Vjena e valsit, e Mozartit, e Habsburgëve dhe e Hitlerit, mu në zemër e ka edhe shpatën e atij që ne e njohim si “heroin e kombit”, por në shekullin e ri, ka edhe një histori po aq të madhe për shqiptarët dhe Kosovën! Historinë e bisedimeve që çuan në krijimin e shtetit të Kosovës.
Është vendi që s’do ta ndërroja me asnjë tjetër, i shkroi Mozarti të atit kur mbërriti në Vjenë. Kështu të pëshpërit në vesh zëri që të hap “dyert” e shtëpisë së gjeniut të muzikës klasike në Vjenë. Jo larg këtyre mureve, rrinë të ngritura muret e shtëpisë së atij që gërmoi thellë në psikikën e njeriut, një fotografi e Frojdit dhe divani ku trajtoi pacientët. Disa lagje më tej, rezidenca e Bethovenit. Pak më poshtë, në zonën e vjetër, dyert e mëdha të muzeve, të hapin anën e “rëndë” të artit të botës. Të shfletosh nëpër shekuj, nëpër histori atë që gjenitë i falën botës.
Arti i botës nis kur hapen dyert e mëdha dhe merr fund me kërcitjen e dyerve që mbyllen. Por çdo gjë jashtë mbetet po aq pompoze sa brenda ndërtesave të veshura me ar të perandorisë së dikurshme.
Qyteti pompoz bie e thyhet pak më tutje “unazës së perandorëve”, aty ku patën vënë rrënjë arteriet kryesore të zemrës së kësaj perandorie. Godinat ndryshojnë, fytyrat ndryshojnë, çmimet ndryshojnë e edhe rregullat e thjeshta “të lojës” së një shteti. Jashtë rrethit pompoz nisin ata që në mbiemër kanë një “iç”, të ikurit e ish-Jugosllavisë, të cilët jo rrallë thonë se nuk e dinë më se ku u shtrihet atdheu. Jashtë rrethit nisin edhe shqiptarët. Të paktë e më të rrallë. Por i gjen gjithnjë në sheshin qendror, a para godinave të mëdha, duke shpërndarë reklama dhe ftesa. Jashtë rrethit pompoz nisin dhe turqit e arabët, nisin romët… nisin “miljet e emigrantëve”.
Në Vjenë, më afër Ballkanit, do të thoshte ndonjë vjenez! Çmimi i Ballkanit është gjaku dhe izolimi. Pragjet tjera janë plot dramë. Bota nis dhe mbaron atje. Ata që e bëjnë edhe e shkatërrojnë! Jashtë tij, edhe qetësia di të bëhet e rëndë. Madje edhe qetësia e Danubit, që dikush jo pahiri e quan “lumi i fatit”, me gjithë tokat që prek, i bën tokat perëndimore të jenë më afër e më larg Ballkanit. Rrëfimet dhe legjendat për lumin, supozojnë dhe pohojnë për jetën e tij, derisa ai i sigurt duke vjedhur gjithë ato qytetërime, vazhdon rrugën për në lindje, me një valixhe të pafundme historish.
Më afër Ballkanit, do të thoshte dikush! Çfarë mund të jetë më e mbyllur se vetë gadishulli i këtij emri për të shkuar përtej? Midis sistemeve të mëdha, pa atdhe dhe kufij, thesareve të njerëzimit dhe thesareve të artit, muret bien dhe gjithçka bëhet rrafsh. Por përtej artit dhe shkencës, asgjë nuk luan dhe s’rrënohet. Muret prej këtu dhe andej janë të mëdha, janë të mëdha edhe në Evropën që dikur ishte komuniste, gjurmët e së cilës i prek dhe i vjedh kollaj sapo shkel në tokën çeke a sllovake.
Sa larg perëndimit jemi ne? Sa larg prej atje ku nuk mund ta kuptosh se ku mbaron dhe ku nis kufiri i shteteve, dhe miljeve teposhtë Ballkanit, nëpër Hungarinë e perandorëve dhe Serbinë e carëve, rrugën e prishur përgjatë fshatrave që akoma mbajnë emra shqip dhe kontrolleve të pafundme në kalime kufijsh.
Asnjë regjim nuk është i përsosur, por disa regjime kanë çrrënjosur dhe kanë vrarë. Demokracitë perëndimore janë rritur gradualisht dhe drejtuesit e politikave të Perëndimit kanë vepruar me kujdes e taktikë, duke e fshehur para publikut egoizmin personal dhe shfaqur interesin politik. Asnjë shoqëri nuk është e përsosur, por deri te “përsosmëria” kërkohet vetëdijesim, rregulla dhe përgjegjshmëri, deri atëherë sa demokracia të merret seriozisht. Sa milje larg mund të jemi ne?
Vjena e valsit, e Mozartit, e Habsburgëve dhe e Hitlerit, mu në zemër e ka edhe shpatën e atij që ne e njohim si “heroin e kombit”, por në shekullin e ri, ka edhe një histori po aq të madhe për shqiptarët dhe Kosovën! Historinë e bisedimeve që çuan në krijimin e shtetit të Kosovës.
Sa me fat që vjenezët gjatë historisë, edhe duke qenë miq të serbëve, ishin në anën e shqiptarëve!
Pak vite më parë, kroatët që shumë prej të cilëve pretendojnë të jenë pasardhës të ilirëve, kur e kishin bërë shtetin e tyre i këndonin Gjermanisë “danke Deutschland”!
Ka po kaq arsye që disa pasardhës të dëshmuar të ilirëve, sot edhe 100 vjet pas krijimit të shtetit shqiptar, shqiptarët dhe Kosova të këndojnë “danke Österreich”!
*ZERI