ti s’kemi gojë t’ia themi emrin e plotë se vetë e kemi shkurtuar emrin. Ti e bëre nga Edvin në Edi, unë nga Arben në Ben. Kështu që do ta pranojmë Zaho, s’kemi ç’bëjmë.
Prefekti i Tiranës: Urime zoti kryeministër. Kam një shqetësim nga tironsit autoktonë që e kanë nip Zahon. Ata më kërkojnë që në Tironë t’i flasin Zeke ose Zarif. Na njofto si të bëjmë.
Jozefina Topalli: Urime për Zekrinë. Mos i ngjaftë babës.
Sali Berisha: Sot ka lindë Zeka. Zeka or zotëri të ketë jetë të lumtur, por më vjen keq që lind nën regjimin e Edvin Ramës dhe Ilir Metës, i cili po robëron shqiptarët.
Mero Baze: Urime Zahos. Nuk m’u ndanë këta fëmijët e kryeministrave me Z. Ishte Zeni, erdhi Zaho. Ishallah nuk arrin të të gjejë kryeministër pas 20 vjetësh. Por dhe po të gjeti, ne do na kesh vrarë se do jesh bërë si Enveri.