Bujari më në fund ju uron siç duhet. Nuk ka bërë as vjershë nga ato që bën për Vit të Ri dhe as gafa nga ato që flasin për lindjen e Krishtit për Pashkë. E ka menduar gjatë, e ka konsultuar, e ka parë dhe riparë, më në fund e ka gjetur. Sot kemi Pashkë! Urime Bujar. E gjete!
Po si ka ndodhur e gjithë kjo?
Për të mos u ngatërruar, Bujari kishte thirrur paradite në zyrë tre vetë, Jozin si katolike, Pollon si ortodoks dhe Aldon që është edhe mysliman, edhe katolik. Kishte thirrur në takim dhe dy këshilltarët e tij. Në fillim e nisi me Jozin.
-Urime për festën, i tha. Do të doja që urimin e këtyre festave për katolikët të ma shkruaje ti.
-Po mar Bujar, e shkruj veq du me ta dhënë veq ty. Se mos ia jep Lul Bashës se nuk duroj dot me ndigju urimin tim të dalë nga gojë e atij.
-Në asnjë mënyrë, i tha Bujari. Unë të thirra për të të respktuar. Ndaj e dua nga ty urimin për këtë festë drejtuar katolikëve.
-I’tash ta baj mar, nuk asht problem, tha Jozi. Veç Lul Basha mos ta lexoj se ma ndyn.
Bujari po priste që Jozi të thoshte nëse ishin Pashkë apo Krishtlindje, po nuk e tha. Kjo e vuri në siklet.
-Po provoj një herë me Pollon, tha, mos e nxjerr ky padashje.
Pastaj u drejtua nga Pollo.
-Desha dhe nga ty urimin për këto festa, drejtuar ortodoksëve.
-Patjetër, tha Pollo dhe u mendua pak. Shiko, tha. Po të kontrollosh tek biblioteka që ka pasur atëherë Doktori këtu, duhet të jetë një libër në anglisht, një lloj enciklopedie amerikane, duhet të ketë një fletë të verdhë nga ato ngjitëset, se i kam pasë gjetur unë këto urimet fetare në anglisht dhe ia kam pasë dhënë Doktorit. Ta kërkoj mos e gjej.
-Po lëre atë, tha Bujari, bëj një gjë të thjeshtë vetë dhe ma le tek sekretarja. E dua urim origjinal, ndaj të kam përzgjedhur si ortodoks.
-S’ka probem, e bëj, tha Pollo, po të hedh ndonjë sy vetë mos gjej ndonjë libër që ta kemi tamam.
-Po le o burrë, tha Nishani, ça libri, po shkruaj vetë një fjali.
-Po aty e kam hallin, tha Pollo, se nuk di si ta filloj. Aty në libër është e thjeshtë se vetëm e kopjon.
-Punë dreqi, tha Bujari me vete. As ky nuk e thotë çfarë feste është.
Pastaj Bujari u kthye nga Aldo. -Ti Aldo do t’i marrësh të dy urimet dhe do të m’i shkrish në një, i tha. Të kam zgjedhur ty ngaqë je edhe mysliman, edhe katolik.
-Patjetër, i tha Aldo. Unë dua një fjali nga Jozim një fjali nga Pollo dhe i marr dhe i shkruaj njëra pas tjetrës.
-Po jo aq mekanikisht, tha Bujari, se ashtu e bëj vetë unë.
-Ok, po lë pak hapësirë, tha Aldo.
-Nejse, bëje si të duash, i tha Bujari, me shpresë se dhe Aldo do ta përmendte çfarë feste qe. -Rëndësi ka të thuash qartë çfarë feste është dhe përse duhen uruar besimtarët. Këtë nuk duhet ta ngatërrosh.
Aldo e mori si detyrë, u çua, shkoi në arkiv, hapi urimin e një viti më parë të Bujarit dhe e shënoi festa e lindjes së Krishtit.
-Je i sigurt për këtë, i tha Bujari kur e pa.
-Shumë i sigurt, i tha Aldo. E pashë në arkivë. Kështu e kishe bërë vjet.
-A, bravo, i tha Bujari. Atëherë e kemi thjeshtë. Sivjet është e kundërta.
-Ou, tha Aldo me vete. Nuk e dija që kur jemi ne në opozitë në prill, qenkan Pashkët. Kjo tregon se Doktori do ringjallet, tha me vete dhe e kaploi një gëzim i papërshkruar.