Ajo që ndodhi pas aksionit të policisë në Lazarat, dëshmon se shtetit shqiptar i është kthyer në normalitet bashkëjetesa me krimin. Janë së paku tre institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar, që nuk ndjekin dot ritmin e policisë për të kthyer normalitetin në vend.
I pari është Presidenti i Republikës. Pafuqia e tij në këtë rast nuk ka të bëjë me hallet fizike që ka, por me të kapurit në befasi nga rikthimi i shtetit në Lazarat. Duke qenë një fanatik pa tru i Berishës, presidenti në detyrë, jo vetëm që nuk ka inkurajuar në asnjë moment aksionin e policisë, por ka heshtur sikur ka zi, pas suksesit të policisë. Heshtja e tij është një sinjal ogurzi për drejtësinë dhe institucionet e tjera të shtetit, për ta parë vendosjen e normalitetit në Lazarat si prioritet.
I dyti është kryeprokurori i Republikës. Ndërkohë që ai bën takime me ministra, flet për task forca të përbashkëta kundër korrupsionit dhe përpiqet të bëjë politikë me arrestimet, në aksionin më të rëndësishëm të policisë së shtetit shqiptar, për kthimin në normalitet të një territori që ishte për 20 vite zonë e lirë për krimin, ai nuk ishte me policinë. Ai duhet të kishte bërë gati me forcat e ndërhyrjes në terren, grupe të gatshme prokurorësh dhe oficerë të policisë gjyqësore, për dokumentimin e provave dhe krimit që ka brejtur për 20 vite shtetin shqiptar.
Pas hyrjes së policisë, pamjet nga Lazarati janë shkuse. Në çdo shtëpi ka drogë dhe armë. Rrugët janë të mbushura me thasë me hashash, ka disa laboratorë të drogave të forta si heroina, janë gjetur disa vendqitje kundër policisë, janë gjetur armë të gjitha llojeve dhe ende nuk janë kapur personat në kërkim, që kanë qëlluar mbi policinë. Kaq paligjshmëri për metër katror, dhe kaq pak prokurorë në vendngjarje të tilla, nuk besoj se ka në asnjë vend të botës. Duket sikur prokuroria ishte e para që nuk besonte se policia do të vendoste kontrollin, dhe pasi kjo ndodhi, ka një ngadalësi vdekjeprurëse për zbardhjen e paligjshmërisë në këtë territor krimi.
Lazarati nuk është një krim i lazaratasve. Ata kanë qenë banorë të tij, të përfshirë në një aktivitet kriminal, edhe pse shteti shqiptar i abandonoi dhe i la në dorë të mafies. Ne nuk mund t’u kërkojmë grave dhe burrave të Lazaratit pas 20 vjetësh, pse u inkriminuan, pse mbollën hashash, pse strehuan kriminelë, pse mbajtën armë, etj. Ne i lamë ta bënin këtë. Sot që ky territor u çlirua dhe Lazarati nuk është më republikë e krimit, por një fshat normal, ne duhet të dokumentojmë krimin që të mos përsëritet. Prokuroria është larg ritmit të policisë, me të cilin u çlirua ky territor, dhe druaj se do taë dështoj këtë proces. Nëse kjo ndodh, ajo godinë duhet trajtuar si Lazarati.
Pas prokurorisë, dhe Gjykata e Krimeve të Rënda duket se e mori lehtë këtë proces. Angazhimi i tyre duket i përciptë, brenda rutinës së përditshme dhe jo si një angazhim special që ka rëndësi për të treguar fuqinë e shtetit.
E gjithë kjo vjen nga një mentalitet ambientues i shtetit shqiptar me krimin. Përveç Presidentit të Republikës, i cili e ka edhe dhimbje rënien e Lazaratit, prokuroria dhe gjykata e kanë paaftësi dhe inkriminim. Nga droga e Lazaratit nuk janë paguar bujqit në Lazarat më shumë se gjykatësit dhe prokurorët e këtij vendi. Nëse bujqit kanë marrë 200 euro për kilogram. Prokurorët dhe gjykatësit, për të liruar shokët e Gates kanë marrë miliona. Paratë e drogës së Lazaratit janë një nga arsyet përse sistemi ynë i drejtësisë ka përfunduar në duart e mafias dhe ngadalësia e tyre për të vepruar në këtë rast, ka të bëjë edhe me historinë e tyre kriminale, të lidhur me bosët e krimit që strehoheshin dhe mbijetonin nga droga e shtetit të Lazaratit.
Sidoqoftë, sot në Lazarat është vendosur normaliteti. Njerëzit do mësohen dita- ditës se ëndrra mbaroi dhe do fillojnë të jetojnë si gjithë të tjerët me punë bujqësore, bimë medicinale, etj. Fëmijët e tyre nuk rriten në një lagje me persona në kërkim, dhe ata vetë nuk do jenë të detyruar të jenë pjesë e një strukture kriminale, që kishte mposhtur shtëtin shqiptar. Për këtë arsye, shteti shqiptar duhet të veprojë shpejt dhe me përgjegjësi për të dokumentuar krimin, për të penalizuar atë dhe për t’i dhënë fund një historie kriminale që mbante peng Shqipërinë.
Banorët e thjeshtë të Lazaratit mund të amnistohen për veprimtarinë e tyre si fermerë, por më parë krimi i tyre duhet të dokumentohet. Ata mund të amnistohen pasi dhe shteti shqiptar ka faj që i la në mëshirë të mafias së drogës, por bosët e drogës dhe republika e krimit duhet të marrë fund përgjithnjë. Ky është një test i rëndësishëm për Presidentin e Republikës, të cilit gati po i pushon zemra që Lazarati nuk është më kështjellë e Doktorit. Por ky është një test i rëndësishëm dhe për prokurorinë dhe gjykatat, për të kuptuar se në këtë betejë ata janë me mafian e drogës apo shtetin shqiptar. Nuk duhen lejuar të kenë një këmbë andej dhe një këtej.