Sot vendosa të dal vonë në zyrë. Këta të OSBE kërkonin dikë nga qeveria të merrte pjesë në një takim për romët, por nuk u ktheva përgjigje.
Nuk më duket normale të merrem tani me romët, kur dihet që ata nuk na kanë votuar.
Sa herë i takoja, më thoshin me ty jemi gaxhoi, dhe pastaj votat ia jepnin atij tjetrit.
Përsëri më mundon ideja se përse humbëm. Kam filluar ta diskutoj dhe më të tjerë këtë çështje. Dje thirra Palokën dhe e pyeta ç’mendim kishte. Më bëri një shpjegim të gjatë. Kishte të bënte kryesisht me Laçin dhe Mamurrasin. Më tha ‘po të kishim vënë Benin në Shëngjin, të merrnim Gimin në anën tonë se është më i forti, pastaj të fusnim Frrokun në doganë, që të merrte Franin që është më i forti i Zejmenit, dhe sikur të kishim liru nga burgu 4 vetë që janë të Ndrecës, që është kunat i Gjokës, atëherë kishim kapë dhe të fortin e Borizanës dhe kishim fituar thellë në Lezhë’.
Me thënë të drejtën s’i mbajta mend gjithë emrat, por nuk më intereson shumë Lezha se nuk dolëm dhe aq keq. E pyeta në rang kombëtar.
-Po ja Doktor, janë bërë gabime, tha. Janë ca çuna që duhen mbajtë. Ky Flamuri nuk e njihte fare shoqninë dhe futi ca policë kot në punë dhe nuk na e mbanin shoqninë. Më merrnin mua më thoshin o Edo, ça po bëni mo burrë, s’po na lini të punojmë, po punojnë vetëm kuksianët. Dhe një herë kapën një nga çunat tanë me një ngarkesë dhe e futën brenda. E nxorëm të nesërmen po ai u fye shumë se s’ka kuptim me e fut njerëzit tanë brenda. Nga këto gjëra kena humbë shumë Doktor. Po të isha unë një muaj ministër i Brendshëm, i kisha kënaqë gjithë çunat dhe ishim në rregull.
Me thënë të drejtën s’mu duk shumë bindëse, por sidoqoftë e dëgjova. Ideja që ky ka shokë të fortë m’u duk interesante dhe i thashë dil e kërcëno Ed Ramën për SHQUP-in se ai i ka frikë të fortët. Iku në fakt menjëherë. Djalë i mirë Edi.
Po mendoj prapë pse humbëm. Kjo që në vend të Flamurit të kisha vënë ca muaj Palokën është një mangësi, por nuk është se mbetet shkaku kryesor. Qeveria nuk do fitonte ndonjë standard më të lartë, por do ishin më të kënaqur këta të fortët.
Duke menduar rreth shkaqeve m’u shfaq para nipi vogël. Më shkoi mendja mos na ka dëmtuar ky divorci i Zenit. Nuk besoj se ka ndikim pasi njerëzit nuk e morën vesh. Ne postuam në Facebook dhe një foto të vitit të kaluar ku ishim të gjithë bashkë dhe nuk pati reagim. D.m.th njerëzit nuk është se e kanë mendjen tek kjo çështje. Mediat e Edi Ramës bën ç’është e mundur të reklamonin nusen e re. Çfarë nuk bënë për ta nxjerrë në plazh, në disko, në jahte, por nuk besoj se njerëzit u ndikuan nga kjo. Jam shumë i prekur nga kjo çështje se i ka ikur jeta ters këtij njeriu. 3 vjet mezi u pajtova me idenë që po martohej me një berishicë, tani duhet të pajtohem me idenë që po ndanë berishicën për të bërë berishicë një tjetër. Por nuk besoj se ka ndikuar në fushatë. Mes të tjerash kundërshtarët nuk e përdorin dot këtë. Im bir dy gra ka ndërru, Edi Rama ka ndërru 4. Kjo na ka shpëtuar.
Po prapë më ngelet në mendje ideja pse humbëm. Ka zëra se njerëzit kanë besuar se ne jemi pasuruar shumë. Këtë nuk e besoj kurrë. Ne jetojmë në shtëpitë e plazhit të qeverisë, nuk kemi vila private dhe kemi një apartament që na e kanë dhuruar të afërm. Të gjithë e njohin ndershmërinë tonë. Nuk besoj se populli beson këto gjepura. Sidoqoftë ai Alibeaj bëri një gabim të madh kur nuk e mbrojti Gitën kur e sulmuan në Opinion që kërkon 3 milion euro për një firmë. Ai ka qenë një minus i madh për imazhin tonë. Dukej sikur Familjes nuk i besonin më as deputetët e PD-së. Për këtë arsye nuk e futa më në listë. Jo, s’mund ta fusja një njeri që s’ka guxim të mbrojë time bijë. Tani e shikoj që ai është penduar dhe është gati ta mbrojë atë që nuk mbrojti. Unë them t’i jepet shansi dhe një herë. Por ka shumë mundësi që ai të jetë një shkak pse humbëm. Po, po, ai nuk denjoi të mbrojë Gitën. Ne jemi zemërgjerë dhe do t’ia japim dhe një herë dorën, por jo të ngjitet më lart. Thjesht të rrijë në PD. Do ta gjej se s’bën pse nuk kemi fituar këto ditë. Dhe po e gjeta, pastaj fitorja është afër. Përpara!