Komisioni Hetimor Parlamentar për lëvizjet në Policinë e Shtetit vijon seancat dëgjimore me ish-drejtuesit e uniformave blu, të cilët janë shkarkuar nga detyra muajt e fundit. Ish-shefi i Antikrimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës Arjan Hoxha dhe ish.zv.Drejtori i Policisë së Tiranës Erzen Breçani iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të komisionit në lidhje me sjelljen e tyre gjatë kryerjes së detyrës dhe arsyet sepse ato ishin larguar. Breçani deklaroi se është shkarkuar për shkak të origjinës së tij nga veriu dhe hakmarrjes së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. “Kam 21 vjet karrierë, kam luftuar me bandat e kriminelëve, kam disa çertifikata mirënjohjeje dhe decorate. Me deputetët e opozitës jam konfliktuar vetëm kur kanë shkelur ligjin, por asnjëherë nuk i kam fyer ata”, ka deklaruar Breçani para komisionit hetimor. Ndërkohë në lidhje me një status të publikuar në faqen e tij në rrjetin social Facebook, ish/zv.Drejtori i Policisë së Tiranës tha se postimi nuk është bërë prej tij, por nga i biri 10 vjeç. Përmes mesazhit të postuar thuhej “do ngrihemi, që të mos e lëmë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët!”. Ndërkohë, ish-shefi i Antikrimit ekonomik në Policinë e Tiranës Arjan Hoxha edhe njëherë hodhi poshtë pretendimet e ligjvënësve socialistë se kishte një listë notash të falsifikuar, ndërsa e cilësoi largimin nga puna si hakmarrje të ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, për shkak të arrestimit të babait të tij të dyshuar për kontrabandë ilaçesh. Mbledhja e komisionit është shoqëruar me batuta dhe akuza mes palëve, ndërsa një nga etiketimet e përdorura gjatë seancës për ish-punonjësit e policisë ishte ‘Tarzan’.
Dëshmia e Hoxhaj
Arjan Hoxha, ish-shefi i Abntikrimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, e cilësoi sit ë suksesshme punën e kryer nga sektori që drejtonte, duke përmendur sekuestrimin e 11 milionë euro asete. i pyetur nga deputeti Lutaj lidhur me arrestimin e gabuar të babait të ministrit Tahiri dhe përfundimin e operacionit, Hoxhaj u përgjigj “ju më hoqët nga detyra, s’di çbëhet me këtë çështje”. “Veprimet e mija në arrestimin e Bashkim Tahiri kanë qenë terësisht ligjore. Të ligjshëm arrestimin e Bashkim Tahirit e ka vlerësuar dhe Gjykata e Tiranës. Por nuk e di çfarë po bëhet me këtë çështje në gjykatë”, tha më tej Hoxha. Sipas tij, lirimi i tij nga detyra dhe vartësve të tij nuk kanë asnjë bazë ligjore. “Lirimin e konsideroj si hakmarrje personale dhe politike. Për operacionin ku u arrestua babai i ministrit aktual janë liruar katër persona, ndërsa janë transferuar në detyra të tjera efektive të tjerë të njësisë së antikrimit ekonomik që drejtoja unë. Pra në total 8 efektive të njësisë ku unë punoja kanë pësuar lirime dhe transferime si rezultat i arrestimit të ligjshëm të babait të ministrit aktual, për kontrabande ilaçesh”, tha Hoxha. Në vijim ai shtoi “Saimir Tahiri më ka thënë pasi është arrestuar babai i tij së: Lutu që të mos fitojmë në zgjedhjet”. Ai bëri me dije më tej se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i një partie. “Kam nisur karrierën policore në moshën 18 vjeçare”, është shprehur Hoxha.
Ndërsa deputeti Noka e ka pyetur lidhur me shkarkimin, nëse ka patur masa disiplinore ndaj tij, apo diplome false. “S’kam patur asnjëherë masë disiplinore, por veç vlerësime, shpërblime. Nga Ardian Çipa kam marrë vlerësimin shkëlqyer. Shkarkimi im dhe i strukturës sime është hakmarrje personale dhe politike. Sot kam marrë vërtetimin tek akademia, po j’ua vë në dispozicion dhe kërkoj nga deputetët të kërkojnë ndjesë”, tha Hoxha. Por, Balla e kundështoi duke thënë se “nuk kemi kërkuar këtë listë notash, por të vitit 1999, e cila është falsifikuar. Ne kemi depozituar provën për falsifikim dhe tashmë ju duhet një avokat.”
