Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe homologia italiane Federica Mogherini, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Shqipëri, firmosën sot, një deklaratë politike bashkëpunimi lidhur me programin e ri trevjeçar për zhvillim me Shqipërinë 2014-2016.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, ministri Bushati dhe ministrja italiane Mogherini bënë të ditur se programi i ri 2014-2016 është vazhdimësi e mbështetjes së konsoliduar të Italisë ndaj zhvillimit ekonomiko-shoqëror të Shqipërisë, mbështetje e cila që prej viteve “90 është konkretizuar në shumë projekte që u përkasin sektorëve të ndryshëm me një vlerë të përgjithshme prej rreth 750 milionë euro.
Në deklaratën politike të bashkëpunimit konfirmohen sektorët strategjike të projekteve të Protokollit të mëparshëm 2010-2012, të riorganizuar dhe të përafruar me kuadrin e ri strategjik kombëtar për zhvillim të Shqipërisë.
Të dy ministrat vlerësuan bashkëpunimin mes dy vendeve si të shkëlqyer, ndërsa theksuan se mbetet sfidë për Shqipërinë thithja e investimeve të huaja. Ministri Bushati i shprehu Mogherinit mirënjohjen në emër të qeverisë shqiptare për mbështetjen e dhënë për marrjen e statusit kandidat.
Ministrja e Jashtme italiane tha se Italia ka qënë mëse e bindur për meritat apo në njohjen e statusit kandidat të Shqipërisë.
“Flas për njohje të statusit dhe jo për dhënie të statusit sepse sigurisht puna më e madhe është bërë këtu dhe të gjithë së bashku kemi dhënë ndihmesën tonë për arritjen e këtij rezultati kaq të rëndësishëm”, tha Mogherini, duke shtuar se “kjo do të përbëjë edhe yllin polar të qeverisë shqiptare në muajt dhe vitet në vazhdim për arritjen e objektivit përfundimtar”.
“Flas për integrim dhe nuk flas për zgjerim sepse kjo është në të mirën jo vetëm të Ballkanit Perëndimor apo rajonit ku përfshihet edhe Italia por edhe në të mirën e të gjithë Europës dhe Bashkimit europian . Besoj se kjo do të vijojë në vitet në vazhdim duke kërkuar një angazhim të fuqishëm të gjitha vendeve të rajonit”, tha Mogherini.
Ministrja e Jashtme e Italisë e ka konsideruar Shqipërinë si një vend i cili luan një rol kyç për stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Sipas saj, do të çelet një dialog i ri mes tre vendeve, Itali-Shqipëri-Serbi.
“Do të doja të përmendja rolin kyç dhe vendimtar të Shqipërisë për sigurinë në rajon, për këtë do të kem mundësinë të flas me ministrin e Jashtëm serb në Beograd ditën e hënë dhe besoj se do të realizojmë një takim tripalësh për të çelur këtë dialog të ri mes tre vendeve për t’i dhënë një rëndësi të madhe qendrueshmërisë në rajon”, deklaroi ministrja italiane.
Ndërsa Bushati bëri të ditur se “diskutuam edhe mbi ngjarjet e fundit në rajon duke qënë se vizita e koleges bëhet në kuadër të presidencës italiane sikundër edhe zhvillimet në vendet e partneritetit lindor përkatësisht Ukrainës apo situatën e fundit në Lindjen e Mesme edhe për shkak të angazhimit të qartë të Italisë dhe konkretisht ministres Mogherini.
Ministri Bushati iu përgjigj edhe interesit të medias lidhur me marrëdhëniet me Greqinë, referuar deklaratës së ministrit të jashtëm grek Evangjelos Venizelos për reformën territoriale.
Sipas Bushatit, interesi i Shqipërisë mbetet i qartë, i palëkundër, për të konsoliduar marrëdhënien strategjike që ekziston mes Shqipërisë e Greqisë për të adresuar të gjitha çështjet e së shkuarës në frymën e prespektivës së përbashkët europiane.
“Marrëdhënia Itali-Shqiptare mund të jetë një model që mund të ndiqet nga marrëdhënia shqiptaro-greke, pavarësisht interesave, aspekteve të ndryshme historike apo raporteve qoftë të karakterit shpirtëror apo lidhjeve të ndryshme që mund të ekzistojnë”, deklaroi ministri Bushati.
Ministrja e Jashtme e Italisë u shpreh gjithashtu se dialogu mes opozitës dhe mazhorancës përbën nje hap të rëndësishëm për të vazhduar rrugën drejt integrimit.
“Shqipëria po dëshmon shembull të shkëlqyer për vendosmërinë në ndërmarrjen e reformave dhe në dobi të vendit. Kjo shfaqet edhe në vullnetin politik të qeverisë Rama, por shpresojmë edhe në dialogun konstruktiv me opozitën e cila përbën një shembull për t’u ndjekur dhe për të vazhduar me tej në strukturat e integrimit”, tha Mogherini.