Shqipëria po përballet në orët e fundit të vendimit për marrjen e statusit me një problem financiar, shkaktuar nga litari jashtë që Sali Berisha i ka lënë Shqipërisë në përpjekjet e tij prej pazarxhiu për ta blerë statusin e vendit kandidat, dhe pastaj nga hakmarrja për mosmbajtje pazari. Burime të besueshme diplomatike thonë se Praga po rrit presionin në orët e fundit për të vënë veton e saj ndaj marrjes së statusit, duke rihapur çështjen e problematikës së krijuar mes qeverisë së Berishës dhe CEZ dhe dështimit të privatizimit. Duke qenë se çështja është në arbitrazhin ndërkombëtar, rezultati i të cilit nuk dihet si mund të jetë, Praga po bën presion për një pagesë që mund të shkojë tek rreth 200 milionë euro si kusht për mbajtjen hapur të bisedimeve për këtë çështje, pa na bllokuar për statusin e vendit kandidat.
Privatizimi i kompanisë OSSH dhe blerja e saj nga CEZ, ka qenë një nga historitë e mëdha korruptive të Sali Berishës, i cili shiti një pasuri kombëtare me kushte diskriminuese për vendin, duke bërë pazar politik me shpresë se presidenca çeke do t’i pranonte aplikimin për statusin e vendit kandidat në prill të vitit 2009, përpara zgjedhjeve. Aq shumë rendi pas kësaj skeme Sali Berisha në vitin 2009, sa bëri tre pazare të mëdha me qëllim që çekët t’i pranonin kërkesën dhe disa vende anëtare të BE ta mbështesnin. Kështu ai vrapoi në Pragë, në një kohë që nuk ishte i mirëpritur në Bruksel për të aplikuar. Pastaj vrapoi të firmoste marrëveshjen detare me Greqinë, me qëllim që ajo të bëhej mbështetëse e aplikimit, i bleu me kushte skandaloze helikopterët në Francë tek Sarkozi, me qëllim që Franca të mbështeste aplikimin, dhe bëri karagjozllëqet e parqeve eulike me Berluskonin, duke instaluar mafian e jugut të Italisë në Shqipëri, që të dukej se kishte mbështetje. Të treja pazaret na rezultuan problematikë dhe zarfi i Berishës u hap pas gjashtë muajsh, dhe akoma nuk është vulosur. Helikopterët e Sarkozisë na shkuan shtrenjtë dhe krijuan konflikt me kompani amerikane për blerje jotransparente, me marrëveshjen detare na la një problem të hapur me Greqinë, që po ashtu mund të na kushtojë shtrenjtë, ndërsa me Italinë thjesht forcoi traditën e të sjellurit të investiorëve joseriozë në Shqipëri.
Katër vjet më pas, privatizimi i tij, i trumbetuar me bujë, CEZ ka falimentuar dhe në procesin e falimentimit shteti shqiptar është sjellë si harbut. Edhe pse çekët kanë përfituar nga kontrata e blerjes, mënyra si u prish kontrata pasi Berisha nuk i përdori dot për pazaret e tij, ishte brutale. Ish- ministri i Brendshëm, Flamur Noka, sillej nëpër ekrane TV si me qenë pronar i CEZ, dhe mjafton ajo pamje dhe ato deklarata që CEZ të jetë në të drejtën e vet, për të kërkuar llogari. Në Evropë nuk të shfajëson dikush pse ke një ministër idiot. Ai është problemi ynë, jo i atyre.
Por këto probleme të mbledhura nga logjika e pazareve e Sali Berishës, po kthehen në një gurë të rëndë në qafën e Shqipërisë, e cila po trajtohet sikur të ishte Sali Berisha, pra po bëhet pazar me të. Oferta për t’u paguar çekëve 200 milionë euro për të na dhënë statusin, është fyese, pikërisht për faktin se ata e shikojnë Shqipërinë si një vend që këtë punën e CEZ e ka pasur pazar politik dhe jo pasuri kombëtare në shitje në treg. Duke ngatërruar Shqipërinë me Sali Berishën, Praga po vë në provë dinjitetin e shtetit shqiptar dhe nevojën jetike që ka Shqipëria për të marrë statusin në fund të qershorit.
Në këto kushte është jologjike që Shqipëria të vazhdojë të veproj me logjikën e Berishës, i cili nuk donte ta meritonim statusin, por donte ta blinte atë për interes të pushtetit të vet.
Shqipëria ka marrë tanimë mbështetje të qartë politike për marrjen e statusit, ka gjetur gjuhën e përbashkët me vendet më të rëndësishme të Evropës, dhe ka marrë rekomandimin politik nga Komisioni Evropian. Është e palogjikshme që ajo tashmë të blejë pengesat që i dalin para nga pazaret gjysmake të Sali Berishës. Nëse statusi do të refuzohet se çekët duan 200 milionë euro, nuk duhet negociuar. Le të refuzohet. Por pas kësaj duhet të marrë fund historia e atyre njerëzve që i kanë bërë varrin Shqipërisë dhe i kanë lënë dhe litarin jashtë, që të mos e marrë më veten. Statusi nuk mund të blihet. Ai ose jepet si një vendim i familjes evropiane, ose nuk jepet. Është fyese ta trajtojmë statusin si çështje e pazareve të prishura mes çekëve dhe Berishës. Duke refuzuar këtë pazar, bëhemi më evropianë pa status, se evropianë me status të blerë sipas traditës së një pazarxhiu, i cili nuk ia doli dot ta pengonte me dhunë dhe tani po e pengon me pazaret e prishura të tij.