“Mbi të gjitha plagët, të pashërueshme janë ato,
që burojnë nga gjuha, shikimi me përbuzje dhe tallja!”
Në të vërtetë instikti social është në disproporcion me moshën. Të rriturit, “të velur” nga miqtë e rinj e të vjetër, të favorizuar edhe nga dalja jashtë jetës aktive, ngaqë pensioni është burimi i tyre i të ardhurave më se i mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e përditshme, kanë luksin ta kundrojnë jetën pa qenë të detyruar të shoqërohen me njerëz.
Fatkeqësisht është kështu: Njerëzit që janë në moshë aktive, janë të detyruar të shoqërizohen me njerëz në mjediset e punës, madje përpiqen edhe duke pranuar atë skuqjen bezdisëse në fytyrë, për të krijuar lidhje të reja interesi, përpiqen të buzëqeshin, ndonëse në të shumtën e rasteve pa buzë, përtypin në stomakun e tyre, fyerje të qëllimshme, tallje, shikime me përbuzje sepse janë në gjendje ta bëjnë këtë. Ata thjesht munden.
Të durosh talljen, në fakt kërkon stomak të fortë, dhe është fare e palavdishme, nëse këtë sakrificë e bën thjesht dhe vetëm për të ngjitur një shkallë karriere, në mënyrë që të krijosh ca përfitime materiale dhe ndere fallco, të blera me ato para, që origjinën e kanë tek përtypja e fyerjes… e më pas të autosugjestionohesh, duke e shpëlarë stomakun tënd të sëmurë nëpërmjet gjenerimit të fyerjes e talljes tek të tjerët, të cilët do të kenë një ditë nevojën për “vlerësimin tënd”…
Ngadalë- ngadalë kjo sjellje kthehet në normë dhe njeriu, i cili nuk ka të tillë stomak për të përtypur të tilla ‘gjellë’, linçohet nga klane të caktuara, madje akuzohet si njeri i pakomunikueshëm e arrogant në rastin më të keq, ose ‘timid’ (i turpshëm) në rastin më të mirë.
Këto sjellje janë genetike dhe të paktët njerëz, që jetojnë në këtë shoqërinë tonë (gjithnjë nëse biem të gjithë dakord se mund ta quajmë kështu), të pajisur me disa cilësira personale njerëzore tepër njerëzore pranojnë fatin e tyre dhe i refuzojnë këto tallje.
Mirëpo në rastin e kampeve të internimit, apo në vendet e dëbimit, ose edhe sot në rast se SEKTI i ish- Sigurimit të ka vendosur në rreth (për arsyet e tyre), unë nuk e di pse. Në fakt, unë me ata as jam marrë e as merrem fare, unë me SEKTET kam një marëdhënie shumë përjashtuese) dhe ti ishe/je i detyruar të shoqërizoheshe sepse të duhet të krijoje/të krijosh të ardhura për të jetuar me djersën tënde, mund të përballeshe/përballesh jo rrallë me një fenomen të tillë dhe ngaqë e dije/e di rrezikun që të vinte/të vjen nëse iu bie në sy se e kuptoje/e kupton lojën e tyre, ishe/je i detyruar dhe i destinuar të bëje/të bësh sikur nuk kuptoje/nuk kupton… deri në një pikë….
Ana e keqe e kësaj talljeje ishte/është fakti se, ata rekrutonin/rekrutojnë njerëzit më antipatikë e të pamoralshëm, të cilët komplotonin/komplotojnë dhe ndihmoheshin/ndihmohen ndërsjelltas dhe kështu ti filloje/fillon të mendoje/të mendosh në mënyrë të padrejtë se gjithë rraca njerëzore është e keqe dhe të arrije/të arrish në konkluzione të gabuara se, ia vlen më mirë të jetosh i vetmuar, madje disa shkojnë më larg duke pranur më mirë kafshët sesa njerëzit.
Prandaj dhe Petrarka që e donte me forcë edhe në vazhdimësi vetminë, ka dhënë të njëjtën arësye për të përligjur dëshirën:
Kam pasur kërkuar jetën vetmitare
(Brigjeve,fushave dhe pyjeve),
Për t’i shpëtuar këtyre mëndjemprehtëve shtrembanikë
Dhe pisanjozë,Që rrugën e qiellit kanë humbur…
Por jo; nuk do ta kenë kënaqësinë…këtu do të jemi në fushën e luftës me forca të pabarabarta, por me dëshirën e madhe për vazhdimësinë e jetës dhe jo ‘luftës ‘së ftohtë’, për të nxitur dashurine e jo urrejtjen, për të nxitur dëshirën për punë e studime pasionante e jo gërryerje të pasurive të vendit, për të nxitur njerëzillëkun dhe jo djallëzinë dhe babëzinë, për t’i ndrequr gjërat dhe jo për tu kthyer pas.
Këtu do të jemi në këtë fushë luftë, që jep përshtypjen si një ‘luftë pa gjak’, sepse e tillë është lufta politike në Shqipëri. Ne do të nxisim të rinjtë e do të mbështesim çdo iniciativë në të mirë të RINGJALLJES, por nuk do pranojmë të bëhemi sylesh edhe sikur TALLJA të mos rreshtë kurrë.
Le të tallen ata që nuk e duan bashkimin midis shqiptarëve, sepse edhe ne do të tallemi me ta sa kotë po lodhen!
Këtu do të jemi, “Sy për sy e dhëmbë për dhëmbë”!!!