Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Ka shumë shkaqe dhe asnjë grup kundër Ramës

$
0
0

meroNga Mero Baze

 

Shumica humbi sot kuorumin e saj prej 84 votash, në një demonstrim të qartë të së paku 6 deputetëve të saj, të cilët kanë arsye të ndryshme pakënaqësie ndaj Ramës. Më i ashpri prej tyre, Tom Doshi, ka qysh prej fillimit një marrëdhënie të prishur me ministrin e Brendshëm për shkak të emërimeve në polici. Dy deputetët e tjerë, Prenga dhe Frroku, janë krah tij në këtë çështje. Cara dhe Ndreu kanë probleme me ndarjen administrative, pasi dëmton nga pikëpamja elektorale zonat e tyre. Marto dhe Dule kanë probleme me ndarjen administrative, njëri në Delvinë e tjetri në Himarë.

Pra, deputetët kanë shkaqe të ndryshme përse nuk kanë shkuar sot në Kuvend.

Por kjo nuk do të thotë se problemet janë të vogla. Raportet reale mes deputetëve të shumicës dhe qeverisë janë nervoze prej kohësh, për shkak të një mënyre jo të ndershme dhe jo transparente të delegimit të pushtetit.

Shumë deputetë të shumicës ndjehen të anashkaluar dhe pa autoritet në zonat e tyre elektorale, për shkak të autoritetit të ndryshëm që u delegon qeveria për zgjidhjen e problemeve. Për shembull, ka deputetë si Kokëdhima, që kanë autoritet të barabartë me kryeministrin në qarkun e tij, por ka dhe deputetë që nuk i pyet njeri as për të futur në punë një pastruese.

Ka deputetë që kanë komunikim normal me qeverinë dhe kanë mundësi të ushtrojnë autoritetin e tyre në zonë, ka të tjerë që nuk shamngin dot lidhjet vertikale dhe klienteliste në emërime dhe vuajnë pasojat e mospërfilljes së tyre në bazë.

Për të shmangur këto pakënaqësi, tek shumica duket se mungon një qendër tjetër pushteti, përveç asaj që delegon Rama. Grupi parlamentar i PS është thjesht një vend ku flitet për ligje dhe procedura dhe jo për politikë. Kjo bën që deputetët të vetësugjestionohen me pakënaqësitë e tyre dhe të bëjnë gjeste refuzuese.

Por problemi më i madh në raportet e qeverisë me deputetët nuk janë pakënaqësitë e krijuara tek deputetët e papërfillur, por tek dezaktivizimi i deputetëve që mund të mbrojnë qeverinë.

Shumica e deputetëve socialistë me përvojë që janë në Kuvend, sot janë të stakuar nga debati politik. Duke u ndjerë të papërfillur, dëmi më i madh që i kanë shkaktuar ata PS është se janë jashtë debatit politik dhe jashtë kontributeve në Kuvend. E thënë me një fjalë, deputetët e shumicës nuk ndjehen të motivuar si shumë aktive politike, por si një shumicë numerike.

Ky është një dëm real, pasi ka nxjerrë nga loja figura politike që mund të ngrinin dallgë në Kuvend dhe të linin në hije debatet për policë, komunarë dhe minoritarë.

Për më tepër, brenda koalicionit ka një shkollë tjetër komunikimi, ajo e LSI me deputetët e saj, që ngjall jo pak xhelozi tek socialistët e papërfillur, kur shikojnë Ilir Metën që jo vetëm mban të bashkuar 16 deputetët, por dhe u fuqizon atyre autoritetin çdo ditë me pushtetin që u delegon.

Nuk besoj se gjesti i sotëm i bën dëm Ramës, por është një kujtesë për përgjegjësitë e tij. Ai duhet të përballet me grupin parlamentar që ka prodhuar vetë, dhe të aktivizojë gjithë energjitë e tij. Parlamenti nuk është studio publicitare, por vend ku punohet për të bërë ligje dhe politikë. Këto aftësi nuk shiten dhe as fitohen brenda muajit. Ato duan përvojë dhe vlera politike, që shumica i ka. Edi Rama duhet të përballet qoftë me ata që bëjnë ditëlindjen kur duhet të votohen ligjet, qoftë me ata që rrinë aty dhe shikojnë se si humbet shumicën kryeministri i tyre. Nuk ka ndonjë grup apo lider kundër tij, por kjo nuk është luks. Përballë tij ka dhjetëra arsye për pakënaqësi të brendshme, që ai duhet të përballet dhe t’i zgjidhë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852