Një ditë pasi kundërshtoi publikisht variantin e reformës territorial, që parashikon një ndarje me 61 Njësi Vendore dhe sipas të cilës Himara bashkohet me Lukovën dhe Vranishtin, Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule dhe Kreu i OMONIA Vasil Bollano zhvilluan një takim në Himarë me të gjitha grupet e interesit.
Në fjalën e tij kreu i PBDNJ, theksoi se në bazë në ndarjes së re territoriale, “bashkimi i Himarës me Lukovën e Hore Vranishtit sipas tij ka vetëm qëllime elektorale”, duke shtuar se “kjo është një zgjidhje kundër interesave të minoritetit grek në Himarë.”
Dule u shpreh se “PBDNJ nuk do ta mbështesë dhe nuk do ta votojë këtë ndarje administrativo-territoriale.”
Ndërsa u shpreh se mbështet realizimin e reformës territoriale, Dule ftoi kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Çështjeve Vendore Bledi Çuçin që të konsultohen me himariotët për të marrë prejt tyre vizionin e tyre për të ardhmen.
Duke vijuar më tej, lideri i PBDNJ tha se sipas tij media po hesht mbi qëndrimet e ndarjes së re në Himarë, duke nënvizuar se po pasqyrohet një informacion i fragmentarizuar.
“Ditët e fundit kanë lindur shumë probleme me reformën. Problemi ynë kryesor ka qenë Himara. Falënderoj përfaqësuesen e OSBE. Ky takim është ndër më të sinqertit dhe më të hapurit. Mesazhet e takimit të parë u deformuan nga media. PBDNJ mbështet reformën, të jetë me perspektive. Reforma duhet t’i përgjigjet sfidave të integrimit”, ka deklaruar Dule.
Kreu i PBDNJ-së ka theksuar se respektimi i të drejtave të minoriteteve është një nga parimet e Bashkimit Evropian, dhe se PBDNJ kërkon që reforma të ketë në thelb respektimin e minoriteteve.
“ Vranishti me Himarën bashkë nuk i shërben asnjërës. Në Himarë ka minoritet dhe duhet respektuar”, deklaroi Dule.
Ndërkohë, OMONIA e cilëson reformën administrative si në shërbim të interesave nacionaliste. Në një deklaratë për mediat, Minoritetit Demokratik Etnik Grek thekson se ndarja administrative cënon integritetin e popullsisë greke në Shqipëri.
“Në procese të kësaj natyre kujdesi dhe vëmendja duhet të orientohet ndaj grupeve dhe komuniteteve të ekspozuara në rreziqe dhe jo në shërbimin e pikëpamjeve nacionaliste dhe raciste”, thuhet në deklaratë.