Drejtuesja e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, Elsa Ballauri, e vënë shpesh nën akuzë se ka heshtur gjatë këtyre viteve ndaj ngjarjeve të rënda në vend, është bërë e gjallë dhe ka komentuar me tone të ashpra çështjen e strehimit të romëve, për të cilën u bë alarm nga BE dhe OSBE.
Sipas Ballaurit, romët po dëbohen nga barakat e tyre pasi në atë tokë do të ndërtojë Mihal Delijorgji.
Duke folur për A1Report, Ballauri tha: “Nuk u ndodha në Tiranë në konfliktin te Rruga e Kavajës. Policia vajti dhe nuk bëri asgjë. Pronari që e ka marrë, Delijorgji, është personi që ka pronën në posedim, sipas informacioneve që kanë kolegët e mi. Ai i ka larguar njerëzit. Policia ka biseduar me të dhe më pas u ka thënë njerëzve “duhet të dilni se ai ka të drejtë”.
Kemi mosvëmendje gjithmonë e më tepër ndaj qytetarit. Njerëz që shpërngulen, duke vepruar sipas disa ligjeve strikte, teknike, që duhen zbatuar, por jo duke shkelur ligjet humane. Nuk po rregullojmë marrëdhënien e shtetit me individin në aspektin e të drejtave të njeriut, duke e respektuar atë.
Rasti i romëve është një veprim i jashtëzakonshëm dhe shumë flagrant. I kemi pasur këto të përsëritura dhe të çudit përsëritja, se si nuk ka një rregullim, por ndodhin me të njëjtin intensitet, shkallë diskriminimi, pafytyrësi, inat dhe siguri. Me të njëjtën siguri shkelen ligjet, dhunohet jeta e tjetrit, nuk respektohen të drejtat me sigurinë më të madhe. Nga ana tjetër flasim për integrimin, parimet. Dhe thonë se për romët po bëhet diçka. Në fakt, thjesht po thuhen, por nuk ka zgjidhje të problemit”.
Edhe mediat kanë përgjegjësi në këtë rast. Nuk duhet vetëm informacion. Ka vetëm ngjarje, raste që shfaqen. Mungon një sensibilizim i mirë, ngacmim të vetë medias, të një debati. Jepen ngjarje false, të sipërfaqshme, aspak serioze për nivelin e sigurisë apo pasigurinë në Shqipëri. Nuk ka një ngacmim njerëzor, që vjen nga vetë individët, përfaqësues të mediave, shoqërisë shqiptare. Kjo tregon lidhje të ngushtë, historike në kulturën shqiptare të diskriminimit që kanë shqiptarët”./ep