Dy vëllezër të vegjël, 5 dhe 7 vjeç, janë mbytur tragjikisht në gjumë nga një gjarpër gjigand.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Kanada.
Pitoni 5 metra kishte mundur të largohej nga dyqani i kafshëve poshtë apartamentit të fëmijëve dhe përmes sistemit të ajrimit u fut në dhomën e vogëlushëve, duke i vrarë.
Poshtë apartamentit të fëmijëve është një dyqan ku shiten kafshë ekzotike, përfshi krokodilë, merimanga, breshka dhe shumë gjarpërinj.
Fëmijët po kalonin natën tek apartamenti i një miku të tyre.
Policia ka kapur gjarprin dhe po heton për ngjarjen e rëndë.
Nënkryetari i Bashkisë së Campbellton, ku ndodhi ngjarja, tha se i gjithë qyteti është i shokuar.
Dyqani Reptile Ocean shprehu ngushëllime për viktimat, ndërsa tha se do pezullojë punën.
Ata u shprehën se gjarprin e mbanin që prej vitit 2001.
Ekspertët megjithatë thonë se sulmet nga gjarpërinjtë ekzotikë janë ekstremisht të rralla.
Mendohet se gjarpri 45 kilogram ra mbi trupat e fëmijëve dhe u mbështoll rreth tyre duke i mbytur./ep