Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Nafta jonë në emergjencë

$
0
0

Sociale_Aktualitet_Nafta_puste_810553201Nga ing. Ahmet Çollaku

 

Vite më parë në një qytet jetonte një njeri që bënte vetëm  prapësi. Kur ai ndjeu se po i vinte fundi, do vdiste, la amanet që litarin e qivurit t’ia linin jashtë. Ai vdiq dhe me litarin u bë siç desh ai, gjysma në gropë e gjysma tjetër mbi tokë… Po megjithëse i vdekur, prapësitë e tij nuk mbaronin. Aty pranë  kalonte rruga dhe njerëzit sa herë që ecnin, pengoheshin tek litari dhe rrëzoheshin. More, nisën të flasin njerëzia, nuk u ngop ky me prapësitë kur ishte gjallë po edhe i vdekur nuk do të na lërë rehat? Kështu po ndodh edhe me Berishën…

Nafta jonë, tani për tani është një ekuacion i vështirë. Si paratë, edhe të dhënat e naftës fshihen nëpër xhepat e berishistëve, të cilët janë nga të gjithë krahët. Berishistët i janë ngjitur edhe z.Rama dhe shtiren se do të jetojnë si  siamezë. Berisha me kompani po bëjnë gjithçka që nafta të mos dokumentohet, po jep viza për jashtë, po falsifikon grafikë, lë ca fotokopje gjoja si origjinale. Berisha duhet të raportojë në parlamentin shqiptar në ç’gjendje po e lë industrinë e naftës, si janë katandisur studimet e naftës …

Kërdia më e madhe po bëhet sidomos nëpër administratat e kompanive të huaja koncesionare, të cilët kanë vënë në lëvizje  emra të tjerë, të dhëna të tjera. Nafta po kalon nga politika demokratike, në politikën socialiste. Po cilët do të jenë ata që do të marrin këta inventarë? Specialistët, deputetët, këshilltarët e z.Rama apo këshilltarët e ministrit? Apo asnjëri?! Nafta jonë është në pavijonin e emergjencës, nuk pret më. Është në gramat e fundit! Çfarë bëhet në zyrat e AKBN-së, AKHN-së, në METE-e? Tani kjo Shqipëri e uritur dhe e turpëruar para botës, që vret në mes të ditës njerëzit e saj, nuk ka kohë të presë Venizelosin e Greqisë. Nëse kjo qeveri do të luajë ping-pong me detin tonë, atëherë mos ngelet shqiptarë në këmbë.

Kompanitë e huaja në Shqipëri, që merren me  naftën, janë shtete  autonome. Pa më thoni, cilët janë drejtuesit realë të këtyre kompanive? Klikoni në internet, keni për të gjetur disa gjoja specialistë super të kualifikuar që krekosen nëpër ato faqet e lira. Asnjë lloj informacioni apo e dhënë nuk po i jepet këtij populli.

Nëse z.Rama, këto procese kontrolli dhe menaxhimi do nisë t’i bëjë pasi të vërë në kokë kurorën, Shqipërinë e mori lumi. Ai duhet të zgjedhë sa më parë specialistët që do marrin këto kontrolle, specialistë të ndershëm, pa parti. Po fatkeqësisht specialistë të tillë janë të rrallë, prandaj ai duhet te mendojë mirë ku të vërë dorë dhe t’i marrë sa më shpejt. Nesër do të jetë shumë vonë, nesër problemet do të ngatërrohen më shumë.  Tani për tani nuk është koha për CV,  tani jemi në një luftë të ftohtë, të egër, dinake, kush ta vjedhë Shqipërinë më shumë nga deti, nga qielli, ta lërë pa një pikë nafte, pa kandila dhe pa llamba vajguri. Kjo forcë e re politike dhe administrative me kohë të kishte hapur rubrikën OPINIONE, ku gjithë specialistët e naftës, me titull e pa titull, me CV-i e pa CV-i, do tregonin rrugët çfarë duhet bërë me naftën shqiptare. Nëse ju nuk e hapni sa më shpejt këtë rubrike, ju do të përfundoni si Berisha.  Pra, ato CV-të që thoni ju, nuk i zgjidhin problemet e naftës, përkundrazi ato do ta komplikojnë punën më shumë. Nëse CV-të do të ishin zgjidhje, atëherë përse këta të huajit bashkë me tanët me CV të arta, për njëzet vite nuk kanë zbuluar asnjë vendburim nafte? Përgjigjen ua jep prof. Alfred Frashëri në një shkrim të artë botuar tani afër në shtypin shqiptar. Po a e ka marrë z.Rama mundimin ta lexojë, apo ka në agjendë vizitat jashtë shtetit? Problemet e naftës shqiptare janë më të rëndësishme se vizitat e tij jashtë shtetit.