Më tej Balla e pyeti Hoxhën nëse ai ishte takuar me Flamur Nokën dhe Agron Kulicajn gjatë muajt mars, disa ditë para se të realizohej operacioni i bllokimit të ilaçeve kontrabandë, ku u arrestua dhe babai i ministrit Tahiri. Nga ana tjetër, deputeti Xhemal Qefalia iu drejtua Arjan Hoxhës së për çfarë arsyesh është liruar tre here të tjera nga detyra. “Cila ka qenë arsyeja dhe me çfarë je marrë gjatë periudhës së pushimit?”, e pyeti Qefalia ish-punonjësin e policisë Hoxha. Ky i fundit duke sqaruar tha se ishte liruar vetëm njëherë në vitin 1997, me kërkesën e tij. Kjo pyetje shkaktoj debate të mëdha në seancën dëgjimore të komisionit mes Qefalisë dhe Ristanit. Qefalia e pyeti Hoxhën nëse ai ishte takuar në datën 24 mars të 2013-ës me ministrin Noka. Ndërsa Arjan Hoxha iu përgjigj se nuk ishte takuar me ish-ministrin e Brendshëm. Ndërkohë anëtari i Komisionit Hetimor, Flamur Noka bëri me dije se Balla po intimidon dëshmitarin Hoxha. “Keni përdorur një dokument jo origjinal për të ngritur akuza të falsifikuara ndaj Arjan Hoxhës”, tha Noka.
Dëshmia e Breçanit
Dëshmia e ish-zv.Drejtorit të Policisë së Tiranës Erzen Breçani është shoqëruar me debate në mbledhjen e komisionit mes deputetëve të pozitës dhe opozitës. Kjo e fundit ka akuzuar deputetët e mazhorancës se po i drejtohet me pyetje tendencioze, jashtë objektit të punës së Komisionit, ish-punonjësve të policisë. Deputetët e PS-së kanë pyzetur Breçanin në lidhje me mënyrën sesi ka marrë emërimin dhe gradën në Policinë e Shtetit duke ngritur dyshimet se ato nuk janë në përputhje me ligjin. Ndërsa deputeti Balla e ka pyetur ish.zv-Drejtorin e Policisë edhe mbi publikimin e një statusi në rrjetin social facebook, për të cilën Breçani sqaroi se e ka shkruar i biri i tij 10 vjeç.
Replikat gjatë dëshmisë së Erzen Breçanit
Balla: Më rezulton se për gradën Kryekomisar, sipas ligjit, duhet të kishit tre vjet vjetërsi shërbimi nga grada paraardhëse, N/Komisar, ndërkohë që ju kishit vetëm një vit e gjysëm. Pra, kjo më rezulton në kundërshtim me ligjin. Cila është arsyeja e këtij gradimi? Keni pasur ndonjë meritë të veçantë?
Ristani: Ju sqaroj se objekt i Komisionit nuk është grada juaj, por motivacioni i heqjes nga puna. Ndaj, nëse nuk doni të përgjigjeni, mos u përgjigjni.
Breçani: Unë kam marrë një gradë ekuivalente me atë që kisha më parë, nisur nga vitet e punës që kam. Sipas të dhënave, unë jam ulur në gradë, nuk jam ngritur.
Balla: Ne do ta verifikojmë dokumentacionin. Ju keni qënë në hetim brenda Policisë së Shtetit për ushtrim dhune ndaj një operatori të tv “Top Channel” dhe administrator i këtij televizioni është abnkuar për këtë. A jeni vënë në hetim nga organet e Policisë së Shtetit?
Ristani: Ju sqaroj edhe njëhërë se kjo pyetje është jashtë objektit të hetimit.
Noka: Nuk ka përse t’i drejtoheni dëshmitarit, por deputetëve, që duhet të respektojnë axhendën dhe afatet.
Breçani: Kam një shkresë të cilën po jua lexoj.
Balla: E keni dhunuar apo jo dhe a jeni vënë nën hetim nga Policia e shtetit? Po apo jo?
Ristani: Mos bëni pyetje abuzive! Ndërpriteni këtu!
