Irani për pak ka shkaktuar surprizën e radhës në Botërorin e Brazilit.
Futbollistët e drejtuar nga Karlos Keiroz kanë arritur që të rezistojnë përballë Argjentinës së yjeve deri në minutën e ’91, kur janë ndëshkuar nga një magji e Lionel Mesit.
Gjatë gjithë pjesës së parë, Irani është mbrojtur me forca të shumta, ndërsa Argjentina ka pasur vështirësi në lojë, edhe pse kishte disa raste të mira me Agueron dhe Higuain për të shënuar.
Në pjesën e dytë është parë një tjetër ndeshje dhe Irani ka pasur disa raste të pastra për të shënuar.
Madje, arbitri serb i ndeshjes ka mohuar një penallti të pastër për iranianët.
Argjentina ka vuajtur shumë gjatë gjithë pjesës së dytë, duke mos krijuar dot raste për shënim.
Por, kur dukej se ndeshja po përfundonte, ka menduar Lionel Mesi, që deri në ato momente ishte markuar ashpër nga futbollistët iranianë.
Ylli argjentinas ka gjuajtur jashtë zone, duke shënuar një gol mjaft të bukur.
Tashmë Argjentina ka gjashtë pikë në grup dhe me këtë fitore ka hedhur një hap të sigurtë drejt kualifikimit.