Kastriot Kolndreu, shkodrani që ka ndarë qelinë me Kudret Kumen, i torturuar barbarisht nga gardianët grekë, rrëfen për Shekullin momentet e fundit së bashku.
“Jemi njohur në Malandrino. Për dy vite me radhë kemi ndarë gjithçka bashkë. Kemi patur edhe një djalë tjetër nga Saranda që qëndronim gjithë kohës bashkë. Madje edhe gjyqin e fundit e patën thuajse në një kohë dhe prisnim të liroheshim në të njëjtën ditë bashkë. Mjerisht Kudreti nuk ia doli dot. E mbajtën padrejtësisht ashtu siç kishte kryer vite të tëra po padrejtësisht.
Kemi bërë gjyqin në të njëjtën kohë dhe kishim për t`u liruar. Kudretit ia shtynë vetëm se i kishin gjetur një celular në qeli. Ata shpikin çfarë do që duan, kur duan të të mbajnë brenda. Edhe mua më mbajtën dy muaj kot, paçka se kisha për të dalë prej burgu. Është një praktikë që gjithnjë e ndjek drejtësia greke me ne shqiptarët. Ta shtyjnë afatin e lirimit dhe përgjatë kësaj periudhe të provokojnë. Ai gardiani që i mbeti në duar Kudretit, vetëm atë punë bënte. Jam i sigurt se edhe atë ditë që është përballur me Kudretin, ka qenë duke kryer të njëjtin mision”.
Ai vijon të theksojë se gardiani e ka provokuar Kumen.
“Po, disa herë madje. Tek shtrati im mbaja dy korniza me fotot e dy fëmijëve të mi. Disa herë vinte kontroll dhe nga inati që nuk na gjente ndonjë gjë të jashtëligjshme në dhomë më thyente kornizat. Hynte edhe nëpër dhomat e të tjerëve dhe nëse i gjente ndonjërit rroba firmato, ua merrte dhe ua hidhte në banjo. Ka bërë çfarë s`ka bërë, po ne ishim të pafuqishëm të merreshim me të, se donim të iknim prej burgu dhe mos të na shtoheshin vite, pasi ata nuk përtonin të vinin dënime të tjera me dhe pa prova”.