Pra, kjo Shqipëria ime dhe e juaj, po vidhet si kurrë ndonjëherë tjetër sepse, si komunizmi, edhe berishizmi nuk ka për t’u kthyer më në këtë vend sado investime të bëhen nga brenda dhe nga jashtë. Çdo ditë nxirret dhe vidhet naftë. Kalimi nga PD në PS është shkatërrues, me përmasa të mëdha, që pa dyshim do të lërë shumë viruse të tmerrshme. Kështu, në këtë kohë gjoja kalimtare, Berishës i jepet mundësia të bëjë kërdinë, t’ia lërë fajin zyrtarisht PS-së, kurse ne popullit fletoret e borxheve të brendshme dhe të jashtme. Po shitet ARMO, bota po na hedh plehrat e VC-ve…

Kryetari i ri i shtetit tonë nuk duhet te vijë rrotull nëpër botë, nuk ka përse të kërkojë kredibilitet, sepse e gjithë bota  na njeh mirë kush jemi. Nëpër botë nuk ka panaire shqiptare, ka keqardhje. Ky shef i ri duhet të veshë çizmet, të thërrasë specialistët dhe të zbresë nëpër vendburimet e naftës shqiptare, të shikojë si funksionojnë mushkëritë e Shqipërisë. Kjo është detyra e tij e parë!! Ajo e Toni Blerit, e Turqisë, Italisë, Greqisë dhe me radhë, janë për kohën e lirë, nëse ka kohë të lirë. Sikur lajmet shqiptare të shkruanin se z. Rama vizitoi vendburimin e Cakranit, Gorishtit, Delvinës,  Marinzës apo të  Kuçovës, gjithë shqiptarët do t’i luteshin Zotit të madh që atij jeta t’i bëhej një mijë, sepse nafta jonë është pasuri shqiptare në tokën shqiptare, është dhuratë që na ka falur Zoti. Shqipëria do të nisë të ngrihet më këmbë nëse z. Rama do anulojë gjithë vizitat e planifikuara jashtë dhe ato marrëveshjet koncesionare, do të anulojë ato bankete qeveritare, do të shkojë të shikojë ku është nafta, kromi, bakri, hekuri, floriri…

Në minierën e Bulqizës çdo ditë shuhet një shqiptar, kurse në fushat e naftës çdo orë rrëzohet një kullë nafte a boshatiset një rezervuar nafte. PS-ja merret vetëm me konstatime, kurse ata  të graduarit e naftës tonë, profesorë, doktorë e me radhë,  kanë rënë në gjumë të rëndë.

Pyesni Berishën sa nuk është rrëzuar për tokë fizikisht, a ka parë ndonjë vendburim nafte shqiptare? Ai në kohen e tij nuk pa asnjë vendburim nafte, lëshoi vetëm ca fjalë që i mori era. Ju të PS-së i lini ato kostume të reja, mos hidhni parfume, shkoni vizitoni vendburimet e naftës tonë, kështu ky popull do t’u mbajë në krahë. Shkoni shikoni  me sytë tuaj kush i administron ato vendburime, dëgjoni ulërimën e vulfave, dëshmitarë si vidhet nafta shqiptare.

