Pas daljes së PD nga Kuvendi, Kunati po e ndjente se punët po shkonin keq e më keq. Meqë vendimi u mor nga Doktori dhe Luli nuk kishte çfarë t’i bënte, Kunati filloi të organizonte propozime nga jashtë Kuvendit. Kështu ai bëri gati propozime për reformën në drejtësi, propozime për pensionet, propozime për ndarjen administrative… Por puna ishte se ato duheshin në Kuvend.
E pleqëroi me Lulin këtë punë dhe thanë të bënin një lëvizje sikur ua kërkonte SHBA të futeshin në Kuvend.
Luli foli me dikë nga Uashingtoni që të bënte ai një deklaratë.
-Jo, i thanë ata. Për çdo gjë kemi ambasadorin Arvizu në Tiranë, u bën ai thirrje.
Këtu nisi dhe problemi.
Po qe se Luli do dëgjonte thirrjen e Arvizusë, do futej në sherr me Doktorin, po qe se nuk e dëgjonte, do mbetej jahstë parlamentit.
Atëhere Kunati vendosi.
-Ta thërrasim Arvizunë, i tha Lulit, por ti mos rri në takim. Ja lëmë këtyre deputetëve. Po doli mirë, e marrim ne meritën, po doli keq, ua rrasim atyre.
Ashtu u bë.
Kunai thirri Oerdin, Flamurin dhe Ed Halimin.
-Do thërrisni në takim këtë ambasadorin amerikan, tha, se Luli ka ca punë. Dhe do t’i kërkoni llogari pse PS po ndryshon ligjin për KLD.
-Unë nuk shkoj në takim, tha Flamuri, se më merr inat Strazo po më pa.
-Po s’ka problem, mos flit, i tha Kunati, vetëm dëgjo.
-Jo or ti, se nuk jam nga ata që hesht unë. Po shkova, do t’ia plas në sy, se ai më ka mërzitur Strazon.
-Mirë, bëj ç’të duash, i tha Kunati. Rëndësi ka të shkosh.
-Po unë ç’t’i kërkoj ndonjë gjë, tha Ed Halimi.
-Ligjin për KLD pra, të thashë.
-Dakord, i tha Ed Halimi. Thashë mos ka Luli ndonjë mesazh privat.
-Jo, s’kemi asgjë private, tha Kunati. Duhet ta thërrasim dhe t’i kërkojmë llogari për ligjin e KLD. Pastaj çfarë të thotë, duhet ta kemi parasysh.
-Po sikur të na thotë miratoni ligjin, tha Oerdi.
-Mos ta paragjykojmë, tha Kunati. Priteni një herë, pastaj flasim.
-Po me atë burrin keni folur, tha Flamuri.
-Jo, s’kemi folur, tha Kunati, por kjo do ta kënaqë shumë se ne po e thërrasim t’i kërkojmë llogari.
-S’më duket shenjë e mirë kjo, tha Flamuri, sidoqoftë po shkoj një herë. Po Luli vetë çfarë porosie ka, tha Flamuri.
-Luli thotë t’i kërkojmë llogari për KLD. Të tjerat pastaj çfarë të thotë ai, ne duhet të mbrojmë pozicionin e Doktorit.
-Pozicioni i Doktorit është që ai duhet zbuar nga Shqipëria, jo të ftohet në PD, tha Flamuri.
-Po ne u përpoqëm, tha Kunati, po s’patëm fat këtë radhë. Ata ia shtynë mandatin si nga inati jonë. Tani na ngeli në derë, s’kemi ç’i bëjmë.
-Bie erë kjo punë, tha Flamuri. Sidoqoftë po shkojmë një herë.
Pas takimit me Arvizunë, Doktori u tërbua dhe mori Lulin në telefon.
-Çfarë ishte ky takim mor zotëri se nuk e kuptova, i tha. Kujt i bën presion ti të futet në parlament përmes ambasadorit?
-Më vjen keq, tha Luli. Unë s’di gjë fare. E kanë thirrë ata në PD për t’i kërkuar llogari për KLD.
-Dhe ai u ka kërkuar llogari për parlamentin, i tha Doktori, këtë nuk ta fal kurrë. PD kurrë nuk do përulet para presionit të jashtëm dhe të brendshëm për të mbrojtur dinjitetin e saj. Ata që e kanë pritur në PD, janë faqezinj dhe do marrin përgjigjen që meritojnë.
Luli nuk iu përgjigj më.
-Ishalla e mban fjalën, tha me vete. Të paktën të shpëtoj nga ata.