Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Kritikohet, shkon te romët

$
0
0

rometNga Petrit Qejvani

 

Ditët e fundit ka tërhequr vëmendjen e medias nxjerrja në rrugë të madhe e rreth 40 familjeve rome, me pretekstin se banesa ku kanë jetuar deri tani është pronë private.

Pavarësisht sa e vërtetë është kjo, ajo që përbën problem në këtë rast është qëndrimi indiferent i shtetit, në këtë rast Bashkisë së Tiranës si dhe institucioneve përgjegjëse si ministria me emërtimin e gjatë Ministria e Punës, Përkrahjes Sociale dhe Shanseve të (pa) Barabarta.

Në kontrast me reagimin e Avokatit të Popullit brenda vendit dhe reagimit të institucioneve europiane për të drejtat e njeriut, heshtja qeveritare nuk bën ndonjë përshtypje të madhe, kurse heshtja e ndonjë organizate që merret (paguhet) me mbrojtjen e të drejtave të pakicave doemos që është komprometuese dhe tregon atë që kemi shprehur disa herë në shtyp se OJF-të nuk janë gjë tjetër veç dekor i qeverisë, bile dhe tifoze të drejtuesve të niveleve të ndryshme.

Një drejtuese të tillë përmendte me emër gazetari Mero Baze në një nga editorialet të tij të fundit dhe, si për ta vërtetuar këtë, (ndonëse ajo doli për të kundërtën) zonja në fjalë u pa në edicionet e lajmeve në një televizion të rëndësishëm, në protestat e romëve para bashkisë së kryeqytetit! Sukses i vërtetë!

Shfaqja e saj në një tubim të tillë, kur nuk ishte parë te barakat e romëve të improvizuara në trotuar, më shkaktoi një ndjenjë humori për disa çaste dhe thashë me vete: ka bërë efekt kritika e Meros!

Dhe menjëherë pas saj më erdhi pyetja: pse duhet të presim të na e injektojnë të tjerët sensibilitetin njerëzor, aq më tepër të na kujtojnë detyrën tonë?

Por zonja dukej që ishte pa humor dhe kishte ardhur me zor aty, për “hir” të Meros. Diç tha për të drejtat e romëve dhe sidomos nuk u kuptua ç’tha për zgjidhjen e problemit të tyre dhe çfarë (s’) do bëjë ajo për këtë..

Megjithatë kritika e Bazes me sa duket kishte bërë efektin e duhur. Nuk thonë kot se kritika është si hosteni: mjet që shtyn njerëzit të ecin përpara, edhe kur s’para kanë qejf për një gjë të tillë…

Ç’rëndësi ka nëse kritika është dashamirëse a dashakeqe! Kjo varet nga perceptimi. E rëndësishme është të të shtyjë përpara. Pavarësisht motivit, na duhet rezultati. Edhe kur jemi ende të pandërgjegjshëm për këtë. Dhe ai vjen kur kritika është e drejtë.

Dhe prej këtij rasti del edhe një konkluzion tjetër: ne kritikojmë pak, jemi një shoqëri konformiste. I bëjmë qejfin njeri-tjetrit. Sidomos intelektualët. Shkurt, jemi një shoqëri hipokrite. Jetojmë në të njëjtin realitet, e njohim shumë mirë njeri-tjetrin e, megjithatë, shtiremi, luajmë të gjithë si në një ballo me maska… Na duhet t’i heqim maskat për t’u bërë një shoqëri e civilizuar. Prandaj na duhet kritika dhe, sidomos, ata që dinë të kritikojnë…


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>