Ne duam që kjo skuadër e re të na thotë sa naftë marrin të huajt nga gjithë vendburimet e naftës shqiptare, të gjejë sa më parë  specialistët gjeologë-gjeofizikë-shpuesa-prodhuesa-përpunuesa, ata që do të hartojnë projektet e para pas komuniste dhe berishiste. Nafta në Cakran, Gorisht e me radhë, nuk ra nga qielli… Ka vite që pret nafta në Pekisht, Galush, Elbasan, Papër, Rovë, Petrelë, Tiranë, Depresioni i Tiranës, radhën do ta vazhdojnë gjeologët Dhimitër Gjenerali, Engjëll Përrenjasi, Kadri Rama, Vangjel Kiçi, Telo Velaj, Alfred Frashëri, Ziver Meko dhe shumë të tjerë…

Problemi në naftë nuk është aq i vështirë sa duket. Z.Rama të shpallë në rang kombëtar sa më parë një konkurs për zbulimin e vendburimeve të naftës. Projekte me detyra dhe të drejta për autorësinë. Aty do të shikojmë ata profesorë dhe doktorë me yje, dhe ata të thjeshtit, aty ne atë konkurs do të radhiten ato CV-të së bashku me objektet konkrete të naftës. Sipas ligjeve, autorët do të marrin pjesën e tyre. Problemi është cilët do të jenë në komisionin që do të vlerësojë këto projekte dhe kondicionet që do të vendosen për to. Në këtë aplikim do të shikojmë ata që llomotitin përditë për vlerat e tyre të mëdha. Do t’i shikojmë! Ky konkurs për naftën do ta ngrinte më këmbë këtë Shqipëri të gjunjëzuar dhe kryqëzuar.

Qeveria e Ramës duhet t’i gjejë sa më parë ku janë interpretuesit tanë sizmikë me vlera të testuara në botë Çaush Xhufi, Shkëlqim Muskaj, Edi Maili, këta shkencëtarë shqiptarë  kontemporanë, do t’i korrelojnë ato objekte perspektive. Më pas kërkoni shkencëtarët apikativë Ramadan Perhatin, Fatmir Shehun, Maksim Shulin, Bashkim Çelën, Gjergji Foton…

Z.Rama ka kohë që mban në raftin e tij librin “Nafta dhe politika”, shkruar nga ish- deputeti Maksim Shuli. Ndihem i trishtuar kur autori i këtij libri më thotë se z.Rama nuk i ka shkruar dy fjalë të vetme për këtë padi të hapët burrërore.  Akoma më shumë, naftës i takon një pushtet më i madh, të ketë ministrinë e vet, Ministrinë e Naftës. Shtetet e botës me dy pika nafte, lëshojnë satelitë dhe raketa, ndërsa ne e administrojmë naftën tonë me një stan militantësh, që ndërrojnë partitë çdo legjislacion.

Specialistët shqiptarë janë mjekët e pavijonit të emergjencës  së naftës shqiptare, ata kanë vite që presin të projektojnë, të nxjerrin naftë fontana si ajo e Cakranit. A e di kjo forcë e re politike sa specialistë gjeologë-gjeofizikë nafte dhe shpuesa i kanë ngelur kësaj Shqipërie? Shumë pak, prandaj vraponi t’i gjeni sa nuk është vonë, i kërkoni, i takoni, i pyesni… Nëse ju nuk do t’i takoni ata, kjo është fatale për popullin shqiptar. Këta gjeologë me rrudha që e njohin nëntokën tonë, duhet të jenë deputetë, ministra, këshilltarë, ambasadorë, sepse e njohin Shqipërinë nga brenda dhe nga jashtë. Z.Rama duhet t’i takojë ata personalisht një nga një me radhë dhe t’u kërkojë falje që i ka nxjerrë pa punë se si forcë e madhe politike opozitare e këtij vendi, me kohë duhet ta kishte fshirë berishizmin, të mos i linit këta specialistë të merrnin rrugën e kurbetit…

Berisha dhe beniaminët e tij nuk duan të dorëzohen, ata do jenë gjithë kohën hakmarrës dhe keqdashës ndaj shqiptarëve. Gjatë këtyre ditëve të fundit kjo skuadër hajnash po shkatërron çdo gjë. Nafta është në dhomën e emergjencës, kurse Berisha livadhis si një karagjoz, i mbrojtur nga forca të errëta. E djeshmja iku, të nesërmen nuk e dimë, në dorë kemi vetëm të sotmen, thotë Nënë Tereza. Tani e kemi në dorë Berishën, përse nuk e arrestoni?  Mos vallë duhet të marrim leje nga të huajit?! Po, mbajeni mend mirë, Berisha dhe beniaminët e tij do të arratisen sepse me ta është lidhur nafta shqiptare. Kush e mbajti në pushtet gjithë këtë kohë Berishën? Nafta shqiptare!


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>