Balla: Z.Breçani, a mendoni se largimi juaj nga detyra është bërë mbi bazën e një urdhër-pezullimi për shkak se në median e shkruar është publikuar një lajm në 2 korrik 2013, sipas të cilit ju keni publikuar këtë mesah drejtuar Kryeministrit të atëhershëm Berisha: “Përshëndetje liderit historik të shqiptarëve, Doktorr Sali Berishës. E duam ndihmën tënde se jemi mësuar me ty që të na prish derisa të largojmë pinjollët e komunistave me në krye Edvin Ramën. Ta largojmë këtë Enver të dytë që dikur studenta të ’91 shembëm diktaturën enveriste. Do gjejmë forcë dhe optimizëm. Do ngrihemi të tërë se bashku me rininë, që të mos e lëmë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët!” Dhe mbi bazën e kësaj ka nisur procedimi administrative. Mendoni që ka ndonjë lidhje këtu?
Breçani: Nuk besoj se ishte këtu motivacioni i shkarkimit, por në karrierën time profesionale 20-vjeçare, Drejtori i Përgjithshëm që është sot dhe të tjerë i dinë kontributet e mia për Policinë e Shtetit. Për arsye etike nuk mund ‘ti them, por ke këtu një njeri që i janë grisur rrobat nga plumbat e kriminelëve, duke luftuar me bandat. Nuk mund të më përmendësh mua Facebook, kur i ke të tëra mjetet që ta verifikosh atë facebook. Ai mesazh është bërë nga fëmija im 10 vjeç Jehon Breçani, në një kohë kur unë isha në detyrë. Pra, në karrierën time nuk kam asnjë masë disiplinore, madje as mirë, por vetëm “Shumë mirë” dhe “Shkëlqyeshëm”. Këto janë vlerësimet e punës për ju që më keni hequr si të paaftë, se nuk keni pasur dëshirë të punoni me mua.
Noka: A keni trajnime, vlerësime, çertifikata etj.për punën tuaj?
Breçani: Po, kam shumë trainime dhe dëshmi nga kualifikimet në vende të ndryshme të botës përfshirë edhe dekoratë nga Presidenti i Republikës. Konfliktet i kam pasur për shkak të origjinës sime dhe punës dhe këta i kthyen në konflikte personale dhe hakmarrje. Debatet nuk kanë qënë mirë të përgjithësoheshin nga ana politike. Dhe për mendimin tim në Policinë e Shtetit duhet të ketë dhe nga veriu dhe nga jugu, edhe të majtë edhe të djathtë. Largimi im ka ardhur për hakmarrje.
Ndreu: Z.Ristani, ju po përdorni dy standarte në pyetjen e dëshmitarëve, ndërkohë që ne duhet të pyesim dëshmitarët që njerëzit të dinë me kë kanë të bëjnë dhe ju nuk duhet t’i kufizoni pyetjet tona dhe të lejoni ato të deputetëve të opozitës.
Ndreu: Z.Breçani, sa herë jeni konfliktuar me deputetët e opozitës?
Breçani: Jam konfliktuar sa herë deputetët e opozitës kanë shkelur ligjin. Në një rast, për shembull: me çfarë të drejte deputeti ofendon uniformën e policisë dhe e kap për rrobash etj.etj. apo si në rastin e shkollës “Bajram Curri” me rastin e zgjedhjeve kur deputetët e opozitës më akuzuan mua për vjedhje votash ndërkohë që për atë deputet më thanë “Lëre atë se ka pirë raki!” Nga goja ime nuk ka dalë asnjë fjalë fyese për deputetët! Lidhur me aftësitë, në konkurimin që u bë në vitin 2009 ndërmjet 250 komisarëve, unë kam dalë i dyti. Nuk kam marrë asnjë detyrë jashtë ligjit. Arsyeja e largimit nga detyra është se ke punuar shumë mirë dhe ka nevojë për ty Peshkopia. Kur shkova atje gjeta një staf të mrekullueshëm dhe të përkushtuar ndaj punës. Pas një muaji e gjysëm rezultatesh shumë të mira, mendoj se vetëm konfliktet me Tahirajn kanë ndikuar që unë të jem sot pa punë.
Balla: A keni një biznes privat? Si psh.”Breçani Security?”
Breçani: Ju mund ta verifikoni vetë tani, unë nuk kam asnjë lidhje me të, por janë vëllezërit e mi, njerëz me arsim të lartë e të ndershëm, që punojnë e kanë hallet e tyre.
Balla: Z.Breçani, mos ia lini më celularin djalit!
Ristani: Kjo nuk ishte pyetje!
Breçani: Këtë celular unë e mbaja në shtëpi kur punoja dhe atë e merrnin në përdorim familja, fëmija. Më mori në qafë Facebook, thoni ju?!