Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Mes atyre pak premtimeve

$
0
0

20130709055147alqiNga Alqi Koçiko

 

Shpesh revista Klan i kushton një hapësirë të veçantë temave dhe problematikave të sportit. Nuk është thjesht joshja dhe simpatia që tërheqin këto tema ndër lexues, arsyeja e kësaj vëmendjeje. Natyrisht që përballë çështjeve më prioritare dhe problematikave më urgjente të realitetit shqiptar, duket si “i ngeshëm” fokusimi në sektorë që tek e fundit, nuk është se kanë lidhje “me bukën e gojës”. Aq më tepër që siç është e kuptueshme, as sporti nuk ka sesi të bëjë përjashtim e mos vuajë nga ato simptoma që karakterizojnë gjithë shoqërinë, e rrjedhimisht kemi pak gjëra për t’u krenuar.

Por dihet që aktivitetet sportive, ashtu siç i japin gjallëri, kënaqësi dhe oksigjen jetës personale të njeriut, të njëjtin rol luajnë dhe për organizmin e gjallë të një vendi. Një kampionat me nivel dhe konkurrencë të mirë sportive, (në rastin tonë futbolli, diku tjetër sporte të tjera), më e pakta i jep kohezion dhe larmi jetës qytetare, e mbush atë me ngjyra. Në planin afatgjatë, nxit brezat e rinj ta mbushin kohën e lirë në mënyrën më të shëndetshme të mundshme dhe t’i japin kuptim jetës së tyre. Prandaj sot e gjithë ditën, me të drejtë trishtohemi për ngushtimin për të mos thënë zhdukjen e mjediseve sportive, për trukimin e ndeshjeve në kampionat, për bjerrjen e cilësisë sportive gjatë kësaj epoke, apo gëzohemi për arritjet e “çuditshme” të Kukësit sezonin e kaluar, për ndeshjet e bukura të Kombëtares së futbollit, e akoma më shumë për medaljet kampione të peshëngritjes. Na fut në ankth fakti që fëmijët tanë është gjithnjë e më e zorshme t’i angazhosh në aktivitete sportive, madje nuk i nxjerr dot as poshtë banesës; duke u lënë si ngushëllim të vetëm pajisjet elektronike dhe garancinë se herët e vonë do përdorin syze optike. Dikush mund të thotë se prindi sot e ka vetë në dorë ta angazhojë fëmijën me sporte. Por në përditshmërinë e gjithsecilit kjo do të thotë ta regjistrojë diku me pagesë, ta çojë me makinë e ta marrë; duke e bërë aktivitetin sportiv një luks për ca, dhe jo një mundësi për gjithkënd.

Deputeti Fidel Ylli prezantoi së fundi atë që mund të quhet programi i kësaj mazhorance për sportet. Në fakt, Ylli ka folur që gjatë fushatës për një projekt të së majtës kur të vijë në pushtet, por për hir të së vërtetës, në këso rastesh pakkush i beson vërtet projektet elektorale. Ditët e kaluara ai dha detaje konkrete. Dhe nuk është fjala thjesht për një paketë reale shpërblimesh dhe trajtimi për sportistët elitarë, që mos t’i shohim nesërdej të garojnë për flamujt e vendeve fqinje; por për shndërrimin e kompleksit Dinamo në një qendër olimpike kombëtare, për restaurimin e ringritjen e mjediseve të tjera sportive. E më kryesorja, mendoj unë, është rifutja e programeve sportive në shkollat e vendit. Për këtë, nuk duhet të kemi ndonjë kompleks “diktatorial” nga sistemi arsimor i kaluar, e as nga terma me ngjyrime soc-realiste si masivimi i sporteve etj. Sepse përveçse është shëndet fizik për individin, sporti është tubi më i mirë i shkarkimit për toksinat dhe plagët e një shoqërie.

Premtimet e një partie në fushatë elektorale, edhe në vendin më të konsoliduar demokratik e të zhvilluar ekonomikisht, nuk mund të realizohen të gjitha. Mbase as gjysmat e madje më pak. Ky është fakt edhe për votuesin më inteligjent. Por nëse ndër ato pak premtime të mbajtura të kësaj mazhorance, do të figurojë edhe mbyllja e një kapitulli të errët e kaotik për sportet në këtë vend, dhe hapja e një shprese të re, atëherë kjo do t’i japë jo pak pikë në sytë e elektoratit. Qoftë dhe për këtë arsye “meskine”, kjo qeveri duhet ta vazhdojë me realizimin konkret të këtyre projekteve. Të cilat nga ana tjetër, duhen parë edhe në një optikë më të veçantë: Një deputet dhe ish kreu i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, njihet për dobësinë që ka për sportin dhe njerëzit e kësaj fushe. Ai nuk është ministër (mund të ishte) por bën ç’ka në dorë për të përmirësuar diçka në këtë lëmë. Padyshim që Ylli nuk ka vaktin e as ngenë për lëvdatat e askujt, por nëse deputetët, nga çdo forcë politike, do kontribuonin me ekspertizën e tyre në bujqësi, energjetikë, arsim e gjetiu, mbase sot do flisnim për nivele të tjera shqetësimesh e problemesh. Përballë të cilave, këto të sotmet do na dukeshin si të botës së tretë. Siç janë në të vërtetë.

*Revista KLAN


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>