Marrja e statusit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, është një nga ato ngjarje që ndajnë historinë e një vendi në dy epoka, para evropiane dhe evropiane. Rëndësia e saj nuk buron aq shumë nga plotësimi aktual i kushteve dhe vonesat që ka shkaktuar qeveria Berisha me korruptimin e shtetit ligjor dhe lejimin e enklavave anti- shtet si Lazarati, por nga rruga që shtron për kombin shqiptar.
Shqipëria ka vuajtur qysh nga viti 1913, paragjykimin e të qenit një shtet i dështuar me orientim të diskutueshëm, në varësi të erërave politike që sundonin vendin. Asnjë vend në botë si Shqipëria, nuk arriti që brenda një shekulli të ishte aleate e tre superfuqive, e SHBA, Rusisë dhe Kinës. Vetëm një vend me pasiguri të mëdha në orientimin e tij kombëtar, mund të prodhojë politikanë të tillë, që ta drejtojnë timonin e vendit andej nga kanë të sigurt pushtetin.
Sot Shqipëria i dha fund aventurës së saj historike dhe adoleshencës së saj kulturore, duke hyrë në një lidhje të pazgjidhshme me kontinentin, të cilit i përket.
Sot, kur kemi kaluar ngërçin kryesor dhe kur arritëm të krijojmë një klimë besimi për të thyer skeptikët e Evropës, kemi të drejtë të kthejmë kokën pas dhe të shikojmë pse ishte i pamundur statusi para 23 qershorit.
Në të gjitha vlerësimet që Bashkimi Evropian, apo liderë të vendeve evropiane po bëjnë për këtë ngjarje, po theksojnë të njëjtën fjali, “reformat bindëse të qeverisë”. Nuk është se Berisha nuk bëri gjithçka mundi ta merrte statusin. Ai kaloi në ekstrem. Për hir të dëshirës së tij për të qenë protagonist i kësaj ngjarjeje, ne sot paguam 90 milionë euro për CEZ, vetëm pse një plak i marrë futi një dosje nën sqetull dhe u nis të blinte pranimin e kërkesës duke shitur pasuritë kombëtare. Berisha e kërkoi me ngulm statusin jo si një standard për Shqipërinë, por si një fitore personale. Ai kërkonte t’i mbushte mendjen Evropës t’i jepte një kostum evropian hua, mbi rrobat e sulltanit që kishte veshur në vendin e tij. Ai shpresonte se statusi do t’i mbulonte atij historinë kriminale të biznesit vdekjeprurës të familjes së tij në Gërdec, vrasjen e katër qytetarëve për arsye politike, shkatërrimin e sistemit gjyqësor vetëm të mos i dilte vajza, djali dhe gruaja para drejtësisë, krizën e institucioneve dhe papërgjegjshmërinë e drejtimit ekonomik të vendit. Ai e donte statusin si një kapak floriri për histori kriminale pushteti, që ai po ndërtonte në Tiranë. Evropa u tregua gjakftohtë. Edhe pse ne formalisht i plotësuam kushtet që na vunë, motivi politik dominoi vullnetin e tyre. Ata thjesht kuptuan se regjimi i Tiranës po përdorte Evropën.
Edi Rama nuk ka bërë ndonjë çudi. Nuk ka bërë ndonjë reformë mbresëlënëse që të mahnisë Evropën. Nuk ka mundur të prekë oktapodin e drejtësisë shqiptare dhe as të çojë para drejtësisë përgjegjësit e korrupsionit në vend. E vetmja gjë spektakolare dhe profesionale ishte aksioni i Lazaratit, ku ai rrëzoi për pesë ditë një republikë të krimit, certifikuar nga Sali Berisha.
Por ai pati një qasje origjinale ndaj statusit. Nuk e kërkoi atë si dhuratë personale. Nuk e kërkoi si një kapak floriri për të mbuluar problemet e tij në vend. Për fat nuk ka ende asgjë për të mbuluar. Vizita e tij në Gjermani, angazhimi personal i kancelares Merkel dhe zgjidhja njëra pas tjetrës e çdo hallke mosbesuese, deri tek “PO”-ja e sotme, janë një dëshmi se ne kishim qenë shumë larg statusit. Evropa as që e ka lexuar formularin që na sillte Stefan Fyle në Tiranë. Evropa ka lexuar arsyen politike përse Tirana e kërkonte statusin. Një vit pas ikjes së Sali Berishës dhe degradimit të tij, Evropa po shikon se Tirana e do statusin që t’i lehtësohet beteja me antievropianët e Tiranës dhe të punojë për të merituar standardet që ofron rruga e gjatë drejt anëtarësimit. Është kjo arsyeja që na e dhanë. Kur e shikojmë sa punë u desh këto muaj t’u mbushnim mendjen, e kuptojmë sa larg kemi qenë para 23 qershorit. Dhe jo për faj të PD-së apo të mungesës së dëshirës së tyre. Por për faj të një njeru, të cilin Evropa e shikonte si mishërim të dështimit të saj në Ballkan, të një njeriu që në Samitin e Mynihut ngriti akuza kundër “kurvës Evropë” për albanofobi dhe që turfullonte përse Perëndimi nuk legjitimonte krimet e tij, duke i dhuruar statusin. Ai njeri na ndihmoi seriozisht për marrjen e statusit pas 23 qershorit, kur Evropa e pa që ai po luste dështimin tonë. Është e vetmja meritë e tij, pasi ka qenë dhe një nga motivet kryesore pse diplomatët u angazhuan, mes të tjerash për të qëruar hesapet me një lider antiperëndimor në këtë vend.