I nderuar ambasador,
të nderuar diplomatë!
Lexuam të shqetësuar njoftimin tuaj për të ndaluar qytetarët amerikanë të udhëtojnë në Lazarat. Ky është një lajm i rëndë për ne.
Fshati ynë mikpritës dhe bujar, ka pritur në shtëpitë e veta njerëz nga çdo shtet i botës, nga Evropa, SHBA, Australia dhe Kina. Ne jemi njerëz mikpritës dhe nuk i mbyllim derën askujt nëse nuk është polic i shtetit shqiptar.
Për këtë arsye, lajmi juaj na shqetësoi dhe na fyeu njëkohësisht.
Për këtë deshëm të diskutojmë me ju disa probleme që lindin nga një qëndrim i tillë.
Së pari, vetë disa shtete të SHBA e kanë të legalizuar hashashin, dhe ne jo vetëm që nuk kemi bërë thirrje të mos shkelet në ato shtete, por përkundrazi kemi nisur djemtë tanë atje t’u japin përvojë.
Ata na kanë thënë se fitimet janë më të vogla, por puna është më e lehtë. Sidoqoftë, ne nuk jemi mërzitur pse na keni prishur monopolin duke lejuar hashashin, por ju kemi mirëkuptuar.
Së dyti, qëndrimi juaj i prerë për të ndërprerë marrëdhëniet me shtetin e Lazaratit është një vendim i njëanshëm, që nuk ka për të gjetur mbështetje tek shtetasit tuaj.
Ne jemi një vend i hapur dhe ashtu siç presim me dashuri holandezë e francezë, ashtu i presim dhe amerikanët. Nuk e di pse kërkoni të ngjallni armiqësi me zor mes palëve.
Së treti, paralajmërimi juaj bie ndesh dhe me shtetin tonë amë, Shqipërinë, e cila ka marrëdhënie të shkëlqyera si me ju, ashtu dhe me ne.
Para një javem ne pritëm në shtetin tonë një delegacion të nivelit të lartë të shtetit shqiptarm që u prit nga mbreti i shtetit tonë. Ata diskutuan me tone paqësore dhe dashamirëse për të ardhmen e shtetit tonë dhe ndihmat që mund t’i japim shtetit shqiptar, duke investuar në biznese të ndershme në atë shtet paratë tona.
Duke mbajtur këtë qëndrim një javë më pas, ju dëshmoni se nuk e keni vetëm me shtetin tonë, por dhe me shtetin amë, Shqipërinë.
Kjo gjë na shqetëson së tepërmi, pasi ne jemi me parimin e fqinjësisë së mirë me shtetin shqiptar dhe nuk duam që të ketë fërkime për politikë të jashtme.
Së fundi duam t’iu vëmë në dijeni se ne kemi vendosur që tani e tutje lekët tona t’i investojmë në biznese të pastra. Duke mbajtur qëndrim armiqësor ndaj nesh, në mënyrë indirekte ju frenoni bashkëpunimin tonë me biznese të pastra, që kanë nevojë për investime të reja. Kjo mund të na shkaktojë rebelim brenda shtetit dhe të na çojë drejt një vendimi të ri për të vazhduar të punojmë e jetojmë si në rrethim, mbështetur në forcat tona, duke mos përfillur ndihmën e jashtme dhe duke i investuar të ardhurat tona në hapjen e tokave të reja dhe zgjerimin e biznesit tonë kombëtar.
Në pritje për të reflektuar sa më shpejt, ju presim për një vizitë të organizuar në Lazarat. Mundësisht pa Apashë dhe makina të blinduara.
↧
Letër e hapur e banorëve të Lazaratit drejtuar ambasadës amerikane
↧