Fundjavën e parë të rifillimit të jetës si një fshat i zakonshëm, në rrugë duken pak njerëz. Rrugicat ende janë të zbrazëta dhe forcat speciale nuk i kanë braktisur pozicionet në pikat më dominuese. Shtëpitë filluan të pupullohen në orët e para të mëngjesit dhe gratë po rivendosin rregullin nëpër oborre e ballkone.
Gjatë natës shumë banorë nxorrën sasinë e fundit të marijuanës që po vazhdon të digjet para kontrollit të policisë. Por gjurmët e kultivimit prej dy dekadash nuk mund të fshihen.
Kudo duket infrastruktura e ngritur në funksion të kanabisit, depozita të mëdha uji, pleh, gropa të hapura, kubikë plastikë për bimët dhe mjete të shumta pune. Në çdo magazinë, stallë apo hangar policia ka gjetur vegla prashitjeje, qindra gërshërë dhe pajisje për tharjen e bimëve.
Fshati popullohet këtë fundjavë kryesisht nga gratë dhe fëmijët, ndërsa burrat u rikthyen pranë familjeve në ato shtëpi ku policia nuk identifikoi bimë të mbjella apo sasi marijuane. Më shumë se dy të tretat e banorëve të fshatit presin përfundimin e veprimeve hetimore për t’u kthyer në shtëpi.
Shumica e mjediseve të shërbimit, bare, lokale dhe dyqane janë të mbyllura ende, por banorët mendojnë se normaliteti është rikthyer. Situata më e vështirë besohet se ka kaluar. Policia po asgjëson sasi të mëdha marijuane, ndërsa kontrollet nëpër shtëpi vazhdojnë me ritme të shpejta.
Deri tani skuadrat e ekspertëve mendohet të kenë krehur më shumë se 60% të hapësirës së fshatit, ndërsa faza e dytë e operacionit për asgjesimin e çdo rrënje kanabis pritet të shkojë paralelisht me rivendosjen e normalitetit në bastionin e dikurshëm të trafikantëve./TCH
↧
Lazarat, në fshat rinis jeta normale
↧