Ngjarja e prillit 1994, kur posta kufitare e Peshkepisë në Gjirokastër u sulmua nga një bandë e armatosur greke e ku mbetën të vrarë dy ushtarakë shqiptarë dhe u plagosën disa të tjerë, është përkujtuar të enjten nga familjarë dhe kolegë të të rënëve.
Me këtë rast forumi “Djemtë e Gjirokastrës” ka zëvendësuar pllakatën modeste të vënë prej vitesh në këtë vend me një memorial më dinjitoz.
Në 20-vjetorin e kësaj ngjarjeje të rëndë, vëllai i kapitenit të vrarë Fatmir Shehu ka kërkuar edhe një herë zbardhjen e saj dhe vënien përpara drejtësisë të personave përgjegjës.
“Pjesa më e madhe e Peshkepisë e di se cilët e kanë bërë dhe që aktualisht janë të lirë. Shteti ka fjetur gjum deri tani, si të majtët edhe të djathtët”, u shpreh Fiqiri Shehu.
Përveç kapiten Shehut, në atë ngjarje u vra edhe ushtari Arsen Gjini, ndërsa disa të tjerë mbetën të plagosur teksa reparti u mor peng për disa orë nga banda greke.
“Për 20 vjet askush veç familjarëve nuk e ka përkujtuar këtë sulm terrorist të ndodhur në mes të natës. Forumi ynë nderon gjithë ata ushtarakë që ndër vite kanë vënë jetën në rrezik për interesa kombëtare, të cilat kanë hasur përballjen e interesave institucionale”, deklaroi Albi Koçi nga forumi “Djemtë e Gjirokastrës”.
Ngjarja e Peshkëpisë është regjistruar si një prej ngjarjeve më enigmatike të ndodhura përgjatë vijës kufitare me shtetin grek. Banda greke në atë kohë u paraqit në media si pjesë e organizatës MAVI, Fronti për Çlirimin e Vorio Epirit./TCH